Mirsa Laci: Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë

579
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja Mirsa Laci: Vetëm njerëzit me komplekse paragjykojnë komunitetin Gay!

Në një intervistë ndryshe si më parë, këngëtarja super seksi, Mirsa rrëfen ekskluzivisht për lexuesit dhe fansat e saj fillimet e saj si këngëtare, ambiciet, sfidat profesionale, lidhjen me familjen, si dhe sekretin që e bën kaq të dashur për publikun shqiptar …

-Përshëndetje Mirsa, si gjithmonë e bukur dhe seksi! Cili është sekreti juaj i formave të bukura fizike?

– Sekreti kryesor për të pasur dhe ruajtur format e bukura fizike krahas faktorit gjenetik është padyshim frekuentimi i palestrës, ushtrimeve te ndryshme për linjat dhe sigurisht një dietë e rregullt ushqimore e pasur me shume perime dhe fruta.

– Ç`mund të na thoni për industrinë e muzikës në Shqipëri?

– Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që, ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Ndoshta fakti është se, shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë muzikore shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

– Cila mendoni se është arma juaj më e fortë si artiste?

– Mendoj se është publiku që duhet të vlerësojë armët e mia si këngëtare sepse unë nuk kam vetëm një armë, kam komunikimin, paraqitjen skenike dhe mendoj se ato ndërthuren mjaft mirë me njëra-tjetrën. Nuk dua të tregohem modeste , por është ende shpejt të tregoj avantazhet e mia. Dua që çdo gjë t’ia lë kohës. Por mund të them se kënga më jep siguri dhe është ajo që dua të bëj në këto momente.

– Si ishin fillimet e tua në tregun muzikor?

– Nuk besoj shumë në fat në këtë pjesë. Unë mendoj se fati është si ta bësh. Unë dhe e kam ndjekur dhe më ka ndjekur, kanë qenë shumë gjëra së bashku që më kanë çuar drejt ekranit të TV. Çdo gjë ka qenë dhe është e vështirë, por falë talentit dhe vullnetit tim, ia kam dal mbanë! Do t’ia dal gjithnjë sa herë të kem oferta, për klipe të ndryshme. Nuk do ta refuzoja.

– Momentalisht po shijon famën apo suksesin?

– Të shijosh frytet e punës tënde është diçka shumë e bukur dhe domosdoshmërisht që televizioni ka edhe famën brenda, kështu them t’i shijoj të dyja. Është herët të flas për suksese të mëdha apo të vogla, dua që shkallët e mia të ngjiten ngadalë. Jam drejt një rruge të tillë dhe shpresoj të jetë një rrugë shumë e gjatë.

– Kush është idhulli juaj në fushën e muzikës?

– Nuk kam ndonjë idhull dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinale dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër e kujdesshme në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.

– Impenjimet aktuale, cilat janë?

– Të jeni të sigurt që projektet e mia do jenë në nivele akoma më të larta, kam mësuar shumë deri tani dhe do t’i vë në zbatim. Jam korrekte me gjërat që dëshiroj t’i shtoj jetës sime. Më pëlqejnë shumë ngjyrat dhe do doja të eksploroja shumë në projektet e mia, që do të jenë gjithnjë pjesë e kulturës dhe artit.

Aktualisht, këndoj tek Bacardi Muzik Live & tek Anima Club.

– Si vishet Mirsa në jetën e përditshme?

– Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë pune, normalisht e veshur sport dhe praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që i përshtatem eventit.

-Sa të prekin thashethemet?

– Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej. Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

-Ç`duhet të ketë një Këngëtare për të qenë e suksesshme?

– Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të jesh Këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

– Së fundmi do të shtosh diçka tjetër?

– Dua të bëj një përshëndetje për familjen time, që më kanë përkrahur e mbështetur për gjithçka, për parukieren time Meritën, që është mikja ime më e mirë, gjithashtu dhe për lexuesit e “Telegraf”!