Punonjësit e CEZ nxjerrin jashtë funksionit matësit e energjisë

568
Sigal

Librazhd/ Shtohen ankesat e qytetarëve se faturistët nuk bëjnë kontrollin mujor të sahateve dhe mbifaturimet

Skandal në qytetin e vogël të Librazhdit. Banorët kanë shtuar ankesat e tyre kundrejt CEZ-it, pasi faturistët nuk shkojnë të shikojnë sahatet e energjisë për të plotësuar më pas faturat, por i mbushin ato pa e kryer këtë kontroll rutinë. Nga kjo ‘nismë e re’ punonjësit e CEZ po nxjerrin jashtë funksionit matësit e energjisë elektrike, sepse kur ato nuk shikohen atëherë pse duhen? Të ndodhur përball këtij fakti qytetarët janë ankuar, por si gjithmonë kërkesat e tyre bien në vesh të shurdhët. Situata ka disa muaj që është krijuar pasi përgjegjësit e CEZ as që kujtohen të shkojnë dhe të kontrollojnë matësit, por i mbushin fatura me hamendësime dhe në 90% të rasteve të mbifaturuara. Janë mjaft qytetarë, sidomos pensionistë që ankohen për faturat, por nga frika e presionit të faturistëve nuk identifikohen, por për gazetën “Telegraf” thonë se: “Faturat e energjisë vijnë të pa përballueshme dhe askush nuk i shikon matësit që ne kemi vendosur në shtëpitë tona, kështu si po veprojnë ata po i nxjerrin jashtë funksionit”. “Unë jam vetëm tre veta në shtëpi, kam një televizor e një frigorifer që punojnë me energji dhe në fund të muajit nuk e kuptoj se si më vjen fatura mbi 30 mijë lekë. E si mund ta shlyej unë kur ne jetojmë vetëm me një pension. Të vinë e të shikojnë sahatet se për atë punë i kanë vendosur”, thotë një tjetër pensionist. Po kështu janë të gjithë qytetarët e Librazhdit që kanë ditë që ankohen se CEZ-i është i papërgjegjshëm dhe faturistët as që i shikojnë sahatet. Ndërsa një tjetër qytetare A. S., shprehet për gazetën “Telegraf”, se faturat janë të papërballueshme. “Unë nuk harxhoj kurrë aq energji elektrike, por ç’të bëjmë na ka zënë belaja jemi ankuar te CEZ-i, por kush na dëgjon neve, sidomos tani që jemi në fushatë dhe se ka njeri mendjen te ne, por te votat që vijnë çdo ditë e na i kërkojnë, madje, që të jenë të bindur se do votojmë për x kandidat e duan edhe votën të fotografuar”, shprehet ajo. Madje sipas burimeve konfidenciale thuhet se, faturat e punonjësve që punojnë në KESH e CEZ paguajnë shumë më pak se qytetarët e thjeshtë, por këtë gjë mund ta verifikojnë vetëm instanca përkatëse. Gjithashtu, rrethi i Librazhdit pothuajse ka pasur çdo ditë nga 2 deri në 3 orë në ditë kufizime të energjisë elektrike. Kufizimet kanë qenë jo vetëm në qytet, por në të gjithë rrethin.