”Mirë se vini në Botën e Perëndive” me zërin magjik të Agim Hushit

767
Recension ”Rishikim”
Duke ndjekur vazhdimisht me kujdes jetën koncertale dhe krijimet e reja të artit dhe të muzikës së artistëve shqiptarë në Shqipëri dhe jashtë shtetit më tërhoqi vëmendjen veçanërisht, ndërmjet të tjerave, kënga ”Song of the night” e kompozuar nga këngëtari i madh shqiptar, tenori me zërin brilant dhe të pakrahasueshëm, Agim Hushi. Për këtë arsye vendosa ta kërkoj CD ”AMORE GRANDE ” në internet dhe ndërmjet mundësive të tjera, e gjeta dhe në Amazon ku e porosita. Para 3 ditësh më datën 26.03.2015, porosia kishte ardhur dhe ishte në kutinë e postës dhe meqë ishte ora 9 e mëngjesit dhe unë do të shkoja në punë, (ngaqë mezi po e prisja ta dëgjoja sa më parë), vendosa kështu ta marr paketën me vete dhe ta dëgjoja duke udhëtuar në makinë gjatë udhës për në punë. Zakonisht në makinë dëgjoj muzikë klasike dhe prandaj e kam vendosur radion në stacionin gjerman WDR 3 , me frekuencat 95.10 ku transmetohet muzikë e nivelit më të lartë gjerman dhe të huaj dhe për mua është gjithmonë gëzim kur hyj në makinë dhe ndez motorin se përnjëherë fillon muzikë klasike, (kam dëgjuar shpesh nga shumë artistë që duke qenë se ato punojnë si muzikantë profesionistë në orkestra ose japin mësim kur janë në orët e tyre private ose në makinë nuk dëgjojnë fare muzikë, fjala është për muzikë klasike, që është për tu habitur se Bota është shumë e pasur me art dhe muzikë të re) dhe kështu për mua dita fillon me muzikë klasike të radios sepse aty dëgjon muzikë të re që nuk e pret, apo nuk e di se çfarë do të transmetohet dhe deri sa arrij në punë, marr një pasuri shpirtërore dhe frymëzim të papërshkrueshëm që më shoqëron gjithë ditën.
Albumi me gonxhe trëndafilash
Këtë radhë vendosa të dëgjoj porosinë nga Amazon dhe me shumë kujdes e hapa paketën e re dhe brenda ishte CD ”AMORE GRANDE”. Foto-kover kryesore me foton e tenorit Agim Hushit dhe shkrimi i germave të albumit ”AMORE GRANDE ” me gonxhe trëndafilash, si dhe zgjedhja e këngëve të këtij albumi, ku pa diskutim nuk mund të mungojnë këngët më kryesore dhe të njohura në botë, të impresionojnë zemrën dhe për mua veçanërisht ishte një moment shumë i paharrueshëm, (duke menduar që shumë artistë vazhdojnë jetën e tyre artistike-koncertale dhe punojnë tashmë për më tepër se 25 vjet jashtë), tenori Agim Hushi i cili në Shqipëri ka studiuar deri në vitin 1991 me baritonin e madh shqiptar Ramiz Kovaçi, bashkëkohor i mirë me 2 tenorët e tjerë të mëdhenj shqiptar, Ibrahim Tukiçi dhe Gaqo Çako, pa diskutim zërat më të mëdhenj shqiptarë ku gjithë populli shqiptar është krenar për ato, një moment ky mjaft mbresëlënës dhe emocionues që më nxori mallin e gurëve të shtëpisë. Agim Hushi ka qenë nga viti 1991-1992 tenori i parë i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit në Shqipëri. Më vonë nga viti 1992-1995 ka vazhduar studimet e larta- Master për Vokal dhe Pedagogji në Akademinë e Lartë të Muzikës “Franz List”, në Budapest, ku njëkohësisht u vendos si tenori principal në Operën Shtetërore të Hungarisë duke prezantuar nga rolet me kryesore të Operave Manon Lescout, Turandot, Il Tabarro, Il Lombardi, Purgacov etj. Nga viti 1997 ka qenë tenori principal në Operën Shtetërore në Adelaide, në Australi dhe ka punuar së bashku me Maestro Richard Bonynge (me të cilin ka punuar dhe Luciano Pavarotti) i cili thotë: ,,Në gjithë përvojën time të punës, Agim Hushi ka qenë një zbulim i mrekullueshëm. Agim Hushi dhe Laura Niculescu janë kasti më i mirë sot në Botë,,. Zërin e Agim Hushit e kanë krahasuar gjithmonë në botë me atë të tenorit legjendar Beniamino Gigli. Agim Hushi ka kënduar në Australi, Zelandën e Re, Kinë, USA, Malajzi, Singapor, Brunei, Dubai, Hungari, Gjermani, Rusi, Slloveni, Maqedoni, Kosovq, Kroaci, Republika Çeke, Rumani, Bullgari, Francë, Greqi, Qipro, Danimarkë, Itali, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Shqipëri dhe Austri. Rolet e atij më të mira janë Cavaradosi, Calaf, Des Grieux, Radames, Manrico, Luigi, Canio dhe Turiddu. Aktualisht, prej shumë vitesh është shef i Departamentit të Këngës në Konservatorin e Muzikës në Vjenë dhe mban titullin “Profesor”. Por, të koncentrohemi dhe një herë te CD AMORE GRANDE ”
Titujt ne radhë
01) Introduction (Agim Hushi) 02) Granada (Lara) 03) Tristezza (Tosti) 04) Voce e Notte (Curtis) 05) Song of the night (Agim Hushi) 06) La spagnola (Di Chiara) 07) Senza nisciuno (Curtis) 08) Ti voglio tanto bene (Curtis) 09) Canta pe’ me (Curtis) 10) O Violino tzigano (Bixio) 11) Core ngrato (Cardillo) 12) Tu ca nun chiagne (Curtis) 13) O sole mio (Capua) 14) Dicintencello vuie (Falvo) 15) La creme napulitane (Buongiovanni) 16) Un amore cosi grande (Ferilli) 17) Passione (Tagliaferri) 18) Chanson de L’adieu (Tosti).
Këngët e zgjedhura
Këngët e zgjedhura në këtë album janë nga këngët më të njohura dhe të kënduara nga këngëtarët më të mëdhenj në botë, mund të përmendim këtu Luciano Pavarotti, Placido Domingo, Josep Carreras etj., dhe sigurisht që duke qenë se i kemi dëgjuar këto këngë të interpretuara nga 3 tenorët e lartpërmendur dhe pak a shumë jemi mësuar me zërin, interpretimin dhe nivelin e tyre, është bërë sot normale që nëse një tenor këndon këto këngë, dëgjuesit e krahasojnë gjithmonë interpretimin e nivelit të tenorit aktual me 3 tenorët e mësipërm. Siç e përmenda dhe më lart, ditën që e mora CD dhe vendosa menjëherë ta dëgjoj në makinë dhe titulli i parë i CD ”Introduction” fillon me një fjalim të Agim Hushit në gjuhën angleze ku përshëndet dëgjuesit dhe sqaron zgjedhjet e këngëve për këtë album duke falënderuar dhe uruar dëgjim të këndshëm. Gjë shumë interesante, (duke menduar se gjithmonë 1 CD fillon direkt me muzikë), por të dëgjojë zërin normal të Agim Hushit, mbi të gjitha, i thjeshte, njeri normal, me zë të ngrohtë dhe dashamirës ishte shumë intime dhe interesant. Në titullin e dytë fillon pikërisht ajo që përmenda me lart (muzika) dhe në këtë rast një hapje dhe një radhitje shumë madhështore, e menduar dhe me vend. Më mirë nuk mund të bëhej. ”GRANADA” kënga e njohur spanjolle që tashmë njihet dhe këndohet nga gjithë tenorët në gjithë skenat e botës. Si fillim fillon Orkestra: Në Europe Symphony Orchestra nën drejtimin e Andrija Pavlic. Veçanërisht bukuria e Granadës është fillimi i veglave të frymës si oboe, klarinetë duke u shoqëruar nga harqet, violina dhe veglat e tjera të frymës si flauti dhe kornot që të japin ndjenjën e daljes së diellit, shoqëruar me ritmin e kastanjetave dhe timpanin që të jep atë ndjenjën që nuk mund të përmbahesh dot dhe zemra fillon dhe rreh 2 herë më shpejt dhe plotësohet pastaj me fillimin e zërit të këngëtarit, të tenorit . Dhe unë gjithashtu mbaja mend interpretimin e 3 Tenorëve dhe dëgjimi është mësuar me timbrin e 3 Tenorëve dhe jam habitur me kuptimin e plotë të fjalës nga pastërtia e zërit qysh nga fjala e parë –Granada- që fillon të këndojë Agim Hushi dhe zëri i tij i plotë të merr menjëherë me vete dhe kumbon në gjithë trupin tënd, sikur del dielli me formatin e tij më të madh, shoqëruar nga fjalët, germat apo zanoret që ke dëshirë pa pushim dhe mezi pret t’i dëgjosh përsëri, çdo gjë e dëgjon dhe e kupton sikur të jetë prezent para teje dhe je gati ta përsërisësh (edhe nëse nuk e di gjuhën e këngës, sepse është thjesht interpretimi i Agim Hushit që të bën për vete) dhe për profesionistët që i njohin këto këngë shumë mirë, pret të dëgjosh sa më parë momentet e bukura dhe kryesore të këngës dhe kur Agim Hushi këndon në regjistrat e notave të larta menjëhereë të bëhet e qartë se jo vetëm që mund të matet me 3 Tenorët por është përmbi ata. Tonet e larta, zanoret e zërit të Agim Hushit (mund t’i krahasojmë këtu me timbrin e tonit të violinave të Antonio Stradivari), timbri i tij i ri, i plotë, i ëmbël, i freskët, plot dashuri, i shoqëruar me një melankoli të padëgjuar ndonjëherë, shoqëruar nga një teknikë brilante dhe vibrato të kontrolluar, të vogël dhe të shpejtë, me një intonacion perfekt në të gjithë regjistrat, sidomos në notat e larta me një energji dhe potencë të padëgjuar ndonjëherë deri më sot nga ndonjë tenor i çfarë do lloj gjenerate, është një përvojë që nuk duhet ta humbasë asnjë artdashës i muzikës klasike. 
Një zë dhe talent i tillë lind një herë në 100 vite .
Me thënë të drejtën, për mua personalisht ishte bërë një kohë që nuk kisha shumë dëshirë të shkoja në Opera, (kjo jo sepse nuk dua të shikoj dhe dëgjoj Operat, përkundrazi), kjo gjë vinte sepse solistet kryesore, grua apo burrë (madje dhe me emra shumë të mëdhenj në të gjitha sallat, ( e kam fjalën artistë nga gjithë vendet e botës) nuk më inkurajonin me zërin e tyre. Fakt është që njeriu ka një pikë në jetë ku ose e pëlqen diçka ose jo. Dhe kjo kuptohet që në notat e para. Dhe qysh se dëgjova zërin e Agim Hushit u inkurajova aq shumë sa kur erdha në shtëpi mezi po prisja ta dëgjoja CD në magnetofon të madh sepse nuk po i besoja vetes në makinë nga zëri i tij që më bëri të dashuroj përsëri Operën. Dhe këtu mu bë mëse e qartë, që kur këndon Agim Hushi është njëlloj sikur je në ”Botën e Perëndive” . Veçanërisht vëmendje të madhe i kushtova dhe këngës së kompozuar nga tenori Agim Hushi me titullin ”Song of the night ”. Në fillim, ngaqë nuk e njihja dhe ngaqë më pëlqeu jashtë mase, mendova se do të ishte një ndër këngët më të bukura për tenor në botë dhe vetëm po e shijoja muzikën e cila më futi në botën e mbretërive dhe të princeshave dhe më vonë e pashë dhe një herë programin e diskut dhe konstatova që pikërisht kjo kënga që më pëlqeu jashtë mase dhe që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë ishte kompozimi vetë i tenorit Agim Hushi i cili jo vetëm që është këngëtari i cili me kuptimin e plotë të fjalës e meriton titullin ” Tenor ” por është njëkohësisht edhe një komponist i radhë. Patjetër duhet përmendur këtu dhe shoqërimi mjaft i mirë, shumë i ngrohtë dhe besnik i orkestrës të drejtuar nga dirigjenti Andrija Pavlic të cilët e kompletojnë këtë regjistrim me profesionalizëm të lartë. CD ”AMORE GRANDE” është një nga dhuratat më të mira që mund t’ju këshilloj për të gjithë dëgjuesit dhe unë personalisht po e dëgjoj disa ditë pa pushim, me lot në sy dhe jam njëkohësisht mëse i gëzuar dhe krenar që interpretoi tenori gjigand Agim Hushi, që është shqiptar dhe na përfaqëson e inkurajon ne me nivelin më të lartë në botë.
Urime të përzemërta, Alban Pengili
Violinist 
Sigal