Më 12-13-14 shkurt në Teatrin Eksperimental, “Elektra” me regji të Kiço Londos dhe një kast të rrallë aktorësh

36
Sigal

Vepra “Elektra” me regji nga Kiço Londo që ishte premiera e parë e Teatrit Shëtitës “Çajupi” për këtë vit, pas suksesit në Durrës do të vijë në skenën Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra vjen në skenë me një kast të zgjedhur aktorësh dhe do të jetë për publikun në mbrëmjet e datave 12-13- 14 shkurt. “Elektra” e Teatrit Shëtitës “Çajupi” është një shfaqje sipas tekstit të Sofokliut. Ajo na tregon historinë e Elektrës, fëmijë i etur dhe paduruar, e cila kërkon hakmarrje për vrasjen e babait të saj. Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja eksploron pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e faljes. Në role janë Laura Nezha, Alert Çeloaliaj, Gladiola Harizaj, Denisa Demaj, Engjëll Hoxha, Gert Ferra, Kevin Rrapaj, Medi Gurra, Asiana Koka, Melisa Manuka, Suela Prendi, Greta Baci, të cilët drejtimin e regjisorit Londo u duartrokitën gjatë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës në mbrëmjet e para të shkurtit. Te “Elektra” e Teatrit Shëtitës “Çajupi” në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” e gjithë jeta njerëzore dhe më shumë vdekja, ishin brenda saj. Përkthimi i Loreta Pleqit në vepër është interesant dhe performues. Një ekip në shfaqje mjaft i përkushtuar dhe i aftë të përballojë testin e rrezikshëm të Sofokliut. Sipas teatrit, duartrokitjet e gjata të spektatorit në fund të shfaqjes konfirmuan ndjeshmërinë ndaj shfaqjes, e cila kulmon me lojën moderne dhe goditëse të aktorëve. “Laura Nezha tregoi një thellësi të pashoqe, duke i shtuar shtresa rrëfimit magjik. Alert Çeloaliaj tregoi tjetër standard, sfidues, i gjallë. Gladiola Harizaj dukshëm e arrirë, me instikte shtazarake, demoniake. Engjëlli i zgjuar në rikthim. Denisa Demaj prezencë emocionale. Gert Ferra i lakmueshëm, Kevin Rrapaj në nivelin e duhur. Vajzat e korit- (Medi, Asiana, Greta, Suela, Melisa) jashtëzakonisht të ndryshme dhe pasqyrë emocionale e kristaltë. Kostumet marramendëse dhe të harlisura. Gerti i kudogjendur dhe zotërues. E padukshmja Silvi dinamike, prek, kujdeset dhe i jep frymë gjithçkaje”, thuhet për “Elektrën”, ku spektatori doli nga salla tepër i emocionuar, që takoi një shfaqje me interpretime të shkëlqyera.

“Elektra” synon të flasë për një shoqëri, ku gjërat janë përmbysur keq.

Përtej teatrit, përtej letërsisë, përtej hakmarrjes “Elektra” e Teatrit Shëtitës synon të flasë për një shoqëri ku gjërat janë përmbysur keq dhe në mënyrë të rrezikshme. Bota e krimit dhe korrupsionit është një vend i turbullt, i paqartë, për të cilin ne të vdekshmit kemi natyrshëm dyshime dhe frikë. Kjo paqartësi është shfrytëzuar në mënyrë të përsëritur në shfaqjen Elektra e Sofokliut, të Teatrit Shëtitës, për të paraqitur personazhe që përjetojnë një gamë të gjerë emocionesh dhe për të theksuar ironinë e situatës së tyre. “Komploti i tragjedisë kthehet në temën e zhvillimit të të vdekurve të gjallë, pasi një Orestes i supozuar i vdekur kthehet papritur i gjallë, me ndihmën e mundshme të shpirtit të babait të tij. Ky është një realitet i zymtë. Një univers i mbytur në korrupsion dhe padrejtësi. Një botë antiheroike ku gjithçka është kthyer përmbys dhe rendi i gjërave është prishur në mënyrë të rrezikshme”, thuhet rreth materialit të teatrit. Në këtë botë, Elektra zgjedh të jetë e vetmja qelizë e ndërgjegjes së gjallë që nuk do të pushojë së denoncuari imoralitetin dhe hipokrizinë në përjetësi. Zëri i saj është një akt i guximshëm dhe dinamik i rezistencës aktive, që vazhdimisht shqetëson dhe kujton pandërprerë nevojën për të korrigjuar padrejtësinë e tmerrshme. Por fundi enigmatik dhe i papritur i tragjedisë nuk parashikon asnjë fund të lumtur, as për heroinën dhe as për pasionet e shtëpisë së saj.