Marjana Bulku: Ikona e muzikës qytetare dibrane, Melita Shehu

1215
Sigal

Melita Shehu, një ikonë e muzikës qytetare dibrane

Nga Marjana Bulku

Muzika qytetare dibrane ka një histori pothuaj 60 -vjeçare e cila lidhet ngushtë me emra kompozitorësh, krijues tekstesh dhe këngëtarë të cilët lanë pas vepra muzikore që përveç ritmeve të bukura i dhanë qytetit edhe sharmin që vetëm arti i vërtetë di të falë. Kur tenton të futesh në historinë e kësaj muzike emri i Melita Shehut të vjen edhe si kujtesë,  edhe si harresë, edhe si nostalgji, por në të shumtën e rasteve ai zë ishte aq i dashur dhe i duartrokitur, sa kur jepte shfaqje Estrada Amatore e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli”, shumë prej artdashësve mezi prisnin të dëgjonin atë: -Melita Shehun.  Tek ajo shkrihej sharmi i artistes me bukurinë natyrale e plot hire femërore  të cilave iu bashkohej ai zë aq i bukur, i pastër dhe i plotë. Një talent i spikatur qysh në fëmijëri e që iu bashkua estradës amatore të qytetit më vonë (1969), edhe si këngëtare profesioniste, kur kjo estradë do të drejtohej nga duart  mjeshtërore të kompozitorit shkodran Tonin Rrota, i cili falë pasionit dhe përkushtimit e shndërroi këtë institucion në një mini- akademi arti, ku dijet muzikore edukoheshin me një profesionalizëm metodik. (kështu e kujton bashkëpunimin me Mjeshtrin artist dhe njeri Tonin Rrota, kompozitori i mirënjohur Lahim Kola).  Ky moment i profesionalizmit dhe drejtimit artistik të trupës së estradës për të pasionuarit ndaj artit, do të kishte efekte të drejtpërdrejta, ndaj nuk mund të ishte ndryshe Melita Shehu,  përveçse një artiste e madhe e një qyteti të vogël. Edhe pse turet e para të artistëve ishin fshatrave të Dibrës,  nga Reçi në Lurë, Kalaja e Dodës në Sllovë, Katër grykët e Luznia, Maqellara, Golloborda, Gryka e Madhe e Bulqiza , mikpritja ndaj artistëve kishte si tregues duartrokitjen. Atëherë nuk kishte ekrane e mundësi regjistrimi  apo fotografimi si sot, as shkrime e kritika ku artit të bukur t’i jepej liri, por marrëdhënia  me spektatorin  ishte e vërtetë dhe e drejtpërdrejtë dhe ky lloj arti vinte natyrshëm pa truke dhe efekte që teknologjia  e sotme i përdor rëndom. Melitës i këndonte zëri, i qeshte fytyra, i gëzonte shpirti sepse talenti është i pamanipulueshëm, atë e rrëfen skena dhe e ruan të freskët kujtesa e kolegëve artistë dhe spektatorëve shumë prej të cilëve e kujtojnë ende dhe me nostalgji. Ishte koha kur arti nuk shpërblehej edhe pse angazhimi në të kishte kostot e veta e për më tepër për një vajzë të re e të bukur në Dibër, ku e bukura e brishtë mbetet gjithmonë e brishtë. Ajo është ikona e artit të bukur që i thur këngë e vargje ndjesive të bukura me të cilat duhet të ushqehet jeta, kjo dhuratë e cila njeriut i vjen veç një herë. Përkrah Tef Krroqit e Tonin Rrotës, Lahim Kolës e Skënder Çalës, Abdyl Sturçes e Muharrem Zajmit, Melita ishte zëri femëror pa dyshim më i bukur dhe frymëzim brezash femërorë të cilët vite më vonë do t’i jepnin kulturës dibrane ngjyra të reja. Melita kishte një repertor të pasur me këngë dibrane të përpunuara në këngë tipike qytetare me mjeshtëri nga Tonin Rrota, si : “Moj e mira synin larush”, “Seç e mora rrugën”, “Po vjen zoga për  rreth livadhit”, “Rrugës mori rrugës” etj. Si dhe duetet:  “Moj e bija e Runit”, kënduar me Haziz Ndreun, “Ti andej e unë këndej”, me Muharrem Zajmin, “Ma ke gishtin për unazë” e “Në livadh na zbardhi dita”, me Skënder Çalën. Po kështu edhe këngë të kompozuara nga Tonin Rrota, si duetet,  “Jepma mollën” me Abdyl Sturcën,  “Vetë më ke thanë”, me Skënder Çalën, këngën  “Aksionistja e malit”, shoqëruar nga kompleksi, kompozuar nga Lahim Kola. Ajo  ka kënduar bashkë me Skënder Çalën dhe kompleksin  edhe dy suita vokale të realizuara nga Tonin Rrota. Mund të pohohet, bazuar edhe nga vlerësimet e kolegëve të saj profesionistë se  ne vitet ‘60 –të, Melita Shehu ka shkëlqyer , e në mënyrë të veçantë,  në dy turnetë e realizuara ne vitet 1961 dhe 1963 në të gjithë qytetet e Shqipërisë  ku, për interpretim  të kënduar nga Melita, duartrokitjet e spektatorëve nuk pushonin deri sa ajo detyrohej  të këndonte dhe një këngë tjetër. Ja se çfarë sjell ekskluzivisht për ne  miku im dhe koleg i Melitës,  kompozitori dhe instrumentisti  Lahim Kola:  “Në turneun e vitit 1963, realizuam dhe një këngë meksikane, Maylanegre, e shoqëruar me një  formacion orkestral prej 6 kitarash dhe një fizarmonikë, që e këndonte  Skënder Çala bashkë me Melitën (me kitarë në dorë) dhe me veshje meksikane. Duartrokitjet vazhdonin e nuk na linin të dilnim nga skena pa e përsëritur edhe një herë  këngën.”  Kjo trupë profesioniste e drejtuar me profesionalizëm  e përcolli civilizimin dhe të bukurën përmes lirizmit rrethuar nga kornizat e kohës. Dibra shquhej për këngë epike dhe trimërie, por jetës i duhet edhe lirizmi i hollë dhe edukimi me të bukurën, ndaj bashkë me muzikën, Melita e përcolli  këtë të  bukur me prezencë por edhe me mirënjohje, dashamirësi dhe çiltërsi. Melita ka marrë pjesë edhe në veprimtari kombëtare duke qenë një ikonë e zërit të bukur qytetar dibran në  festivalin e këngës qytetare në Tiranë, ku këndoi me sukses këngën “Zani në  bjeshke”. Ajo ka marre pjesë edhe  në takimin e këngëtarëve  profesionistë  në Shkodër, ku nuk kanë munguar vlerësime me çmim nga juria. Në vitin 1965,  Melita do të ishte pjesë e  Ansamblit Shtetëror  të Këngëve  dhe Valleve, në një turne në Egjipt, ku edhe atje suksesi ishte i  padiskutueshëm. Atje ajo do të ishte zëri i bukur i Dibrës dhe prej andej ajo solli dhe një këngë  egjiptiane, të cilën e këndoi me shumë  sukses në skenën e Estradës së qytetit që është djepi i cili përkundi pasionin dhe profesionin e saj,  këngën qytetare dibrane duke edukuar kështu e para ndjesitë e së bukurës në formë dhe në përmbajtje, si dhe  ndjenja njerëzore që jetës i falin butësi dhe shije. Për ne që nuk kishim lindur në atë kohë,  të shohësh gjurmë të tilla nëpër të cilat kalon civilizimi ku ne bëjmë pjesë, është pa dyshim pasuri e madhe shpirtërore dhe kulturore . Për këtë material m’u dha ndihmë dhe informacion nga miq dhe kolegë të Melitës por falenderimi im i veçantë shkon për Lahim Kolën, një model i jashtzakonshëm përkushtimi ndaj punës sistematike dhe me vlerësime ndaj kolegëve e bashkëpunëtorëve që në art por jo vetëm aty,  janë kaq jetike.  Qytetarin e nderuar Astrit Gjunkshi e kujton Melitën edhe si një aktore e lindur, ja se si citon ai   “Ajo u bë simbol i artit në qytetin e Peshkopisë. Nuk mund të harroj interpretimin e saj si aktore në dramën “Sikur t’isha djalë” të Haki Stërmillit. Salla e ndiqte plot ankth atë interpretim të bukur plot art e realizëm, që i mallëngjeu të gjithë dhe u mbeti i paharruar në shpirt e në mendje”. Të shkruash për Melitën është si të hulumtosh pranë një ikone dhe kërkimet pranë ikonash kanë efekte të veçanta, aty kristalizohen vlera muzeale, emra, vepra, punë dhe veprimtari që e bëjnë të gjallë kujtesën, por edhe mirënjohjen tonë mbi kualitete që koha nuk pati mundësi t’i ruajë për ne, por ne kemi detyrimin qytetar që t’ja përcjellim brezave atë material kulturor që na fton të mendojmë, se dikur një zë femëror i këndoi momenteve më të bukura të jetës dhe sot e përherë e bukura,  duhet të mbijetojë mbi çdo plagë e vragë jete.