Mafia e pronave të sindikatave, drejtësia të ndëshkojë krimin 2 miliardë euro

648
Sigal

Krerët e sindikatave të arsimit dhe BSPSH, të bëhen objekt i hetimit të SPAK
dhe Lustracionit për pronat dhe dosjet

Përparim HALILI

Gazeta Telegraf/

Ç’bëhet me pronat e SPASH shtëpi
pushimi, të cilat kanë qenë të regjistruara si pronë hipotekore private e
ish-kryetarit të Bajram Kruja, sot “Kryetar Nderi i SPASH” me pension pleqërie
dhe me pagë mujore sa një zyrtar i MAS? Ç’bëhet me pronat e BSPSH e të KSSH? Ku
kanë përfunduar, si shfrytëzohen pronat e mbetura ende në “thonjtë” e pisët të
krerëve të këtyre dy “çetave sindikale”? ka një raport kontrolli shtetëror të
fatit dhe gjendjes së këtyre pronave që nuk janë pasuri e sindikatave, por
objekte në funksion të lëvizjes sindikale dhe të pushimit vjetor të punonjësve
anëtarë të sindikatave e jo si burim pasurimi të bejlerëve të BSPSH e KSSH. Një
avokate suflere histerike e shefit të saj në BSPSH, telefonoi dhe bëri presion
të mos hapim më letrat e pista të pronave të sindikatave,  mbasi sipas saj ato “… i ka mbyllur
drejtësia”! ndaj dhe ne i kërkojmë drejtësisë, të rihapë këto letra pronash të
sindikatave, me vlerë mbi 2 miliardë euro, disa prej të cilave janë rrafshuar
për sheshe kullash e resortesh, për vila private, për fshatra turistikë, për  rezidenca fetare me qera e të shitura tek
priftërinj grekë e serbë. Disa janë shitur tek familjarët dhe ortakët e tyre,
disa janë ende në aktivitet hotelesh e motelesh me mbiemra e pronësi shefash të
sindikatave, disa janë falur, disa janë tjetërsuar si pasuri familjarësh dhe
krushqish në 3 breza e në 10-15 emra të ndryshëm! Gazeta “Telegraf”, i bën
thirrje drejtësisë të hapë kapakun e “pusetës së qelbur” të krimit
ekonomik-financiar e fizik, bërë me pronat e sindikatave, mbasi ajo është pasuri
kombëtare. Ky proces “Vetingu” me pronat në Shqipëri, të cilin e paralajmëroi
edhe kryeministri Edi Rama,. duke shpallur nisjen e operacionit të verifikimit
të titujve të pronësisë  për çdo objekt e
truall, duhet të nis nga pasuritë e sindikatave, të cilat janë rekord krimi i
bërë në këto 24 vite prej disa individëve që prezantohen me “çallmë”
drejtuesish sindikalë!

Sindikatat nuk janë pronare të objekteve, por përdoruese
të tyre

 

Sipas ligjit, sindikatat i kanë marrë pronat në vitin 1992 me Dekret Presidencial
nr. 204, datë 05. 05. 1992, që rezulton dekret antikushtetues, mbasi nuk pa
kaluar për votim në parlament, por është një dokument shkresor i lëshuar
personalisht nga ish-presidenti Sali Berisha, si të ishte një medalje e jo një
dekret për administrimin e një pasurie kombëtare që në atë kohë ishte e
vlerësuar si investim shtetëror e “popullor” në vlerën e afro 97 milionë
dollarëve. Sindikatat edhe me këtë dekret, kishin të drejtë të administronin
pasuritë shtetërore deri në vitin 2020, por pa qenë pronare të tyre, sepse
sindikatave si shoqata u mungonte një prej “tagrave” të pronësisë, që është e
drejta e disponimit/tjetërsimit, parashikuar e përcaktuar në tekstin e Nenit 6
të Ligjit Nr. 8340/1, datë 06. 05. 1998, ku përdoret shprehimisht termi “administrimi
i pasurive”, Sipas ligjit, shteti është pronar i vetëm i pasurive të
administruara nga sindikatat, të cilat përgjatë kohës së administrimit,
kapërcyen në mënyrë abuzive “tagrin” e të drejtave reale të dhëna. Ligji Nr. 8340/1,
datë 06. 05. 1998, shpreh qartë dhe pa ekuivok, përcaktimin kushtetues, për mos
kalimin e pronësisë mbi këto pasuri nëpërmjet mosmiratimit të dekretit Nr. 204,
datë 05. 06. 1992.

 

 “Veting” dhe Lustracion për abuzimet dhe
“profilin” e krerëve sindikalë

Referuar dosjeve që kemi
investiguar e disponojmë, mbështetur në faktin, që dy krerët e “kioskë” sindikatave
private të arsimit shqiptar, konkretisht Nevrus Kaptelli i SPASH dhe Xhafer
Dobrushi i FSASH, por edhe referuar dosjeve faktike të krimit
ekonomik-financiar të bërë me pronat miliardëshe të sindikatave, të cilat janë
bërë “rrush e kumbulla” prej agallarëve uzurpatorë të BSPSH e KSSH në këto 24
vite, këta abuzues duhen përfshirë në procesin e “Veting”-ut dhe të ligjit të
Lustracionit, pra të verifikimit të krimeve me pronat dhe të publikimit të
dosjeve, nëse janë ose jo ish-spiunë të sigurimit të shtetit, të desantuar në
lëvizjen sindikale me mision prej atij shërbimi famëkeq e të përbindshëm, siç
janë shumë mostra të tilla në kupolat e BSPSH e KSSH, përfshirë në këtë
verifikim edhe dy “lolot” e SPASH dhe FSASH! Prej disa ditësh, gazeta “Telegraf”
denoncoi publikisht me fakte shkresore zyrtare e bankare, skandalin e zhvatjes
së dhunshme të pagave të mësuesve nëpërmjet një termi hajdutëror “kuota
sindikale” me vlerë 100 lekë të reja në muaj dhe nëpërmjet një “gjobe” vjetore
banditeske me vlerë 400 lekë të reja në vit, që mësuesve shqiptarë u grabiten pa
asnjë frenim,  sekuestruar me dhunë nëpërmjet
bankës prej dy individëve me urdhër të Ministres së Arsimit, dhënë gjithë
drejtorive arsimore rajonale (DAR).

Krimi me kuotat dhe pasuritë e
sindikatave, nuk mund të blihet e shitet me heshtje

Pas publikimit të këtij abuzimi
me objekt “grabitje me dhunë e manipulime shkresore dhe në bashkëpunim i të
ardhurave personale duke përdorur institucione, emërtesa e vula zyrtare dhe
shoqatash”, nuk kemi heshtur se (gjoja) jemi blerë e as do të blihemi, por do të
vazhdojmë të kërkojmë ndëshkimin e këtij krimi. Prej afro 1 jave, kemi pritur
sqarime e argumente zyrtare prej dy agallarëve të SPASH e FSASH, por edhe prej
krerëve të BSPSH e KSSH. Jo vetëm nuk kanë paraqitur asnjë përgjigje për akuzat
që u kanë bërë mësuesit e zhvatur në paga dhe të cënuar në dinjitet. Madje edhe
kanë kërcënuar banalisht e komikisht me ndonjë copë letër defter bakalli dhe më
ndonjë avokate që nuk ka mbrojtur dot as familjarët e vet përballë akuzave për
ca punë qejfi të miturish! Mësuesit pyesin, por Nokja i SPAASH dhe Xhafa i
FSASH, nuk po përgjigjen publikisht se ku kanë përfunduar 360 milionë lekët e
grabitura nën logon “kuota anëtarësie për SPASH e FSASH” dhe 120 milionë lekët
e gjobës pirateske e hajdutërore prej 400 lekësh të reja në vit, ndalur në pagat
e mësuesve me urdhër të MAS e arkëtuar po me urdhër të drejtorëve të arsimit, në
favor të këtyre sindikatave që hapin e mbyllin gojën si kukulla, vetëm kur i
komandon dhe i instrukton kupola e MAS! Kemi dëgjuar, por nuk mund të besojmë
edhe ndonjë deklaratë të disa “urithëve” brenda “gropave të zeza” me logot SPASH
e FSASH, që thonë se dyshja Kaptelli-Dobrushi, me këto miliona kanë “sajdisur”
me ndonjë “çek shoqëror” drejtues arsimi në qarqe e rrethe për kuotat e ndalura
në bankë, për nënshkrimin e kontratave fiktive me tekst të përpara 20 viteve,
madje edhe sikur janë dhënë shpërblime për shefa në MAS, si “dhurata” për
shkollimin e fëmijëve jashtë vendit, apo për blerje të ndonjë makine e dhome
gjumi për fëmijët, për mbesat dhëndurët e rinj shefa arsimi në MAS e në
Këshillin Kombëtar të Punës! Mësuesit nuk duan të dinë se kur fle e kur
zgjidhet Nokja i SPASH, apo nëse takohet me ish-shefat e sigurimit të viteve të
rinisë e të karrierës si kryesindikalist të nisur në Gramsh, por duan të dinë
fatin e kuotave të tyre, duan përgjigje, se përse këto kuota u sekuestrohen në
mënyrë kolektive me listë bankare në pagën mujore, kur Neni 181, pika Ç e Kodit
të Punës, thotë kështu: “Punëdhënësi të lejojë dhe të krijojë lehtësi për
grumbullimin e kuotizacioneve brenda dhe jashtë vendit të punës”. Por nuk thotë
të ndalen nga paga në bankë, me urdhër të MAS e me kamxhik shkresorë të drejtorëve
rajonalë. Për me keq akoma, nuk ka asnjë ligj as në Somali e Ugandë, që drejtorët
e DAR të kthehen në përmbarues dhe urdhërojnë Thesarin e Shtetit, që t’u
sekuestrohen lekët mësuesve, sikur këta janë dënuar me vendim gjykate apo që lekët
e sekuestruara nga pagat e mësuesve, të arkëtohen në llogaritë bankare të dy
batakçinjve të këtyre sindikatave e të shumë horave të tjerë analfabetë e të
zhytur në pisllëqe me punët dhe pronat e sindikatave! Por ja që ndodh dhe ky
abuzim duhet ndëshkuar ligjërisht, duke u rikthyer milionat mësuesve. Mirëpo
krimi ekonomik-financiar me bazë hajdutërinë nuk janë vetëm kuotat që u
grabiten mësuesve, punonjësve të ujësjellësin e Tiranës e të rretheve,
administratave të bashkive e ministrive, të shëndetësisë, të OSHE, KESH, ushtrisë,
policisë e deri minatorëve dhe pastrueseve të institucioneve, të spitaleve, çerdheve,
kopshteve e shkollave! Vetëm një pyetje: Po Nokja e Xhafa, a paguajnë kuota sindikale?
Sa e kanë pagën mujore? Kush ua cakton këtë pagë? Sa udhëtime kanë kryer jashtë
shtetit dhe me çfarë klasi biletash? Ku e tërheqin pagën? Përse i kanë tërhequr
milionat e lekëve nga bankat përpara e pas Vitit të Ri ose në prag pushimesh
verore e pas kthimit nga relaksimet në plazhet e huaja? Çfarë lidhje kanë me
oktapodin anti-shqiptar “Soros”, që janë ngritur me të së bashku, në protestë për
punët e arsimit?

Vijon

 

10 pyetje për 480 milionë lekët e grabitura nga mësuesit

 

1.      Ku janë transferuar e tjetërsuar
milionat e kuotave sindikale dhe të 
ardhurat e tjera?

2.      A ka pasur dhe a ka të ardhura të tjera
financiare të depozituara në llogaritë bankare ilegale me emra të sindikatave
të arsimit “Kaptelli” e “Dobrusha”?

3.      A ka dokumentacion, të miratuar sipas
Statutit nga strukturat e këtyre dy sindikatave, për shpenzimet e bëra?

4.      A duhen zbardhur pasuritë personale të
drejtuesve të këtyre sindikatave?

5.      A ka të ardhura nga shitja, apo qiratë e
ish-kampeve dhe objekteve të regjistruara me emra personalë drejtuesish
sindikalë që në kohën e “Xhekës”?

6.      Sa milionë lekë, janë paguar nga dy
agallarët e sindikatave për të paguar avokatë, gjyqtarë dhe sekserë drejtësie,
me qëllim për të mbajtur kolltukët e zhvatura me vota kongresesh fallco?

7.      Sa familjarë të tyre janë pjesë e
strukturave drejtuese, apo financiare të sindikatave të arsimit?

8.      A kanë bër pazare ky batakçinjtë e
sindikatave të arsimit me kupolën e ministrisë, për të bërë gjoja sikur mbrojnë
mësuesit e larguar nga puna?

9.      A kanë blerë “mastera” e diploma false,
drejtues të sindikatës së arsimit “Kaptelli” e “Dobrusha” dhe në cilët
universitete brenda e jashtë vendit?

10.  A kanë bërë presione dy drejtuesit e
sindikatës për të punësuar e transferuar në arsim familjarë e pagues të tyre
dhe si e kanë arritur “qëllimin”?