Kastriot Muço: Si ngelën të shtangur turistët e huaj në Greqi nga zëri brilant i Irini Qirjako?

24
Sigal

-Në një anije që lëvizte në Egje, Irini këndoi këngën “Unë jam shqiptare” dhe pastaj këngët greke dhe bullgare

-Të gjithë artistët grek dhe të huaj u befasuan nga zëri hyjnor i Irini Qirjakos

– Grupi bullgar, i mahnitur nga interpretimi, u ngrit në këmbë dhe e shoqëroi me duartrokitje të zjarrta Irinin

Kastriot Muço

Telegraf.al / Zërin e kristaltë të Princeshës së Polifonisë Irini Qirjako, e kam adhuruar për afërsisht 30 vjet. Kam pasur fatin e madh të jem dëshmitar i një ngjarjeje të rrallë, të cilën e ruaj si një kujtim të bukur dhe të paharrueshëm.

“Më 21-22 qershor 2002 një grup përfaqësuesish të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Lëvizjes për Mirëkuptim dhe Paqe, Forumit të Pavarur të Gruas, anëtare të Federatës Ballkanike të OJQ-ve dhe personalitete të njohur të fushave të tjera, gjithsej 20 veta, morëm pjesë në Konferencën Ballkanike të kësaj Federate, me 28 organizata anëtare nga 7 vende të Ballkanit. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Irini Qirjako”

Më 21-22 qershor 2002 një grup përfaqësuesish të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Lëvizjes për Mirëkuptim dhe Paqe, Forumit të Pavarur të Gruas, anëtare të Federatës Ballkanike të OJQ-ve dhe personalitete të njohur të fushave të tjera, gjithsej 20 veta, morëm pjesë në Konferencën Ballkanike të kësaj Federate, me 28 organizata anëtare nga 7 vende të Ballkanit. Pjesë e këtij grupi ishte edhe Irini Qirjako. Në program ishte planifikuar që ditën e fundit të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës të bënin një udhëtim turistik me anije në ishujt grekë të Poros, Hydra dhe Aegina, në gjirin Saronic të detit Egje. Pak pas nisjes së anijes, në një podium të vendosur qëllimisht në një sallë të bukur, valltarë të veshur me kostume tradicionale, fillimisht kërcyen valle greke dhe pak më vonë ftonin turistë të huaj për t’u mësuar lëvizje të thjeshta të valleve të tyre.

Pas valleve orkestra prej tre vetësh luajti dhe këndoi muzikë greke.

Në këtë atmosferë të gëzuar, por që nuk pashë artistë të niveleve të larta, i sugjerova Irinit nëse mund të këndonte një këngë greke, por ajo më tha se do të këndonte këngën shqiptare: “Unë jam shqiptare”. Pasi mora aprovimin e drejtuesit të orkestres, njëkohësisht këngëtar i njohur grek, ndodhi mrekullia. Sapo u dëgjuan tingujt e parë të zërit të saj, kumbues e të kristaltë, salla e mbushur me turistë të huaj, ku binin në sy edhe japonezë, mori pamje tjetër. Krahas dëgjimit të muzikës, turistët e shumtë që bisedonin ndërmjet tyre, befas u drejtuan nga Irini, mbizotëroi heshtja. Shihja me vëmendje drejtuesin e grupit të orkestrës. Pas mbarimit të këngës ai kishte mbetur i shtangur para një të papriture të madhe.

Ai i propozoi Irinit të këndonte një këngë tjetër, çka e kërkoi edhe e gjithë salla. Kësaj radhe ishte një këngë e njohur greke. Duartrokitjet shpërthyen breshëri, një emocion i pafund. Artisti grek mbeti i befasuar! Grupi shqiptar fluturonte nga krenaria! Shumë turistë, që deri në ato momente ishin jashtë kësaj salle duke soditur peizazhet e bukura të gjirit Saronic, pas tingujve të Irinit u futën në sallë. Kureshtja i bëri të pyesnin dhe të mësonin, se këngëtarja ishte shqiptare. Vazhduan edhe disa këngë të tjera greke dhe shqiptare, të pranishmit ndjeheshin të mahnitur! Irini m’u afrua në buzë të podiumit të vogël, ku isha ulur dhe më tha: “Tani do këndoj një këngë bullgare, më mirë se origjinali”.

“Në këtë atmosferë të gëzuar, por që nuk pashë artistë të niveleve të larta, i sugjerova Irinit nëse  mund të këndonte një këngë greke, por ajo më tha se do të këndonte këngën shqiptare: “Unë jam shqiptare”. Pasi mora aprovimin e drejtuesit të orkestrës, njëkohësisht këngëtar i njohur grek, ndodhi mrekullia.”

Grupi bullgar, i mahnitur nga interpretimi, u ngrit në këmbë dhe e shoqëroi me duartrokitje të zjarrta Irinin. Salla u elektrizua dhe këngët vijuan njëra pas tjetrës; ishin këngët më të spikatura të thesarit të saj artistik. “Koncerti recital» vazhdoi rreth një orë, si një dhuratë e bukur për të gjithë të pranishmit. Në sallë gjëmonin duartrokitjet nga turistët e huaj…

Më emocionante, ishte një këngë serbe me temë lirike. Jemi në vitin 2002 jo shumë vite pas konfliktit në Kosovë. Përfaqësuesi i grupit të Serbisë dhe delegacioni që e shoqëronte, ndonëse fillimisht shpërfillës ndaj delegacionit tonë, e uronin dhe e përqafonin Irinin me shumë entuziazëm. Interpretimi i shkëlqyer i Irinit hodhi në sallë një vello paqeje, qetësie dhe gëzimi. Kënaqësia jonë ishte e papërshkrueshme.