– Në shkurt 1944 dështoi plani i Hitlerit për të vënë në punë reaktorin bërthamor, që do të prodhonte bombën atomike dhe do shfaroste botën
– Shkencëtarët gjermanë kishin vënë në dorë Uzinën Elektrokimike të Norsk Hidro në jug të Norvegjisë, po punohej atje, mes malesh, për shtimin e ujit të rëndë
– Ai nuk është vetëm një film, është më shumë, është një apel për t’i dalë përpara e për t’i prerë rrugën ndonjë çmendurie për Lutën e Tretë Botërore.
– Uzina e prodhimit të ujit të rëndë në Norvegji, Hidro, u konstatua nga zbulimi anglez dhe u shkatërrua nga një pjesëmarrje e madhe angloamerikane.
– Luftën e sjellin mendjet e nxehura e paqen e mba dhe e sjell koka e ftohtë.
-Ato lekë që do lufta, hidhi për njerëzit, hidhi për ngrohjen globale, hidhini kundër ndotjeve, hidhini kundër sëmundjeve!
Ilirian Ballaj
Paqja nuk duhet të vijë vetëm nga një pasluftë e madhe, pas vdekjeve e shkatërrimeve katastrofike, pas ikjeve biblike, por edhe me një vazhdimpaqe, me arsye, me logjikë. Luftën e sjellin mendjet e nxehura e paqen e mban koka e ftohtë.T’i shërbesh luftës sjell vdekjen e ngelesh në shpellën e ujkut a xhunglën e tigrit a luanit, t’i shërbesh paqes jeton të tashme e të ardhme. Ato lekë që do lufta, hidhi për njerëzit, hidhi për ngrohjen globale, hidhi kundër ndotjeve, hidhi kundër sëmundjeve!
Në shkurt 1944 dështoi plani i Hitlerit për të vënë në punë reaktorin bërthamor, që do të prodhonte bombën atomike. Mirë do të kishte qenë të ishte mbyllur ai kapitull njëherë e mirë, që atëbot. Uzina e prodhimit të ujit të rëndë në Norvegji, …Hidro, u konstatua nga zbulimi anglez dhe u shkatërrua nga një pjesëmarrje më e madhe angloamerikane duke vënë në punë M16, në një kohë shumë të shkurtër, te gati dy vite, sipas një inteligjencie, një plani gjenial, një sakrifice mbinjerëzore. Ai nuk është vetëm një film, është më shumë, është një apel për t’i dalë përpara e për t’i prerë rrugën ndonjë çmendurie për Lutën e tretë Botërore. Ai film është, sa skena e mizanskena, protagonistë e figurantë, po aq edhe realitete faktike mjedisore të mrekullueshme, e në të njëjtën kohë po aq kulmi i mundësive njerëzore për të vepruar në kushte ekstreme, për të sakrifikuar dhe për të fituar. Kush e ka parë atë film, atë realitet të frikshëm, ka kuptuar se ishte momenti i ekzistencës a mosekzistencës, i jetës a vdekjes e në të njëjtën kohë është një mësim i madh për sot, kur situatat janë në kulmin e acarimit e në prag të shpërthimeve të mëdha, i rrezikut të humbjeve të mëdha. Duke e parë atë film e kupton se nuk ka patur nevojë për polisterole e kompresorë ere që të imitojnë erërat e borën, as për manekinë e ngjyrosje bojrash. Ajo uzinë është sot diku apo gjithandej, inteligjencat botërore sot janë, por mbi të gjitha është edhe arsyeja e mbiarsyeja për të vepruar. Ai film nuk ka patur kurrsesi nevojë për këto, që në gjuhën e zanatit të filmit, quhen truke, sepse e sheh realitetin në sy. Në se është përdorur një tunel tjetër për hyrje në uzinë, planerë të tjerë, një lokomotivë a vagon tjetër gjatë xhirimeve, ato janë edhe sot… Mund të lozet përsëri në atë uzinë, me po ato male të larta përreth, me po atë luginë 300 metra të thellë, me po atë përrua gjysmë të akullt, me ato male të zhveshur, me atë borë, ski, skiatorë, planerë, erëra e acarë. Aty veprojnë njohës të borës, aty marshojnë vendas të vërtetë, aty zbresin parashutistë, marshojnë skiatorë klasi. Aty janë vetë mrekullitë nordike të malit, akullit dhe borës, të terrenit të zhveshur dhe relievit të thyer me përrenj, që e zbukurojnë aq shumë atë film e të bëjnë që, duke e parë, të ndjesh ftohtë e ankth, frikë, të jesh atje, brenda tij e në lojë, por edhe siguri, që paska njerëz, që punojnë kundër së keqes.
Ai film ka një tematikë të madhe, bëhet fjalë për rrëmbimin e armës bërthamore nga duart e bishës naziste së pari dhe së dyti, sepse ka një realizim mjeshtëror, një dinamikë intensive veprimesh, ku bota e gjallë dhe skena janë një, mëse të gjalla, aty shpalosen dy arte, ai skenik estetik, filmik dhe arti ushtarak i vërtetë i luftës. Ata artistë janë vërtetë forca komando kur i sheh si veprojnë, në luftë të vërtetë. Në atë film konsulentët e disa fushave kanë qenë gjenialë, por veçmas ata ushtarakë kanë qenë të mëdhenj, ku çdo detaj është, veçse, tepër i vërtetë. Duke qenë pak ushtarak; nga ata që kontaktet me akullin i kanë pasur ca si shumë, ndeshur me malin dhe borën, (ishte detyra); zbritur dulfer (teknikë zbritje me litar), marshuar në borë, fjetur në borë,maskuar në borë, larë me të, kam bërë qitje në borë ku krismat ngjajnë me një dege peme në thyerje, rrëshqitur me ski, ndenjur pa ngrënë, fjetur në guvë, kasolle, zgrabull peme, ngjitur me kthetra çeliku; të gjitha këto i pashë te filmi dhe u kënaqa, ai nuk është vetëm një film; është një komando e madhe edhe sot. Kam ndjerë duke parë atë film edhe të ftohtin, edhe raskapitjen në shkuarje e ardhje, edhe mosngrënien, edhe kënaqësinë e suksesit, si unë dhe të tjerë, që kanë bërë jetën e borës, madje edhe pa zjarr si mbijetesë e se “na zbulonte armiku”! Dhe duke e parë jam ndjerë i ngazëllyer. Posa filmi doli në treg, punonjësit tanë e morën dhe, në mënyrë “sekrete”, e shfaqën bashkë me porosinë se “këtë që patë lëreni këtu!” , anipse ai shfaqej lirshëm në botë. Kështu na kishte ndodhur edhe me një paradë ushtarake italiane në Koloseo në vitet ’70, të cilën, ne që kishim me shtëpitë rreth ambasadës italiane e te Kodra e Priftit e që na e merrte RAI-n, e kishim parë, na thanë “mos i thoni kujt”. Ishte koha që e huaja ndalohej. Filmi “Beteja e ujit të rëndë” është shfaqur e shpërfaqur më vonë te ne. Mirë filmi, po ndodhia e vërtetë, cila është? Në librin e Historisë së spiunazhit botëror shkruar nga autorët Genovef Etienne dhe Claudo Monikuet shtjellohet ajo ngjarje që ka ndodhur në vitin 1942 në Norvegji, gjen pak edhe te Asët e spiunazhit botëror”, gjen edhe në libra të tjerë, shumë. Në SHBA zë fill projekti me bombën atomike. M16 Britanik zbulon një çudi. Në Gjermani prej disa vitesh punohej në fushën bërthamore, gjermanët ishin shumë pranë realizimit. Shkencëtarët gjermanë kishin vënë në dorë Uzinën Elektrokimike të Norsk Hidro në jug të Norvegjisë, po punohej atje, mes malesh, për shtimin e ujit të rëndë, një komponent i bombës, që përbëhej nga deteriumi dhe oksigjeni. Shkatërrimi i uzinës nga Aleatët u bë detyrë urgjente. M16 i drejtohet profesorit Tronstad, shef i shërbimit sekret të Norvegjisë në mërgim. Ai e njihte mirë vendin dhe uzinën. Ajo ishte ndërtuar në një greminë, rreth vetëm male të pakapërcyeshme. Njeriu që u ngarkua ishte Skinerland, me cilësi operacionale, skiator, qitës, njohës i terrenit, ish dikur banor i zones. Më 28 mars 1942 ai hidhet me parashutë pranë uzinës, me zanatin e agjentit infiltron e zë punë për ndërtimin e një dige për grumbullimin e ujit,, hyn në lidhje me Brun, kryeingjinier i uzinës, organizon një grup dhe merr skemat, projektin e uzinës, bën foto, jep të dhëna. Operacioni “Freshman” filloi 18 tetor 1942, 4 norvegjezë të shkathët ulen natën pranë uzinës, që me radio të drejtonin planerët.Planerët nga moti rrëzohen. Ata që jetuan u ekzekutuan. Londra nuk heq dorë. Përgatitet misioni 2, ia besojnë Uillson-it që stërvit me makete terreni e uzine 6 vetë norvegjezë në Skoci, në një shkollë speciale. Ai ngriti atje një miniterren, një maket uzinë, që vepronin vetëm natën. Përsëri planerë.Ata që shpëtuan dhe nuk u kapën nga misioni i parë jetonin në një stan malor 1400 m lartësi.Më 16 shkurt 1943. Norvegjezët që u stërvitën u ulën me avion në liqenin Skryken, përmes tufanit bëjnë 45 km rrugë deri në një bazë tjetër. Më 27 shkurt ora 20. burra me eksploziv zbresin shkëmbin e thepisur 300 metra poshtë duke kaluar një përrua akulli dhe shkojnë 150 m larg uzinës. Futen brenda nëpërmjet kanaleve të kabllove, te salla e ujit. Roja i vetëm nuk vepron. Në orën 1, pasi janë larguar, po andej nga shkuan, dëgjojnë shpërthimin. Hidhet në erë 1 ton ujë i rëndë.12000 ushtarë gjermanë e bënë vendin qilizëm. Grupi eci 400 km me ski, shpejtësia e lëvizjes me ski është e madhe kur zbret, dhe arritën në kufi të Suedisë. Skinerland mbeti atje e kthehet në kasollen e tij sikur nuk kishte bërë gjë dhe vazhdon mbikqyrjen.
Uzina u riparua.
Në janar 1944, 30 rezervuarë me ujë të rëndë hipën në një anije. Të djelën 20 shkurt 1944 trageti çanë ujërat e liqenit Tinnsjo. Në orën 10 anija shpërthen dhe fundoset me 53 pasagjerë. Përpjekja e Hitlerit për bombën dështoi. Reaktori bërthamor nuk u vu në punë. Kështu ndodh kur do të bësh për jetën.