Ilir Harxhi/ Bekim Fehmiu, legjenda e aktrimit shqiptar mes misterve të pabesueshme

979
Bekim Fehmiu ka lindur në Sarajevë në 1 qershor të vitit 1936. Babai i tij Ibrahim Fehmiu ishte mësues dhe patriot i çështjes kombëtare, njeri i përndjekur nga tri regjime: ai i Zogut në Shqipëri, i mbretërisë jugosllave dhe asaj socialiste. Bekimi është njëri nga katër vëllezërit dhe tri motrat e kësaj familjeje, e cila që në vitin 1951 mbetet pa kreun e familjes. Shkollën fillore dhe të mesme Bekimi e kryen në Prizren, ndërkaq në vitin 1956 regjistrohet në Akademinë e Filmit në Beograd të cilën e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm më 196O. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Bekim Fehmiu, padyshim aktori më i madh shqiptar dhe një nga aktorët më të mëdhenj të kësaj pjese të Evropës, Është aktori i parë shqiptar, i cili para rreth 5O vjetësh “preku” qiellin e Hollivudit. Për Bekim Fehmiun, aktor me energji të madhe, në të njëjtën kohë i suksesshëm si në film ashtu edhe në teatër, Karriera e tij prej aktori profesionist nisi menjëherë pas mbarimit të Akademisë se Teatrit dhe Filmit në Beograd më 196O me sukses të shkëlqyeshëm, kurse profesorët e Bekimit gjithmonë kanë folur për një aktor shumë të talentuar dhe me perspektivë. Krahas punës në Teatrin Jugosllav të Dramës, Bekimi paraqitet edhe në film, fillimisht në role episodike, në mënyrë që në vitin 1966 me rolin kryesor në kult filmin “Mbledhësit e puplave” të Aleksandar Petrovicit (apo siç njihet në botë me titullin “Kam takuar edhe ciganë të lumtur”), të bëhet aktori më i njohur në Jugosllavi. Interpretimi i tij brilant i romit Beli Bora do ta mahnisë edhe publikun e zgjedhur në Festivalin prestigjioz të Kanës në Francë në vitin 1967.
Bekim Fehmiu në këtë festival u bë një yll i vërtetë filmi. Tërë shtypi jugosllav me ditë të tëra shkruante me superlativ për suksesin e filmit e veçanërisht për Bekimin. Në ditën e ndarjes së çmimeve të festivalit, kur Bekimi Fehmiu tashmë ishte kthyer në Beograd dhe të gjithë ishin të bindur se do të fitonte Palmën e artë si aktor, e priste një avion special për ta çuar në Kanë. Por, organizatorët e festivalit kishin rregull që një film nuk mund të merrte dy çmime. Bekimi mbetet pa u shpërblyer. “Mbledhësit e puplave” një viti më vonë hyn në konkurrencën e ngushtë prej pesë filmave për çmimin Oskar në gjuhën e huaj, por triumfon çeku Jizhi Mencel me veprën “Trenat e kontrolluar rreptësishtë”. Edhe një e dhënë për këtë film. Në të gjitha anketat mes kineastëve jugosllavë “Mbledhësit e puplave” shpallet filmi i mirë i të gjitha kohëve në Jugosllavi. Por festivali i Kanës Bekimit do t’i hapë dyert e filmit botëror. Menjëherë nënshkruan një kontratë me producentin e famshëm Dino de Laurentis.
Pason xhirimi i serialit “Odiseja” me regji të Franko Rosit dhe hapen dyert e filmit botëror për Bekimin. Në vitin 1968 shkon në Hollivud për të xhiruar filmin “Aventurierët”, me regji të Luis Bekim Fehmiu në filmin “Aventurierët” 
Xhilbertit. Bekimi luan rolin kryesor, të plejbojit Purfirio Rubiroza, sipas romanit të Harold Robinsit. Krahas tij luajnë edhe shumë yje të njohura të Hollivudit, si Kendis Bergen, Olivia de Hevilend, Ernest Borgnin, Sharl Aznavur, Fernardo Rej, Li Tejlor Jang e disa të tjerë. Por në film luan edhe diva shumë e bukur italiane e operës Ana Mofo. Me këtë film Bekimi bëhet një yll internacional i filmit. Premiera e këtij filmi mbahet në Nju Jork. Por pas pak kohe xhiron një film uestern me regji të Bërt (Burt) Kenedit – 
” “Dezertori” – në të cilin luajnë edhe disa legjenda të Holivudit, si Xhon Hjuston, Vudi Stroud, Riçard Krena, Çak Konors. Bekimi luan rolin kryesor të një oficeri të ushtrisë amerikane i cili pas vrasjes së gruas arratiset për t’u hakmarrë… Kthehet në Beograd ku xhiron disa filma në Jugosllavi dhe Itali. Me këtë rast duhet veçuar “Kurthi për gjeneralin”, “Deps” (Kroaci”, “Koshava”, ndërkaq në Itali xhiron filmat “Libera, amore mio” (1973) Bekim Fehmiu në filmin “Libera amore mio” 
me regji të Mauro Boloninit, ku luan edhe diva italiane Klaudia Kardinale, pastaj “Ultima neve di primavera”, bashkë me Agostina Belin, “Kalostro”, “Sallon Kiti”. Në vitin 1975 Bekimi paraqitet në filmin “Leja për vrasje” bashkë me divën e njohur të Hollivudit Ava Gardner, të cilën e quante një “zonjë e rëndë” të filmit, dhe aktorin e famshëm anglez Dirk Bogard. Gjatë viteve ‘7O ai xhiroi edhe disa filma. Me këtë rast duhet veçuar filmin amerikan “E diela e zezë” (Black Sunday) me regji të Xhon Frankenhajmer, ku Bekimi interpreton rolin e një palestinezi të vetëdijesuar, i cili refuzon të marrë pjesë në ngritjen në erë të një stadiumi sportiv në SHBA. Në vitin 1977 Bekimi do të xhirojë pa honorar filmin “Edukata speciale” 
ku regjisor është një debutant, Goran Markovic, i cili i takon shkollës së famshme filmike të Pragës. Është interesant të theksohet se ky film në festivalin e filmit jugosllav në Pula, pritet shumë mirë nga kritika, por kritikohet interpretimi i Bekim Fehmiut se gjoja është shumë “hollivudian”. Gjatë viteve ‘8O Bekimi do të xhirojë edhe disa filma dhe drama televizive në Jugosllavi e Itali, si “La voce”, “Tregimi i fundit”, “Disperetamente Giulia” “Të kuqtë e të zinjtë” “Ili cuore e la spada”, “Bambino di nome Jesus” etj. Gjatë karrierës së tij internacionale filmike ka interpretuar mbi 50 role në filma e serial e TV. 

Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor 2010. Sipas deklarimeve ka kryer vetëvrasje. Ai ishte 74 vjeçar. Elementi kombëtar në të gjithë krijimtarinë e Bekim Fehmiut
Elementi kombëtar e tradicional i këtij aktori me përmasa të tilla botërore në kinematografi, është shumë evident. Ky është një rast unikal për aktrimin shqipfolës. Në të gjithë krijimtarinë e tij ndihet integriteti shqiptar. Ai luajti në kinemanë italiane dhe solli një frymë të re interpretimi, sepse vetë kjo kinema është shumë e konsoliduar në stil, ka melodinë e saj dhe është me shumë peshë në mbarë botën, si dhe ka karaktere tipike mesdhetare të Italisë.

Bekim Fehmiu luan në filmat italianë por ndihet që nuk është italian, pra ai bën shumë karaktere të veçanta. Në filmat e tij, ne e shohim të folurën tipike të shqiptarit, pavarësisht se në çfarë gjuhe ai interpreton, pra është i prerë, i saktë, i ashpër, ndihet që është i pathyeshëm. Kujtojmë karakteret e tij Odiseja, Portefinio, Belibora etj. P.sh., te filmi “Libera amore mio”, ku interpreton bashkë me aktoren Klaudia Kardinale, ai ndihet që është ndryshe nga çdo partizan tjetër të luajtur në kinemanë italiane dhe kjo, falë dhuntisë që i ka falur natyra, dhe siç thotë edhe vetë në një intervistë të bërë vite më parë (pak aktorë janë yje, sepse yje ka pafundësisht në qiell).

Këtë element kombëtar që ai e futi në të gjithë krijimtarinë e vet (rolet e tij), ku shohim Unin, forcën, papërkulshmërinë, të gjitha këto janë tipare të një kombi, të cilat ai me mjeshtërinë e tij ka ditur t’i transmetoj në karakteret e ndryshme që ka luajtur në filmat e mbarë botës. Ai është pranë nocionit të interpretimit nacional (jo në sensin negativ të termit) dhe kjo e bën atë një aktor shumë të veçantë dhe të madh. Ai ndihet në të gjithë krijimtarinë e vet që nuk i përket atij vendi ku luan, Itali, Serbi, Amerikë etj., sepse ka marrë tipare të veçanta të popullit të tij. 

Kjo e ka bërë atë që ta lakmojnë dhe ta angazhojnë në shumë produksione botërore. Tiparet dhe skenat ku ai e ka treguar këtë janë të shumta në filmat e realizuar, si: Koloneli, Uliksi, Bora etj. Marrim filmin Dezertori, film vestern, është më i veçanti që ka prodhuar “Paramount Pictures”. Kujtojmë skenën ku gjen gruan të vrarë nga apashët, ose kur plagos oficerin e ushtrisë. Kudo ndihet elementi i kombit të vet i mishëruar te karakteri i vizatuar aq bukur nga ai. Të gjitha mësimet që mori nga i ati, të gjitha eksperiencat që i ka treguar aq bukur në librin e tij unik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” e kanë bërë që të jetë shqiptar në çdo rol që ka luajtur. Kujtojmë p.sh. pushkatimin e tij tek filmi Libera amore mio. Është skenë unike dhe si i thonë ndryshe, gjithë ai qëndrim stoik mund të përkthehet me fjalë të thjeshta, nuk “ia bënte syri tërr” nga pushkatimi, pra përmenda shembuj në lidhje me atë që quhet nocioni nacionalizëm në interpretim. Në memorien e vet emocionale ai thërret traditat më të mira shqiptare, prandaj është aq i veçantë në interpretimin e karaktereve të ndryshme, e thënë ndryshe, ai sjell nga brendësia e tij mitet e veta, që janë puro shqiptare. Kujtojmë këtu shtegtimin e tij ballkanik lindur në Sarajevë, fëmininë në Shkodër, rininë në Prizren, formimin artistik në Beograd. Kudo ku interpretoi anembanë botës ai nuk u shkëput nga gjeneza e tij dhe ishte ajo që e ndihmoi të ishte special (i veçantë). Ai ka qenë një njeri me shumë kulturë dhe bagazh, sigurisht që dhe familja (sidomos i ati, ka meritë për këtë). Ai ka elementin e verifikimit që ndihet në të gjithë krijimtarinë e tij, percepto, analizo, reago. Pra, ai ia merr vështrimin personazhit, e analizon (pra e thënë ndryshe të blen që në sy se ku do të dalësh), pra ai zbërthente dhe jetonte me personazhin që interpretonte.
Sigal