Bashkim Koçi/ Pelegrinët në teqenë e famshme të Prishtës

703
Nuk di të ketë forcë tjetër, përveç se ajo e besimit, që të mundësojë si me magji thirrjen e njerëzve, të bëjë që ata të marrin rrugë të gjatë nga janë e ku s’janë, për të festuar e lutur së bashku. Kjo ndodhi këto ditë, më 30 Maj 2015, në një nga objektet e kultit të fesë Bektashiane, siç është teqeja e famshme e Prishtës në Skrapar. Është viti i dytë që besimtarë të asaj zone, Dëshnicë e Skrapar, vijnë në Shtëpinë e Zotit, në themelet e teqesë së Baba Tahirit, rindërtruar rishtaz nga Kryegjyshata, pas prishjes fatale të vitit 1967. Në këtë ditë të shënuar për besimtarët, ashtu si edhe një vit më parë, kishin ardhur përfaqësues të organeve të pushtetit, kryetari i komunës së Çepanit, Besnik Osmani, nënprefekti i Qarkut të Beratit, Fatos Hasanaj dhe administratorë të pushtetit vendor.
160 vjet teqe
Simbolika që e veçon Prishtën nga fshatrat e tjerë të Skraparit, Tomoricës, Dëshnicës e Beratit është teqeja, një nga objektet e kultit bektashian më me emër në mbarë vendin. Prishta dhe Teqeja kanë bashkëjetuar si në simbiozë me njëra-tjetrën dhe si në një çift të dashuruarish, kanë ecur krah për krah, duke u njehsur si në një të vetme. Kur na pyesin miq e të njohur për prejardhjen tonë dhe ne u përgjigjemi “nga Prishta”, bashkëbiseduesi ta merr fjalën nga goja, duke e kompletuar, duke e bërë atë më të plotë me grupfjalëshin “nga teqeja Prishtës”. Dhe ky nam i mirë, i cili është mbjellë anekënd vendit dhe tej kufinjve tanë shtetërorë, është bërë me “krahë fluturues”, si një fat i bardhë për ne. Përpara se të ngrihej teqeja, gjyshërit tanë ishin myslimanë helveti dhe drejtoheshin nga shehlerët. Teqeja e famshme, e cila mori emër të madh në mbarë trevat bektashiane, u themelua nga një shenjtor prishtalli, baba Tahiri. Edhe tani, pas më shumë se një shekulli e gjysmë, baba Tahiri mbetet njeri i shenjtë, nga më të shquarit për nga kontributi dhe emri që la ndër besimtarë bektashinj. Besimtarët, kur dëshmojmë për të vërtetën, betohemi “Për baba Tahirin”. Sipas informacioneve që vijnë deri në ditët e sotme, baba Tahiri duhet të ketë lindur rreth vitit 1810. Eshtë larguar nga Prishta në moshën 16-vjeçare për studime teologjike në Turqi. Sipas të dhënave historike (Hasluck F. W. ) baba Tahiri, përpara se të vinte në Prishtë për të prurë besimin bektashian, ka qenë dervish në një teqe të Kretës. Kur u kthye në fshat, në moshën rreth 30 vjeç, ishte i veshur me rroba të sektit bektashi. Kishte marë me vete dhe një dervish. Tregojnë, gjithashtu, se baba Tahiri, pasi mblodhi fshatin, u tha bashkëfshatarëve se kish marrë përsipër të ndërtonte një teqe, sekti bektashi, të panjohur deri atëherë. Të gjitha të ardhurat që kishte siguruar në mërgim i vuri në dispozicion të ngritjes së shtëpisë së Zotit. Pruri një “zhake me flori”, thonë prishtallinjtë e moçëm. Këtë të vërtetë, e cila ka mbijetuar falë kujdesit të njerëzve për të mos lënë në harresë ngjarjet e mëdha, e kemi të përcjellë nga brezi në brez, deri në ditët e sotme. Baba Tahiri i Prishtës e themeloi teqenë e famshme nën influencën e baba Abdullait të teqesë së Melçanit (pranë Korçës), i cili vdiq në vitin 1852. Baba Rexhepi, në librin e tij për bektashizmin, shkruan se teqeja e Prishtës fillimisht u ngrit si filial i teqesë së Frashërit. Ka qenë viti 1855. Por historianë të ndryshëm japin vite të ndryshëm për ngritjen e teqesë. J. Swire, thotë se teqeja e Prishtës eshtë themeluar rreth vitit 1870, ndërsa studiuesi tjetër Hasluck, sipas gjurmimeve të tij, thotë se është ndërtuar dhjetë vjet më përpara, pas vdekjes të Baba Abdullait. Pra, i bie të jëtë ngritur rreth vitit 1862. Por, sipas mendimit tonë, viti i saktë duhet të jetë 1855, mbasi baba Ali Prishta (Baba Ali Tomorri) në një kronikë të shkruar në vitin 1915, në kohën kur erdhën pushtuesit grekë, thotë që mosha e teqesë ishte 60-vjeçare. Logjika të çon që teqeja e Prishtës të jetë ngritur në vitin 1855. Pra, plot 160 vjet më parë.
Të zotët e shtëpisë
Teqeja, mjediset përqark saj, të duken plotë jetë, ashtu si në një ditë maji. Aty sot për sot nuk ka dervishë, por Zalo Qato, Sekretar i Bektashinjëve për Qarkun e Beratit, ka marrë masat që peligrinët, e ardhur nga e gjithë Shqipëria, të ndjehen si miq të nderuar, duke u vënë në dispozicion të gjitha mjediset për të kryer ritet e fesë bektashiane. Ai i pret besimtarët brënda ndërtesës së teqesë, shtruar me velënxa e qilimë me ngjyra të ndezura, shumë të bukur dhe domethënës për bektashinjtë. Dy vajza të veshura bukur, si për këtë ditë të shënuar, u ofrojnë besimtarëve gota të mbushura me raki, karamele dhe urimin për mirëseardhjen. Muret e brendshëm të ndërtesës, përpos hijes së rëndë të vendit ku besimi tek zoti është në shtëpinë e vet, merr edhe informacion të plotë për historinë e fesë bektashiane të teqesë së Prishtës dhe më gjerë. Fotografitë e baballarëve dhe të dervishve që kanë shërbyer aty për dhjetra vjet, i gjen të vendosura mjeshtërisht ku, midis shumë personaliteteve bektashinj, bie në sy ajo e Baba Ali Tomorrit, Baba Kambr Prishtës, Dede Abazit dhe e shumë të tjerëve, të cilët lanë histori të pashoqe për kohën kur shërbyen në këtë teqe famëmadhe. Aty janë shpalosur hollësisht dokumente të këtyre 160 viteve, por në mënyrë të veçantë bje në sy ato të Kongresit të Parë Bektashian, i cili u mblodh në teqenë e Prishtës në janar të vitit 1921. Nuri Çuni, sekretar në Kryegjyshatë, ka punuar me merakun e saktësinë e hitorianit për të vendosur e ekspozuar materialet e duhura, për të mundësur atë që besimtarët e moshave të reja të dinë gjithçka të domosdoshme rreth bektashizmit.
Një ditë pranvere si ditë e Perwndisë
Vij pas 55 vjetësh, thotë Namzade Mullaji ardhur nga Tirana, por që ka lindur në Prishtë në një familje myhybësh. Ajo ka ardhur me djalin, vajzën dhe nipin vetëm 10 vjeç, Gerin. Kishin ardhur një ditë më parë në Çorovodë dhe ditën tjetër, më 30 Maj, u gjend aty, mes besimtarëve të tjerë, të cilët, ashtu si ajo, ndjeheshin disi të befasuar përpara një ngrehine krejt të re, të përuruar një vit më parë nga Dede Haxhi Edmond Brahimaj. Një ditë pranvere, veçanrisht ajo e fundmja e muajit maj, në një fshat si Prishta e Skraparit, është “ditë Perëndie”. Ajo merr më shumë ngrohtësi e dritë kur gjendesh midis njerëzve besimtarë, kur rrethohesh edhe nga një mjedis ku dora e njeriut ka transformuar gjithçka. Sigurisht, kjo është realiuzuar falë investimeve të bëra nga Kryegjyshata, por edhe e kujdesit dhe merakut për t’i bërë gjërat saktë, me përpikmërinë që kërkon një teqe me tradita gati të paarritëshme, siç është teqeja e Prishtës. Iljaz Laska, i cili shërben pranë teqesë, na tregoi për punët e kryera në këto dy vjet, për qindra pemë frutore të mbjella, për më shumë se një hektar vreshta, dhjetra metro kub mure të gurtë të ngritur përreth ngrehinës karakteristike të teqesë. Gjëja më e bukur në jetë është puna e përzier me dashuri. Duke gjykuar rreth asaj që kam parë këto ditë në mjediset e këtij objekti të kultit bektashi, besoj se aty punohet shumë, në masën “çudibërëse” të cilën mund ta sjellë dashuria tek besimi në Zot. Vijnë dhe ikin për të ardhur prapë Kam lexuar një thënie nga një autor anonim. “Zoti, thotë ai, nuk ka telefon, por unë flas me të. Ai nuk ka Facebook, por megjithatë e kam shok. Ai nuk ka Twitter, por unë megjithatë e ndjek”. Në festën e teqesë së Prishtës pashë të dominonin moshat e reja, ata të facebook-ut.
Nën hijen e malit të Tomorricës
Safet Lushka, një i moshur tek 80-tat, ndjehet “i vetmuar”, nuk ka asnjë besimtar të vërsës së tij. Përpiqet të gjejë veten tek Dajlan Hajdari, Ferit Lushka, Petrit Bekteshi, Muharrem Laska, Xhafer Koçi etj, të cilët, për vitet që mbajnë mbi supe, duken të devotshëm si besimtarë. E megjithatë ai i gëzohet këtij fakti kaq domethënës. Sepse të rinjtë, vajza dhe djem, ata që erdhën deri aty, nën hijen e malit të Taroninës, ndjejnë diçka hyjnore, atë që i bën me krahë për të besuar ashtu si të parët e tyre, gjyshrit dhe stërgjyshërit. Janë disa dhjetra persona të moshës rinore, të cilët dinë si të ishin bektashinj të moçëm në kryerjen me përpikmëri të riteve fetare. Madje, falë këtij fakti, ndonjë i moshur u ndje ngushtë, “i paditur”, rreth radhës e përpikmërisë të kryerjes të riteve. Përpara se besimtari të shkojë në teqe, pra aty ku ndodhet objekti i kultit, duhet të shkojë e të falet tek shënjtorët. Në rastin konkret, tek baballarët, të cilët prehen në tyrbe. Ilir Xhanari, ardhur enkas nga qyteti i Kuçovës me nënën, Zenekon, vëllanë, kunatin, nipër e mbesa, na dha mësim për të qënë praktikantë të zellshëm, por edhe korrekt, ashtu si e meriton një bektashi i vërtetë. Besimi në zot është trashëgimia më e bukur e brezave, është A-ja e gjërave për mbarësi, për kulturë e dinjitet. Pra të jesh besimtar nuk është të ndjehesh i tillë vetëm një ditë. Nuk është as bërja kurban, i cili mund të të sjellë plotësimin e dëshirave, të kërkuara kur ndezim një qiri, a lutemi përpara shënjtorit me solemnitet. Besimtarët bektashinj, të cilët shkuan si peligrinë në teqenë e Prishtës, pas ndjenjës së mirë që i shoqëroi orë e çast të asaj ditë të uruar e me plot diell, morën me vete bekimin dhe urimin për t’u kthyer aty përsëri e përsëri, sa të jëtë jeta. Ndërkohë, ashtu si edhe e thotë mendimtari anonim, ata do të flasin, do ta kenë shok, do ta ndjekin pas edhe pse Ai nuk ka as Telefon, as Facebook e as Twitter.
Sigal