Helena Halilaj:Gazetaria e shkruar është më e vështirë dhe më e përgjegjshme

777
Sigal

INTERVISTA/Flet poetja, shkrimtarja dhe moderatorja e emisioneve të kulturës, Helena Halilaj: S’më shqetësojnë ngacmimet e meshkujve në rrugë

Ka drejtuar emisone kulture në televizion, radio, por jo pak ka shkruar në shumë gazeta ditore. Por më shumë se të gjitha ajo preferon librin, ndaj thuajse për çdo vit, sjell një prurje të re si në poezi, po ashtu dhe në prozë. Dhe pse ende e  re ajo ka në arkivin e saj 7 libra poetikë dhe me tregime, të cilët tregojnë se ajo nuk ndalet kurrë kur flitet për krijimtarinë letrare.

 Ju kohët e fundit botuat dy libra me poezi, pse kohët e fundit, je kaq e dhënë pas poezisë?

Të them të drejtën, unë poezinë e kam shumë për zemër, më pëlqen jo vetëm kur e shkruaj, por edhe kur e krijoj. Mendoj që nëpërmjet poezisë mund të thuash shumë, të kesh sa të duash, si mendim, si ndjenjë apo si revoltë, mendoj që poezia të jep liri më shumë, se shumë arte tjera. Poezinë e kam gjuhën e shpirtit dhe si e tillë i qëndroj besnike deri në dhimbje. Unë besoj te fjala që vjen bukur nëpër vargje e vetë poezia është një ndërtim tërësisht funksional që u jep frymë dhe të pashpirtëve. Poezia për mua është dashuria më e madhe në jetë dhe dua t’i mbetem partneri i përjetshëm i saj…

-Sot ka shumë libra, shumë poetë, si do ta cilësonit ju këtë prodhimtari të shumtë dhe rritjen e numrit të poetëve?

Në art dhe kudo në sferat e jetës ka nivele, shkallë dhe vlera, po ashtu ka dhe artificialitete. Mua personalisht më duket një dukuri pak e shfrenuar e kësaj mbiprurje librash, por nga ana tjetër më pëlqen fakti që gjithkush sot mund të botojë, se tek e fundit është liria e mendimit dhe shprehjes që mendohet se ekziston. Ka shumë libra dhe poetë, që them me shumë bindje, që gjithsecili do e marrë vendin e tij në këndin e fjalës dhe të vazhdimësisë. Duhet të këtë liri dhe jo të ketë censurë, por ama kjo liri duhet të jetë dhe kur ndahen çmime, apo jepen vlerësime. Sot ka çmime dhe vlera që po ngrenë artistë fallco, qoftë dhe letrarë të cilët janë çalamanë të kësaj epoke letrare, kjo është fatkeqësi për brezat e ardhshëm!

-Ku e ndjen veten më mirë Helena, në poezi, apo në prozë? Unë ndjehem mirë dhe në poezi dhe në prozë, përderisa kanë fjalën si emërues të përbashkët dhe më pas luhet në tokën letrare, me mendime, ngjarje, prurje gjuhësore, etj. Prozën e kam të domosdoshme në jetën time, ndërsa poezinë e kam si frymën time pa të cilën nuk besoj se jeta ime do ishte kjo që është. Poezia është forma e një kohe me shumë kohë ,që jep po prapë një kohë…

-A ndihen sot të vlerësuar poetët dhe shkrimtarët?

Jo, madje aspak dhe kjo vjen si rezultat i mungesës së traditës letrare dhe mungesës së dhënies së vlerës prioritet. Në Shqipëri ka më shumë vlerë një këngëtare e ndërtuar teknologjikisht apo një aktor formal, sesa një krijues letrar, piktor apo një kompozitor.

-Si do ta komentonit ju marrjen e godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve nga shteti?

Turpi i shtetit tonë jofunksional, në drejtimin kulturor dhe jo vetëm aq!

 -Ju keni qenë drejtuese emisionesh në televizion, por edhe në radio, cila është më e magjishme, radio apo televizioni? Cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre? Po gazetarinë e shkruar si do ta përkufizonit?

Po, i kam provuar të gjitha magjitë e medias, unë e dua TV më shumë dhe pse radio ka më shumë shpirt. Radio ka vlerën në to të gazetarit, ndërsa TV ka vlerën bruto, sepse imazhi të jep më shumë mundësi që të rikuperosh nganjëherë dhe mos-aftësinë, ndërsa radio është aspak tolerante dhe pse kohët e fundit kush s‘po bën radio dhe shumëkush e quan veten gazetar. Radio dhe TV kanë një lidhje të përbashkët se kanë pushtetin e dhënies së fjalës, informacionit, historisë, etj. Gazetarët e medias së shkruar janë më të përgatiturit dhe askush nuk mund të bëhet gazetar i mirë pa qenë pjesë e medias së shkruar.

-Cilët janë shkrimtarët e preferuar për ju?

 Kam shumë shkrimtarë të preferuar, por do të thoja: Pushkin, Bodler, Neruda, Kamy, Bërns, etj. Në Letërsinë Shqipe do përmendja Migjenin të cilin e adhuroj, po ashtu Kadarenë, Agollin, Shkrelin, Konicën, Nolin, Fishtën, dhe shumë të tjerë të cilët i kam lexuar dhe vazhdoj t’i lexoj si për herë të parë.

 -Veshja dhe ngjyra e flokëve tuaj është pak ekstravagante, si ndiheni nga ngacmimet e çunave në rrugë?

Hahahaha, të them të drejtën shpesh më nervozojnë, por nuk u jap shumë rëndësi ngacmimeve në rrugë, sepse janë thjeshtë kalimtare, por u jap prioritet komplimenteve në kafe të atyre që e njohin natyrën time dhe ia kanë idenë stilit të të veshurit.

 -Cila është veshja juaj e preferuar në verë, të pëlqejnë minifundet?

Unë në të gjitha stinët nuk kam një veshje të preferuar, vishem sipas gjendjes shpirtërore, madje dikush më tha një ditë: Ti këtë trishtimin e bukur, pse e ke shoqëruar më të zezë apo që ta përforcosh? Përgjithësisht ruaj normat e veshjes duke respektuar statusin tim dhe në fakt unë jam më shumë tek klasikja dhe në raste të veçanta te modernia, duke eliminuar minifundet gjithmonë, hahahaha…

-Si do ti komentonit zgjedhjet e fundit?

Janë përmirësuar, sepse ishte humbja e thellë dhe Saliu s’mund të gjente më asnjë mashtrim të sofistikuar të tij, mundësi kundërshtimi dhe pse po përpëlitet si zorra në prush. Besoj se Shqipëria ka nevojë për gjëra të mëdha e jo të merremi akoma sesi u bënë zgjedhjet! Zgjedhjet e reja janë një mësim i madh për politikën shqiptare.

Ditët e fundit ka pasur shumë dhunë ndaj grave, komenti juaj?

Një dhunë e pashembullt. Një dhunë përbindëshe. Kjo si rrjedhojë e një sistemi qeverisës nga më absurdët. Kjo tregon se shoqëria shqiptare është një shoqëri tepër maskiliste, por nga ana tjetër tregon se varfëria, emancipimi, rendi janë në kufijtë më ekstrem. Një shoqëri e kalbur me drejtues apatikë.