Grupi Polifonik “Kaonët e Delvinës”/ Ajet Duka, udhëheqës artistik: Kënga labe është ushqimi shpirtëror i ccdo labi, arkiva e historisë së Kombit shqiptar

1111
Sigal

Ajet Duka, udhëheqës  artistik  i  Grupit Polifonik  Lab “Kaonët e Delvinës”: Këngës Labe i dihet vlera në Labëri dhe bukuria e saj në të gjithë globin

 Grupi polifonik “Kaonët e Delvinës” e ka pikënisjen e saj që nga fëmijëria jon,. në festivalet folklorike të shkollave 8 -vjeçare të fshatit Bajkaj

 Kënga labe është ushqimi shpirtëror i çdo labi, arkiva e historisë së këtij kombi

Jakup Barjam Gjoça

 Sa herë më ka marrë malli për vendlindjen, për prindërit, për njerëzit e afërm, kur jam në emigrim, dëgjoj këngën Labe. Dhe në melodinë e saj, në vargjet e saj, prek të gjithë në mallin tim. Kjo është magjia e Këngës Labe. Dhe sa herë ndihesha krenar, që një nga grupet më të dëgjuara të Këngës Polifonike Labe është Grupi Polifonik “Kaonët e Delvinës”. Ndoshta, sepse ky grup lindi në fshatin tim të lindjes dhe u bë bashkëmoshatari im dhe “artistët” e këtij Grupi Polifonik të Këngës Labe, ishin bashkëmoshatarët e mi. Pas 40 vitesh, Presidenti i Republikës Ilir Meta, e vlerësoi Grupin Polifonik “Kaonët e Delvinës” me Titullin “Mjeshtër i Madh”. Ajet Duka, udhëheqësi artistik i “Kaonët e Delvinës” në intervistën për gazetën “Telegraf” falenderon Presidentin e Republikës për Nderin që i bëri “Kaonët e Delvinës” me Titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe e vlerëson Këngën Labe, si ushqimi shpirtëror i çdo labi dhe arkivave e historisë së Kombit Shqiptar.

Kënga Labe duket e vështirë në pamje të parë, duket e sertë në të kënduar, por është kaq e bukur, kaq e ëmbël, kaq herë herë edhe e butë, sa të bën ta dashurosh pa fund dhe t’i qëndrosh besnik deri sa të ketë njeriu frymë

– Zoti Duka, çfarë domethënie ka për ju, pjesëtarët e Grupit Polifonik “Kaonët e Delvinës”, vlerësimi që ju bëri Presidenti i Republikës me Titullin “Mjeshtër i Madh”?

-Ky vlerësim i marrë nga Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, është një shtysë e fortë për grupin tonë, për të vazhduar dhe për ta përcjellë këngën e bukur labe tek brezi i ri. Kënga labe është ushqimi shpirtëror i çdo labi, ka një vlerë të paçmuar, me shumë krenari do të thoja që kjo është pashaporta shqiptare. Çdo gjë mund ta ndryshojë, çdo gjë mund ta tjetërsojë, këngën tonë as e ndryshon dot njeri, as nuk e përvetëson dot askush, prandaj e them që është pashaporta jonë. Kënga labe është arkiva e historisë së këtij kombi. Kjo perlë e bukur ka lindur në këtë vend të bekuar që quhet Labëri. Falenderojmë Presidentin e Republikës Ilir Meta, që vlersoi grupin “Kaonët e Delvinës”.

– Si lindi Grupi Polifonik “Kaonët e Delvinës” dhe cilët janë pjesëmarrësit dhe kontributorët tuaj?

– Grupi polifonik “Kaonët e Delvinës” e ka pikënisjen e saj që nga fëmijëria jonë. Në festivalet folklorike të shkollave 8 -vjeçare të fshatit Bajkaj dhe ne ishim në klasën e pestë, ku spikati vlera të veçanta në festivalin që u organizua në Qendrën Kulturore “Nazif Hadëri” të Delvinës dhe u vlerësuam me çmim të parë. Që nga ajo ditë e deri sot, grupi ynë nuk është shkëputur prej këngës. Kontributorët e parë kanë qenë Neim Seferi, Eduart Faslliu, Krenar Duka. Në vazhdim Nuri Hamza pa tjetër që edhe unë si solist kryesor. Nga vitet 1990 me ndryshimin e sistemit ky grup, si çdo grup tjetër pati një shkëputje prej tre vitesh. Ne vitin 1993 filloi riformimin e tij me pjesëtarë edhe të rinj dhe shumë të talentuar, si Viktor Ligaçi kthyes, Nuri Hamzai një hedhës dhe marrës i mrekullueshëm, iso Riza Pula, Frederik Meta, Krenar Duka, Veledin Korkuti, Arjan Qendro, Fatmir Muzhai, Artan Muzhai. Për 5 vite me rradhë udhëheqës artistik ka qen Luan Sejdini, i cili është edhe ideatori, ose më mirë ta themi pagëzuesi i emrit që mban grupi edhe sot “Kaont”. Shpreh mirënjohje dhe respekte për këdo nga këta miq, që kanë kontribuar dhe kanë sakrifikuar për këngën tonë të bukur.

– Çfarë përmban repertori juaj?

– Repertori ynë ka larmi tematikash: Lirike,Elegjike,patriotike,baritore, epiko –lirike, etj.

– Ju, mbeteni sot nga të paktët që ende ekzistoni, kur shumë grupe polifonike të dëgjuara dhe me traditë, nuk janë më, kur tendenca sotme e çdo gjinie të kulturës është drejt globalizmit. Grupi Polifonik “Kaonët e Delvinës” duke u mbështetur fort në kulturën, traditën e këngës labe, jo vetëm e përçon ndër breza, por edhe e pasuroni Grupin Polifonik “Kaonët e Delvinës”. Çfarë ju mban kaq aktiv?

– Po, është e vërtet pyetja që po drejtoni. Me keqardhje të madhe e them se shumë grupe janë shpërndarë, ndoshta dhe nga shumë arsye të ndryshme dhe një nga arsyet më të forta është vlerësimi dhe mbështetja financiare që nuk i bëjnë këngës labe. Kjo këngë dhe këto grupe deri sot po e mbajnë këngën popullore, për ta thënë fare labçe, heqim nga buka e familjes në të shumtat e rasteve. Por edhe optimist jam, se shoh që po ngrihen grupe të rinjsh dhe kjo është për t’i vlerësuar këta të rinj, nga Vlora, nga Tepelena, Mallakastra, Gjirokastra, Delvina e Saranda. Kënga Labe ka lindur për neve dhe ne kemi lindur për këngën Labe. Për ta thënë edhe pak më shpirtërore edhe për ata që nuk e njohin në thellësi, kjo këngë duket e vështirë në pamje të parë, duket e sertë në të kënduar, por është kaq e bukur, kaq e ëmbël, kaq herë herë edhe e butë, sa të bën ta dashurosh pa fund dhe t’i qëndrosh besnik deri sa të ketë njeriu frymë. Kënga Labe s’të lë kurrë vetëm, të shoqëron dhe të mban gjallë, edhe kur njeriu vete në parajsë. Ky është edhe shkaku sipas mendimit tim, pse jemi dhe do të mbetemi aktivë për këtë këngë të bukur. Thuhet një shprehje e bukur: Floririt i dihet vlera aty ku e nxjerrin. Këngës Labe i dihet vlera në Labëri dhe bukuria e saj në të gjithë globin.

– Cilat karakteristika e stigmatojnë sot Grupin Polifonik “Kaonët e Delvinës”?

– Karakteristikat tona janë disa, që e bëjnë të dallueshme nga grupet të tjera.

-Veshja karakteristike e trevës sonë.

-Melodia e veçantë, që kemi.

-Interpretimi dinamik, që kemi.

-Shqiptimi i vargut të këngës në interpretim.

-Iso madhështore dhe tepër e fuqishme që ka ky grup, ku unë si marrës i këngës, gjej një mbështetje maksimale për të interpretuar aq fuqishëm këngën tonë me një hedhje brilante dhe shumë të intonuar nga Nuri Hamzai ,që rrallë ta gjesh në Labëri.

Çdo gjë mund ta ndryshojë, çdo gjë mund ta tjetërsojë, këngën tonë as e ndryshon dot njeri, as nuk e përvetëson dot askush, prandaj e them që është pashaporta jonë. Kënga labe është arkiva e historisë së këtij kombi

– Cilat janë këngët e tuaja, që janë bërë më popullore?

– Me këtë pyetje më bëre të ndihem pak keq, z.Jakup. Është njësoj si të pyesësh një nënë, se cilët nga fëmijët do më shumë. Unë vetë nuk i dalloj dot, me pak modesti do të thoshja se këngt tona janë goxha të pëlqyeshme nga publiku dhe interpretohen nga shumë miq e dashamirës të këngës sonë. Ky është një vlerësim tjetër që i bëhet grupit tonë për arsye se bukuria dhe larmia e saj ka bërë vende në çdo shpirt e shtëpi Labi. Dua t’i falenderoj përzemërsisht të gjithë pa masë, se na inkurajojnë të vazhdojmë drejt majës më të lartë të këngës sonë. Nëse më lejon të përmend disa tituj nga këngët tona.

  1. Maja e Llogoras’ mbi Vlorë
  2. Bij’ e Vlorës moj, Himarë
  3. Kalaja u flet kalave
  4. Jesh jetim i mjeri
  5. Labëri monedhë e shtrenjtë
  6. Bejka në faqe me pikë
  7. Ditën e Barjamit
  8. Hajde mike djalërisë
  9. O longare i drunjtë
  10. Aman, o mike, aman, e shumë e shumë të tjera.

– Ju, si e shpjegoni që Grupin Polifonik “Kaonët e Delvinës” e dëgjojnë me endje gjithë shqiptarët?

– Besoj se u ka shëruar shumë plagë kënga jonë, u ka nxjerrë mallin për vendin ku kanë lerë, si brenda, edhe jashtë vendit shumë shqiptarëve. Ndoshta sekreti i saj është ajo që përmenda më sipër, është e bukur si këngë, pra edhe pëlqehet. Çdo këngë labe është shumë e bukur dhe nuk dua të veçoj as njerën nga tjetra për nga bukuria dhe vlera që kanë.

– Ju si do ta vlerësonit Këngën Labe?

– Unë do kisha dëshirë ta përshkruaja në këtë formë Këngën Labe. Labëria është një lulishte e madhe, ku bukuria dhe ngjyrat e kësaj lulishteje janë këngët e bukura labe.

– Ju dëgjofsha gjithmonë me Këngën Labe në gojë!