Gëzim Prengzi/ Java e Frankofonisë, shkolla “Oso Dauti” dhe Kreshnik Sokolaj, fitues të vendit të parë

1717
Sigal

Në të shumtën e rasteve kur flitet për Frankofoninë a manifestime të tjera, shpeshherë u bëhet audiencë qyteteve e rretheve të mëdha, por, shpesh, edhe në rrethe që rëndom merren si “të vogla”, organizohen manifestime e veprimtari mjaft cilësore që i konkurrojnë edhe “të mëdhenjtë”.

I këtillë mund të vlerësohet aktiviteti i zhvilluar më 29 mars 2014, kushtuar Javës Frankofone në shkollën e Mesme të Bashkuar “Oso Dauti” në qendër të Komunës Llugaj në Tropojë.

Tradita e mirë që ka kjo shkollë, prej 12 vitesh, në një organizim të tillë, sivjet kulmoi duke qenë fituese e vendit të parë në konkurrimin kombëtar të Frankofonisë.

Kjo veprimtari u zhvillua nën kujdesin e veçantë të drejtorit të kësaj shkolle z. Kreshnik Sokolaj dhe punës së palodhur dhe profesionale të mësueses së Frëngjishtes Rajmonda Mulgeci dhe mësueses së Gjuhës Shqipe Elona Seci në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve B.Curri.

Sipas mësueses së frëngjishtes ky aktivitet zhvillohet çdo vit dhe ka edhe si synim tërheqjen e masës së nxënësve drejt gjuhës frënge dhe në kontributin që i jepet për diversitetin e kulturave.

Për përgatitjen e kësaj veprimtarie, është punuar me grupe duke mos penalizuar procesin mësimor, kostumet janë përgatitur nga vetë nxënësit dhe me ndihmën e mësuesve.

Në këtë veprimtari nxënësit-aktorë luajtën pjesë të ndryshme në frëngjisht dhe shqip si: “Borëbardha dhe 7 xhuxhat”, “Si të ndihmojmë të moshuarit”, “Pallati 176”, “Festimi i një ditëlindje”, “Zonja nga qyteti”, “Kësulëkuqja”.

Interpretimet e nxënësve që ishin oksigjeni i kësaj veprimtarie u duartrokitën nxehtësisht nga të pranishmit që ishin nxënës, mësues, pjesëtarë të shumtë nga komuniteti, stafi i Komunës Llugaj dhe instruktorët e QKF B.Curri.

U dalluan për interpretim cilësor nxënësit: Mirjana Mehmetaj, Klodiana Hoxha, Fatjona Hoxha, Amir Gjyriqi, Elvis Bardhoshi, Aleksandër Hasaj, Elsa Çakrri, Sonila Ismaili, Elisa Kaja, Brisilda Kolbiba, Elisard Gjidia.

Mes duartrokitjeve të gjata për kurorëzimin me sukses të kësaj veprimtarie drejtori i shkollës Kreshnik Sokolaj përshëndeti dhe përgëzoi nxënësit, mësuesit dhe instruktorët e QKF-së për spektaklin cilësor që dhanë.

***

Kjo veprimtari cilësore pati protagonistë cilësorë

Kreshnik Sokolaj, drejtori i shkollës “Oso Dauti” Llugaj është përfaqësues dinjitoz i brezit të ri të intelektualëve tropojanë të pas vitit 2000.

I lindur në Llugaj më 1988, ku dhe mbaroi arsimin 8-vjeçar, vazhdon studimet në vitet 2002-2006 në gjimnazin tek shkolla e Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe më pas arsimin e lartë për gjuhë dhe kulturë angleze e amerikane në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në vitet 2006-2009 si dhe Masterin në 2010-2012.

Rezultatet e tij të shkëlqyera, përgatitja e tij profesionale bëjnë që ai të emërohet mësues i Gjuhës Angleze në gjimnazin “Asim Vokshi” B. Curri dhe më pas drejtor në shkollat e bashkuara Fierzë dhe Llugaj.

Ndryshe nga një pjesë mësuesish të viteve të fundit që aty- këtu shihen me dyshim për nivelin profesional, Kreshnik Sokolaj është dalluar për profesionalizëm, korrektësi, figurën e pastër morale, aftësi drejtuese e organizuese, duke gëzuar respektin e nxënësve e mësuesve, kolegëve e komunitetit, ku punoi. I pyetur lidhur me këtë aktivitet ai u shpreh:

“Në kuadrin e gjallërimit të jetës kulturore, artistike e sportive, unë si drejtues i kësaj shkolle kam qenë inspirues i tyre, i bindur se ato i shërbejnë procesit mësimor-edukativ në shkollë. Viti i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në shkollën tonë ishte një vit aktivitetesh të larmishme me në qendër këtë përvjetor. U hap ekspozita me punime të vetë nxënësve me këtë temë, gjithashtu një aktivitet i madh festiv me këngë, vallë e recitime i cili u ndoq nga nxënës, prindër e mësues. Gjithashtu shkolla jonë ka zhvilluar mjaft aktivitete sportive si; kampionatet e futbollit, volejbollit brenda shkollës, si dhe ndeshje me shkolla të tjera si me shkollat “Ali Podrimja” dhe “Matosh Uka”.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe bashkëpunimin që kemi patur me organizatën “Partnerë për fëmijët”, me koordinatorët Alban Dunisha e Naim Sulaj, me të cilët kemi realizuar disa aktivitete si ai për sindromën DOËN, ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës, Bibliotekën Lëvizëse, realizuam projektin për këndin e lojërave dhe shndërrimin e një klase jofunksionale në një ambient të kompletuar për qeverinë e nxënësve.

Përsa i përket aktivitetit të Frankofonisë, mund të them se unë gjeta një traditë të mirë në zhvillimin e këtij aktiviteti, por këtë vit menduam ta konceptonim ndryshe, jo një aktivitet rutinë, por ne kishim vënë në funksion të saj dekorin dhe e shndërruam atë në një ditë festive. Për realizimin e këtij aktiviteti pati një angazhim serioz të këshillit të mësuesve që nga cikli i ulët e deri në shkollën e mesme. Edhe pse pa asnjë mbështetje financiare, me kontributin e vetë nxënësve, prindërve dhe mësuesve u përgatitën veshjet e nxënësve që do të luanin pjesët.

Aktiviteti u kurorëzua me sukses ashtu siç e kishim menduar, me nivel të lartë artistik, me pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti, stafi i komunës dhe QKF-ja, të cilët patën rastin të shohin një veprimtari dinjitoze. Shkolla jonë këtë vit u nderua për këtë veprimtari me vendin e parë në shkallë vendi, kjo përbën një arritje që në rrethin e Tropojës nuk ka patur ndonjë të tillë.

Dëshiroj të falënderoj edhe njëherë të gjithë ata që dhanë kontribut në kurorëzimin me sukses të këtij aktiviteti, në mënyrë të veçantë nxënësve-aktorë që me talentin dhe çiltërsinë e tyre dhanë vlera dhe një spektakël të papërsëritshëm. Uroj që edhe në të ardhmen të vazhdojë kjo traditë e bukur e festës së Frankofonisë!”.

Ndërsa mësuesja e palodhur e Frëngjishtes Rajmonda Mulgeci, lidhur me këtë aktivitet u shpreh: “Ka 12 vite që shkolla jonë organizon aktivitete të ndryshme në javën e Frankofonisë.

Me anë të këtij aktiviteti mundohemi të tërheqim interesin e nxënësve drejt mësimit të gjuhës frënge si gjuhë e kulturës dhe e qytetërimit. Gjatë këtyre viteve kemi zhvilluar konkurse mes klasave si “Interpretuesi më i mirë”, “Krijuesi më i mirë” dhe me mbështetjen e drejtorisë së shkollës kemi bërë dhurata simbolike nxënësve fitues. Brenda ambienteve të shkollës, në kuadrin e Ditës së Frankofonisë jemi munduar të sajojmë gjithçka që ka të bëjë me Francën dhe kulturën franceze si: vënia e afishove në mur të shkollës me thënie në gjuhën frënge, piktura të ndryshme të monumenteve të kulturës franceze dhe me vetë idenë e nxënësve kemi sajuar veshje me tre ngjyra që simbolizonin ngjyrat e flamurit francez. Edhe këtë vit, në vazhdim të traditës, organizuam dhe realizuam një veprimtari cilësore, me të cilën shkolla jonë zuri vendin e parë, si shpërblim shkollës iu dhurua një video projektor, gjithashtu është bërë si dhuratë nga Ambasada Franceze një set me libra të ndryshëm për nxënësit si dhe disqe të ndryshme me muzikë e filma edukativ për të rinjtë. Realizimi dhe kurorëzimi me sukses i këtij aktiviteti është bërë në sajë të mbështetjes dhe ndihmës së drejtorit të përkushtuar të shkollës, Kreshnik Sokolaj, mësueses së Gjuhës Shqipe Elona Seci, mësuesit të Informatikës Eris Rexhaj, i cili bëri të mundur filmimin e aktivitetit dhe gjithë stafit pedagogjik të shkollës. Një falënderim të veçantë kam për nxënësit që interpretuan me pasion pjesët, duke na dhuruar një spektakël dinjitoz që mori vlerësimin më të lartë”.