Basha: Refuzojmë çdo kthim në diktaturë, nga dyshja Rama-Meta

444
Sigal

TIRANË – Në aktivitetin e organizuar nga PD në përkujtim të 24-vjetorit të 8 Dhjetorit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se refuzojmë çdo kthim prapa drejt së keqes, drejt diktaturës duke shtuar se tendenca e kthimit prapa nga dyshja Rama-Meta, janë flagrante.
 
“Ne, brezi i ri, të rritur me trashëgiminë e Dhjetorit, refuzojmë çdo kthim prapa drejt së keqes, drejt diktaturës. Por tendenca e kthimit prapa nga dyshja Rama-Meta, janë flagrante.”-tha Basha.
 
Më tej ai thekson se liria dhe dija sot, janë të rrezikuara po aq sa 24 vite më parë, pasi po vendosen në postet drejtuese njerëz pa dije. Ai kërkon që të hiqet dorë nga Enverizmi, nga dhunimi i të drejtave të fituara nga qytetarë, nga kriminalizimi i politikës, nga pushteti i përqendruar në dy duar.
“Liria dhe dija janë të rrezikuara te ne po aq sa 24 vite më parë. Të heqin dorë nga dhunimi i të drejtave të qytetarëve, nga kriminalizimi i politikës, nga pushteti i përqendruar në dy duar. Nga Enverizmi.”- tha Basha.

Basha: Lëvizja e Dhjetorit, Rilindja e vërtetë pas dekadave të robërisë
Kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha e ka cilësuar Lëvizjen e Dhjetorit 1990 si rilindjen e vërtetë pas demokracisë. Në aktivitetin e organizuar nga PD në përkujtim të 24 vjetorit të 8 Dhjetorit Basha theksoj se do të vazhdojmë të vijmë këtu për ta kujtuar dhe se këtu ra diktatura më e egër për kontinentin Tonë.
“Do të vazhdojmë të vijmë këtu për të kujtuar 8 Dhjetorin 1990. Të kujtojmë misionin e përjetshëm Për një Shqipëri Si gjithë Evropa. Këtu ra diktatura më e egër për kontinentin Tonë. Lëvizja e Dhjetorit, është rilindja e vërtetë pas dekadave të robërisë.”- tha Basha.

Basha: Qyteti Studenti, Meka dhe Jeruzalemi i lirisë Shqiptare
Duke vlerësuar nismën e studentëve të Dhjetorin 1990, Basha e cilëson Qytetin Studenti si Meka dhe Jeruzalemi i lirisë Shqiptare, si vendi ku kanë nisur bazat e demokracisë.

“Këtu u fituan të drejtat universale. Këtu lindi PD. Ky qytet është Meka dhe Jeruzalemi i lirisë Shqiptare. Qyteti Studenti do mbetet një tempull lirie për shqiptarët brez pas brezi. Studentët e Dhjetorit janë krenaria jonë . Këtu u shpall publikisht nga Azem Hajdari, pluralizmi i Shqipërisë. U hodhën bazat ideore për ekonominë dhe zgjedhjet e lira. Këtu nisi lirimi i të dënuarve dhe të persekutuarëve politikë”- u shpreh Basha.

Ndërsa thekson se arritjet e Shqipërisë në 2 dekadat e fundit, janë pjesë e profecisë së lëvizjes së 8 Dhjetorit 1990, Basha ka nderuar edhe Azem Hajdarin si themeluesin e Partisë Demokratike dhe heroin e Demokracisë.

“Kujtojmë themeluesin e dhe heroin e Demokracisë Azem Hajdarin, përkulemi para veprës së tij dhe shokëve të tij. Frymëzohem nga ky qytet lirie. Kjo traditë lirie udhëton me brezat. Shqipëria në NATO, Shqipëria e Lëvizjes së lirë, Shqipëria kandidate në BE, janë pjesë e profecisë së dhjetorit. Esenca e lëvizjes së Dhjetorit, përbashkuese e gjithë shqiptarëve. Lindi nga dashuria e Studentëve për vendit dhe familjarët. Ishte një rebelim që kërkonte të merrte me vete gjithë kombin.”- tha Basha. 

TIRANË – Gjatë aktivitetit të organizuar nga PD për 8 Dhjetorin në Qytetin Studenti ish-kryeministri Berisha tregon se një javë pas themelimit të Partisë Demokratike Ramiz Alia u ka dërguar një mesazh publik, “mos ngrini dy gishtat se do jua presim”. Por sipas Berishës të njëjtin mesazh e ka dërguar edhe kryeministri aktual, me prishjen e monumentin të dy gishtave në Kavajë, duke e cilësuar madje Ramën edhe si bastard i komunizmit.

“Një javë pas themelimit Ramiz Alia na çoi një mesazh publik, mos ngrini dy gishtat se do jua presim. Këtë mesazh dha Edvin Kristaq Rama, ky bastard i komunizmit. Aty në shenjë urrejtjeje atërore shembi monumentin e dy gishtave në Kavajë.”- tha Berisha.
 
Më pas ai duke iu drejtuar Ramës shprehet se betohemi se do t’iu rezervojmë fatin e etërve tuaj dhe se ky është nderimi më i madh i Dhjetorit të 1990-s, të cilët sipas Berishës dekoruan mbi 1 mijë xhelatë, për të nderuar kohë e etërve të tyre.
 
“Të betohemi në këtë qytet, se ne sot pas 24 vjetëve me dy gishtat lart do të rezervojmë fatin e etërve tuaj dhe ky është nderimi më i madh i Dhjetorit të ’90. Ne që përmbysëm shtatoren e Enverit ne do të përmbysim shumë shpejt bustet e bijve të tyre. Të Ramës dhe neobllokmenëve të rinj të cilët kremtuan lirinë me shenjat e hoxhës rehabilituan Hoxhën, dekoruan mbi 1 mijë xhelatë, për të nderuar kohë e etërve të tyre.”- tha Berisha.

Në përfundim të fjalës së tij Berisha ka shprehur nderim për Azem Hajdarin dhe për studentët e tjerë që u përballën me diktaturën më të egër dhe e gjunjëzuan, por ka shprehur nderim edhe për ata që janë të gatshëm të përballen me bijtë bastardë të etërve. 

Dhjetori 1990, flasin Arben Imami, Eduard Selami, Bislim Ahmetaj
Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Imami, një nga pedagogët e parë që iu bashkua lëvizje studentore vlerëson se nuk e meriton lirinë ai që nuk shkon në luftë për të çdo ditë.

Një tjetër bashkëthemelues i PD, deputeti Eduard Selami, tregon për frikën që ishte mes atyre që ngrutën të parët zërin.  

“Ata që vranë frikën në fillim ishin studentët. Azemi vrau frikën dhe çau i pari”- tha Selami.

Ndërsa kreu i shoqatës Dhjetori ’90, Bislim Ahmetaj ks kërkuar që në mënyrë që fjala Enver të mos përdoret më zyrtarisht në këtë shtet, duhet që 25 vjetorin e 8 Dhjetorit të mos e gëzojë më kjo mazhorancë, por ajo e studentëve dhe e rinisë shqiptare.