Breza të tërë e njohin Gëzim Domin në Durrës. Ai nuk harron as ditëlindje, as përvjetorë. Me kujdes të jashtëzakonshëm, nxjerr nga arkivi i tij momente-perla që gëzojnë jo vetëm atë që ka festën, por edhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e atij çasti. Fotoreporteri dhe kameramani i shumë emisioneve televizive tanimë, që në fillimet e punës së tij pranë NISH – Cigares “Telat Noga” në Durrës, ka qenë i lidhur me kulturën, duke u kujdesur për bibliotekën e këtij insititucioni dhe aktivitetet kulturore, që organizoheshin aty.
Në çdo qytet ka njerëz që punojnë pa zhurmë për të. Janë ata që nuk kërkojnë vëmendje, por e meritojnë plotësisht atë. Në qytetin e Durrësit, një emër që lidhet ngushtë me kujtesën vizuale të qytetit është ai i fotografit Gëzim Domi. Plot pasion, me aparatin gjithnjë gati dhe pa u lodhur kurrë, ai ka fiksuar për dekada me rradhë, çaste të jetës së përbashkët: nga festat e qytetit, te përurimet kulturore, nga portretet e kalimtarëve, te ngjyrat e stinëve në bregdet.
Ky shkrim është një përpjekje për të falënderuar, përmes fjalës, atë që na fal çdo herë kujtime përmes imazheve.
GËZIM DOMI, KUJTESA FOTOGRAFIKE E QYTETIT
Ai nuk lodhet asnjëherë. I informuar për çdo ngjarje në qytet, shfaqet gjithnjë me aparatin ndër duar, gati për të shkrepur çaste që mbeten të fiksuara në celuloid. Çdo qytetar durrsak ruan së paku një kujtim të përjetësuar nga objektivi i tij. Fotot më të bukura janë ato që vijnë natyrshëm, pa paralajmërim, kur të takon në shëtitoren buzë detit. Nuk përton të ndjekë objektivin në lëvizjet e tij teksa ai sodit perëndimin. Peizazhet e qytetit në të katër stinët janë të pranishme në arkivin e tij të pasur: lulekumbullat e pranverës, zhurma e verës, gjethet e arta të vjeshtës dhe qetësia e dimrit, herë me shi, herë me dëborë, kjo e fundit një surprizë e rrallë për një qytet bregdetar si Durrësi. Gëzim Domi është aty: kur qyteti feston, kur zhurmon prej turistëve, kur hesht; ai dokumenton.
Me pasionin e një krijuesi të palodhur, ai ndjek, fotografon, dhe ndan çdo ngjarje kulturore, çdo ekspozitë, festival, përurim libri, shfaqje teatrore apo aktivitet qytetar, duke u bërë kështu një arkivist i përkushtuar i memories kolektive. Jo pak herë më ka ndodhur të dëgjoj të thuhet: “Të pyesim Gëzimin, ai sigurisht e ka ndonjë foto!” Dhe në të vërtet, nuk zhgënjehet askush prej tij.
Telefoni vibron pandalim… Gëzimi jo vetëm fotografon, por edhe e ndan materialin me skrupolozitet, gjithnjë shoqëruar me një: Gëzimi miqësisht, në fund. Në gjest i thjeshtë, por që mbart shumë dashuri dhe respekt për njerëzit dhe për qytetin.
Të shkruash për të është kënaqësi. Ai nuk lodhet së kërkuari dritën më të mirë në fytyrat e njerëzve, pamjet më të bukura dhe domethënëse të çdo skene dhe takimi. E vërtetë, ndjek pasionin e tij, por nga ky pasion përftohet një pasuri e çmuar për qytetin tonë, një arkiv i gjallë, me firmën e tij.
Gëzimi është gjithmonë në gatishmëri, jo vetëm për të shkrepur një foto, por edhe për të ndihmuar këdo që ka nevojë. Këtë e dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij të hershëm, si ish-arkivisti i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Luan Jaupi, por edhe të rinjtë premtues të fotografisë si Griseld Hoxha etj.
Ka vite që fotografitë e tij na kujtojnë se koha nuk ndalet. Është një emocion i veçantë kur, në mënyrë të papritur, ai të sjell një grup fotosh të 15 viteve më parë, ku shfaqesh në shoqërinë e personaliteteve të kulturës që sot nuk janë më. E përveç konstatimit se vitet kanë bërë punën e tyre, ndjen mall për ata njerëz të respektuar, fytyrat e të cilëve jetojnë tashmë vetëm në këto foto; zërat e tyre, në videot e ruajtura me aq kujdes nga mjeshtri.
Breza të tërë e njohin Gëzim Domin në Durrës. Ai nuk harron as ditëlindje, as përvjetorë. Me kujdes të jashtëzakonshëm, nxjerr nga arkivi i tij momente-perla që gëzojnë jo vetëm atë që ka festën, por edhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e atij çasti.
Ky pasion i tij nuk është thjesht një hobi e momentit. Fotoreporteri dhe kameramani i shumë emisioneve televizive tanimë, që në fillimet e punës së tij pranë NISH – Cigares “Telat Noga” në Durrës, ka qenë i lidhur me kulturën, duke u kujdesur për bibliotekën e këtij insititucioni dhe aktivitetet kulturore, që organizoheshin aty. Për të vazhduar më pas në vitin e rrëmujshëm 1997, ku së bashku me gazetarin dhe shkrimtarin e njohur Bashkim Hoxha hapin televizionin e parë në qytet, tv “Teuta”, ku nis edhe transmetimi i emisionit “Koha për t’u zgjuar”, një emision që ende sot vazhdon të transmetohet nën siglën “Mirëmëngjes” në televizionin ABC Neës Albania.
Vitet në të cilat punoi si arkivist i Teatrit “Aleksandër Moisiu” kanë lënë gjurmët e tyre në hyrjen e këtij teatri, ku si një dekor i çmuar janë vendosur fotografitë që mbartin rrugëtimin e tij. Ato që rikthejnë frymën e skenës së atyre viteve, zërat që nuk dëgjohen më, duartrokitjet për ato shfaqje të dikurshme, që jetojnë ende në kujtesën vizuale. Vendosja e këtyre fotove në hyrje të teatrit ështe një akt dashurie ndaj artit dhe kujtesës kolektive, një ftesë për çdo vizitor që të ndalet, të kujtojë dhe të ndiejë vazhdimësinë e një tradite të shquar. Gëzim Domi është bërë kështu, regjisor i së shkuarës, duke i dhënë jetë imazheve që flasin.
Mjeshtri ynë ka ndjekur hap pas hapi zhvillimet teknologjike, pa mbetur pas. Kujdesi për ruajtjen e informacionit, për arkivimin dhe për përzgjedhjen e kujdesshme të çastit nuk është i mësuar. Ai i vjen natyrshëm. Ka pasur rastin të ekspozojë punimet e tij në ekspozitën “Qyteti im”, në Pallatin e Kulturës “A. Moisiu”. Disa foto të ekspozitës, që i përkasin Portit Detar janë ekspozuar përgjatë kangjellave rrethuese të tij, përballë me BKT bank. Në qershor 2022 vjen ekspozita “40 vite karrierë” në mjediset e jashtme të Muzeut Arkeologjik, e cila mblodhi mbi 200 foto përfaqësuese të punës së tij: portrete, peizazhe, rrugë që tregojnë histori që askush nuk i tha.
Në këtë ekspozitë nëpërmjet aparatit të mjeshtrit erdhi një qytet që nuk e kemi parë kurrë kështu, edhe pse e njohim atë thellësisht. Pas çdo shkrepjeje, një hap pas, qëndron ai, që nuk ndërhyn, por vetëm dëshmon. Dhe përmes këtij akti të thjeshtë, krijon art që nuk kërkon zë, sepse ka sy…
Në heshtjen e një fotografie fshihet një realitet i tërë. Kur koha vrapon dhe ne rendim në ritmin e së përditshmes, fotografia ndalet. Ne që i shohim ato, kujtojmë të shkuarën, pa u larguar nga e tashmja. Ky akt besnikërie i saj ndaj faktit, ndaj së vërtetës e bën fotografinë të mos jetë vetëm art, por dëshmi e thellë. Dhe Gëzim Domin jo vetëm kronikanin vizual të Durrësit, por ndjenja e tij e kujtesës. Është një fat i rrallë për qytetin tonë të kemi një sy që sheh me dashuri dhe dorë që ndal kohën për të mos e humbur. Në mbyllje të këtij shkrimi më lindi një pyetje: “Po qytetet e tjera a e kanë një sy që dokumenton kujtesën e tyre?