Genc Hajdari: Madhështia e Muzeut të Krujës ka marrë përmasa botërore

791
  • Flet skulptori Genci Hajdari: Një muze si i Krujës mund të bëhet pas 500 vitesh.
  • -Shtatorja e Skënderbeut në Krujë u ndërtua në vitin 1958 rreth 5 m e lartë. Është punuar nga skulptori i talentuar Janaq Paço.
  • – Edhe sot skulptorët e huaj shprehen me superlativa për realizimin e kësaj vepre.
  • – Muzeu filloi në vitin 1978-të dhe mbaroi 6 vjet më vonë nën drejtimin e akitekt Kolanecit dhe me idenë e Pranvera Hoxhës.
  • – Me muzeun e Krujës kryesisht është marrë Manush Myftiu.
  • – Çdo ditë aty dilnin probleme të natyrës arkeologjike, ai muze ka respektuar çdo gjë shkencore me rigorozitet dhe seriozitet.
  • – Në inaugurim erdhën Adil Çarçani. Manush Myftiu. Nexhmije Hoxha, Enveri nuk erdhi sepse ishte keq me shëndet.
    -40-vjetori i krijimit 1 nëntor 1982-2022
Sigal

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Përurimi i Muzeu Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj. Mbi këtë muze le të flaës një nga protagonistët e ndërtimit, skulptori Genc Hajdari shkëputur nga një bisedë vite më parë… Genci Hajdari është një nga skulptorët më të njohur shqiptarë. I klasifikuar mes talenteve që në rini të tij, në kohën kur iu caktua të realizonte pjesën monumentale të Muzeut të Krujës. Një karrierë e mbajtur me shumë dinjitet në vitet e mëpasme me punë dinjitoze, që kanë mbajtur firmën e tij. Në këtë intervistë ai nxjerr në dritë shumë aspekte të panjohura të historisë muzeale shqiptare, të jetës së artistëve të mëdhenj shqiptarë, të punës dhe këndvështrimeve të tij ndaj artit dhe historisë shqiptare që sot është kthyer gati-gati në një heshtje totale apo nënvleftësim nga politika aktuale…

Para se të kalojmë tek Muzeu a keni krijuar një ide tuajën për polemikat që janë bërë në lidhje me figurën e Skënderbeut?

Tek figura e Skënderbeut nuk mendoj se ka ndryshime këndvështrimi. Pavarësisht ndonjë lajthitjeje të vogël nga individë që nuk e njohin historinë. Shtatorja e Skënderbeut në Krujë u ndërtua në vitin 1958 dhe sot përfaqëson ndoshta të vetmen skulpturë monumentale të atyre përmasave në Shqipëri. Është rreth 5 m e lartë, punuar nga skulptori i talentuar Janaq Paço, e derdhur në bronz. Vepra që atëherë pati jehonë dhe vlera të veçanta. Edhe sot skulptorët e huaj shprehen me superlativa për realizimin e kësaj vepre. Sepse ka pasur shumë punë për figurën e Skënderbeut, por kanë pasur cilësi të dobët dhe pse janë kryer nga pedagogë të shquar. Skënderbeu i Janaq Paços dhe ai i tre skulptorëve të Skënderbeut në Tiranë janë dy vepra monumentale të heroit tonë legjendar që nuk kanë për të lëvizur kurrë dhe që do jenë përgjithmonë si të paarrira.
 
Ju doni të thoni se faktet historike sollën zhvillimin dhe kthimin në qytet muze të Krujës?

-Sigurisht që këto monumente historike bënë që Kruja të mos lëvizte si qytet nga ato shpate dhe brigje, si në atë kohë dhe në këtë kohë. Kishte mendime dhe supozime, sepse Kruja nuk shquhej për ndonjë zhvillim të madh industrial apo bujqësor. Kruja u bë qytet i njohur pikërisht për historinë e saj të lavdishme. Me ardhjen e sistemit demokratik, ku ekziston liria e fjalës dhe e mendimit sot në atë qytet digjet gëlqere. Jemi kthyer shekuj prapa. Në ato vite të errëta që turqit sulmuan Arbërinë, dogjën me qindra monumente, me qindra skulptura dhe një histori shumëvjeçare e kthyen në gëlqere. U prishën me qindra kisha, duke shkatërruar kushedi sa metër katror afresk të punuar nga piktorët më të shquar duke e kthyer fenë e shqiptarëve nga kristiane në myslimane. Këto nuk janë dëngla, por realitete. Historia është kokëfortë. Ajo nuk të lejon. Ky është një tregues se si ka lëvizur historiografia në
vendin tonë.


 
Në këtë kontekst, cili është mendimi juaj?

Mendimi im është që Kruja duhet të mbetet qytet muze. Ajo që e vulosi këtë gjë ishte shtatorja e Skënderbeut.
 
Le të ndalojmë tek momenti i ideimit të muzeut të Krujës…Kur filloi kjo?

-Në muzeun e vjetër kanë qenë të shkruara 10 rreshta që ishte një projektplatformë politike e bërë nga Enveri. Në bazë të saj u hodh ideja të ndërtohej një muze i ri që do realizohej nëpërmjet një konkursi të madh. Ne të gjithë e dimë se ishte ideja e vajzës së Enverit, Pranverës që idenë e muzeut ta shpallte si diplomë për studentët. Kjo diplomë u bë nga studentët që vazhdonin fakultetin nën konsulencën e të shoqit, arkitekt Kolonecit, i cili i bëri konsulencë kësaj diplome bashkë me Pirro Vason. U bë një projekt, i cili në fillim nga diplomë mori atribute më të mëdha. U krijua më pas një grup pune me shumë historianë, 3 arkitektë dhe me gjithë personelin e nevojshëm. Në këtë grup kam qenë dhe unë si skulptor. Por mund të them se fizionomia e grupit ishte shumë e madhe me profesorët më të mëdhenj dhe gjithë të tjerët. Shumë skulptorë që u morën në atë grup pune ishin djem dhe vajza të reja. Muzeu filloi në vitin 1978-të dhe mbaroi 6 vjet më vonë.

Personalisht, çfarë bëtë konkretisht?

-Ju përmenda më sipër që ishte një grup i gjerë pune. Fillimisht u mor mendimi i arkeologëve. E gjithë zona ku do ndërtohej muzeu i Krujës fillimisht u bënë kuvendime të gjata për të diskutuar nëse do ishte brenda apo jashtë, në hyrje, në buzë e shumë pozicione të tjera. Më në fund fitoi ideja që të ishte afër hyrjes. Për arsye se ishte një pikë e bukur në peizazh, kalasë i krijonte një strukturë monumentale. Vetë arkitektura e muzeut për mua është fantastike. Për dekada dhe qindra vite të tëra me radhë mendoj se ne nuk jemi në gjendje të ndërtojmë një muze të ngjashëm me të. Ndoshta duhen 500 vjet për ta bërë këtë. Ky është mendimi im.

Në periudhën që ndërtohej muzeu kush ishte personi që interesohej direkt me të?

-Është e qartë që nuk do ishte Enver Hoxha. Me muzeun e Krujës kryesisht është marrë Manush Myftiu. Ai ishte zëvendëskryeministër dhe mbulonte problemet e shëndetësisë dhe me artin. Gjithnjë duke përdorur levat e partisë që ai kishte në dorë. Në atë kohë mbaj mend që në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve janë kryer me qindra diskutime krijuese për këtë muze. Varianti kryesor u diskutua në të gjitha qarqet dhe fitoi projekti im. Pra ai u realizua nga unë Genci Hajdari në skulpturat e përparme.

Kush e vizitonte në atë kohë muzeun që ndërtohej?

-Atëherë ka qenë grupi i punës i kryesuar nga Manush Myftiu që ndiqte zhvillimin e punës nga fillimi në fund. Ishin shumë leva të partisë-shtet që ndiqte punimet. Në atë kohë ishte dhe Tefta Cami që drejtonte Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Si objekt ai u kristalizua rreth viteve ‘80-të. Më kujtohet që ka punuar shumë inxhinier Kote, sepse ndërtimi ishte shumë kapriçoz. Çdo ditë aty dilnin probleme të natyrës arkeologjike. Ai muze ka respektuar çdo gjë shkencore me rigorozitet dhe seriozitet.

Gjatë kohës që punohej ju e takuat ndonjëherë Enver Hoxhën?

-Unë nuk e kam takuar asnjëherë Enver Hoxhën gjatë kohës së realizimit të muzeut. Por gjithë anëtarët e Byrosë i kam takuar. Realizimin e veprës e kam bërë brenda muzeut dhe jo në atelie, sepse ajo ishte një vepër eksperimentale. Hyrja u bë në një hark shumë të madh 9 metro i lartë. Aty u vendosën shumë figura brenda strukturës arkitektonike, relievit dhe basorelievit. Kishte 3-4 elementë, që u fiksuan në këtë vepër monumentale. Por në atë periudhë kishte një problem: nuk të linin të dilje si emër më vete. Ishte fryma kolektive, ndjesia e kolektivizmit. Kur filloi që vepra të merrte fytyrën e vet më sollën profesor Paçon si konsulent. Në fakt, unë e prita mirë kosulencën, por brenda shpirtit kjo nuk më pëlqeu. Mendoj se puna artistike është individuale. Doja të isha vetëm vetvetja. Në vepra të tilla duhet të dalë në pah aftësia jote profesionale. Pavarësisht se ai ishte profesori im dhe unë ruaj një respekt të jashtëzakonshëm për të. Dhe pse ai njeri i ka bërë shumë mirë veprës sime. Por brenda shpirtit autori ka egoizmin e tij.

Ku keni jetuar gjatë atyre 6 viteve?

-Flinim në hotel dhe ktheheshim në Tiranë në fundjavë. Trajtimi i veçantë ishte si i gjithë punonjësve të tjerë. Unë merrja rrogën e Institutit të Monumenteve plus që merrja dietat dhe biletat. Nuk ka pasur trajtim tjetër të veçantë. Dhe pse ishte një punë me vështirësi të jashtëzakonshme, heroike, që sot nuk mund të konceptohet.
 
Mendoni se skulptorët e sotëm mund të punojnë njëlloj si ju në kohët e sotme, nëse do kishin vështirësitë tuaja?

-Unë mendoj se jo. Unë po shoh se çfarë skulpturash po bëhen në kohën e sotme. Ne tani vetëm po shkatërrojmë, po i heqim veprat nga vendet e tyre. Si “5 heronjtë e Vigut”. Që i injoroi dhe Kryeparlamentarja duke shtrembëruar historinë. Merren 5 djem të rinj që ishin heronj dhe hidhen në plehrat e Shkodrës. Është fat për kombin tonë që kishim njerëz të tillë. Mund të gjendej një mënyrë tjetër dhe jo t’i çonim tek plehrat e Shkodrës. Edhe Shkodra ka dëshmorë, që nga prehistoria e deri më sot.

Si u bë inagurimi i Muzeumit në Krujë?
-Inagurim madhështor. Inagurimi u bë në 1982-in dhe ka qenë stinë vjeshte. Ka qenë një ditë shumë e bukur dhe ka qenë e pranishme gjithë byroja: Adil Çarçani. Manush Myftiu dhe  Nexhmije Hoxha. Pothuajse e gjithë byroja. Enveri nuk erdhi sepse ishte keq me shëndet. Vlerësimi ka qenë i shkëlqyer për veprën. Morëm një honorar të caktuar, por në atë kohë më shumë vlerësohej ana emocionale se ato materiale. Unë u dekorova me Çmimin e Republikës për atë vepër që kam realizuar dhe me Urdhrin “Naim Frashëri”.

Komentet e Enver Hoxhës për muzeun e Krujës

-Fjalë-për fjalë nuk i mbaj mend. Por e ka quajtur një vepër monumentale dhe e ka pëlqyer jashtëzakonisht. Mbaj mend të inçizuar fjalën e tij për muzeun. Ka folur fjalët më të mira për rininë, sepse 90 % e stafit ishin arkitektë, historianë artistë të rinj të arteve monumentale. Më i madhi i stafit mund të ishte 27 vjeç. Përveç faktit që drejtoheshim prej historianëve Aleks Buda dhe Kristo Frashëri.

Ideimi i Muzeut Kombëtar

-Edhe tek Muzeu Kombëtar u ndoq e njëjta praktikë si në muzeun e Krujës. Vetë Nina Shehu që është autore e Muzeut, bëri ideimin si ndërtesë. Dhe aty kishte grupe historianësh dhe arkitektësh. Në Muzeun Kombëtar unë kam realizuar disa vepra arti të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ka qenë “Lidhja e Prizrenit”, një punim i madh bakri për periudhën prehistorike me disa autorë të tjerë. Kam punuar dhe me figura të tjera.

Në këto 30 vjet a janë realizuar vepra monumentale si ato të regjimit komunist?

-Në këto vite nuk është bërë asgjë. Ndërkohë që në periudha si ato që jetuam ne dihet që arti, kinematografia, marrin zhvillim të jashtëzakonshëm. Është njëlloj me periudhën e neorealizmit italian, i cili si në kinematografi, në letërsi, poezi dhe në art bëri namin. E njëjta gjë ndodhi dhe në periudhën e nazizmit. Ka një bum në periudhat diktatoriale. Ato njihen në histori për zhvilllime të mëdha sasiore dhe cilësore. Se si shkon ky marshim: për mirë apo keq, këtë e vendos historia. Kështu ndodhi dhe tek ne gjatë periudhës së socializmit. Janë bërë vepra të mëdha. Sot gjërat bëhen me lekët e taksapaguesve, ndërsa atëherë ishte një diktaturë që i mblidhte paratë në formë djerse apo gjaku dhe bënte këto që janë bërë.

Më flisni pak për veprat e tjera që keni realizuar ju?

-Më vonë nuk kam pasur qejf të punoj bashkëautor me të tjerë. Kam punuar vetëm. Çdo autor ka dëshirë të punojë vet. Kam realizuar Brigadën e 6-të sulmuese në Përmet, i vendosur në muzeun e qytetit. Kam disa figura të zonës së Korçës të derdhura në bronz. Kam realizuar portretin e aktorit Naim Frashëri, portretin e Qemal Stafës, Margarita Tutulanit, portretin e Sandër Prosit. Kam dhe disa vepra të latuara në gur si “Pranvera e jetës”, një skulpturë e një nëne mokrare në gur që u vendos në vilën 6-të. Kam realizuar shumë vepra arti, medaljone të kohës, që jepeshin dhurata për diplomatët e kohës. Deri më sot kam punuar shumë.

Me çfarë keni vazhduar pas viteve 90-të?

-Unë e kam filluar me një vepër “Muza që po vdes”, një vepër që e quajta kështu, sepse mbylla një etapë të caktuar historike dhe fillova një tjetër. Autori nuk lëviz kollaj nga senset e veta artistike. Unë e pëlqej artin abstrakt, dhe çdo gjë që sot quhet art, por kam gjithnjë mendimin dhe idetë e mia për një vepër arti që serviret. Tani vizatoj shumë në studion time, merrem me skulpturën e aplikuar në hekur, merrem me mozaikun. Të gjitha këto shërbejnë për të më mbajtur gjallë. Bëj dhe vepra për shpirtin tim. Kam vepra që i bëj për t’u ruajtur, por dhe për t’u mburrur. Për të thënë se çfarë di të bëj Genci? Gjithnjë kam punuar me idenë që duhet të bëj diçka dhe të lë një vepër. Gjithnjë kam pasur shumë pasion për leximin, për punën time si skulptor dhe për restaurimin e vlerave të artit kombëtar. Për atë që është mbi tokë dhe nëntokë. Shumë pak bëhet sot për konservimin e vlerave tona historike-arkeologjike, monumenteve të kulturës. Na mbyti plagjiatura dhe hajdutllëku në gjithë fushat që përmenda.