Ergys Alushi/ PËRSE në VLORË?

1018
Kjo është Vlora, nga ku nisin gati të gjitha ndryshimet e mëdha, dhe jo rastësisht. Thjesht të kenë qenë koinçidenca historike? Apo mos vallë për shkak të pozitës gjeo-strategjike në rajon, kemi qenë gjithmonë në qendër të konflikteve rajonale dhe më gjerë? Apo të na kenë përdorur gjatë gjithë historisë sonë, për shkak të karakterit luftarak ? Dilemat janë të shumta. Dhe nuk ishin pa shkak, sepse ka shumë ngjarje, që po t’i renditësh, krijojnë një lidhje dhe ngjashmëri të habitshme, që të krijojnë bindjen se nuk janë thjesht koinçidenca të përsëritura.


Nikita Hrushov viziton Vlorën dhe fle një natë në bazë e Pashalimanit
Në 25 maj, të vitit 1959, Shqipërinë do ta vizitonte Sekretari i Parë i B.R.S.S, Nikita Hrushov.
Ndër shumë qytete e fshatra që vizitoi për disa ditë me radhë, Vlora do të ishte stacioni i fundit i vizitave. Në datën 29 maj, Sheshi i Flamurit ishte mbushur si rrallë herë. Banorët nga të gjitha fshatrat e Vlorës, ishin mbledhur në shesh që në orët e para të mëngjesit, edhe pse ishte lajmëruar që delegacioni do të vinte në orët e drekës. Dëshmitarë të asaj dite, kanë treguar se atmosfera ishte shumë festive, kudo këndohej e hidhej valle, tundeshin flamuj e hidheshin parrulla për Shqipërinë, Bashkimin Sovjetik, miqësinë midis dy popujve e të tjera si këto.


Ja se si do t’i këndonte rapsodi i njohur për kohën, Selim Hasani;
“Na erdhi Hrushovi në Tiranë
themeli që mban dynjanë,
xhadetë e tokat ndriçojnë,
tunden malet me dëborë,
Kendërvica me Tomorë.”
Ndërkohë poeti i ri, Duro Mustafaj, ja si i këndon kësaj dite;
“Flamurët skuqin, skuqin porsi flakë,
gëzim e festë, ti kudo do të gjesh,
si nuse e bukur duket Vlora plakë,
se sot Hrushovi gjendet midis nesh,
ka ardhur sot këtu gjithë Labëria,
dhe himariotët këngë po këndojnë,
buçet sheshi i Flamurit – Rroftë miqësia,
në ajër tufat me lule po vallëzojnë,
kjo Vlora jonë buzë detit blu të qetë,
o miku i ynë i madh, ju përshendet.”
Më në fund në ora 13.30.Vlora buçet në çdo anë.
Delegacioni arriti në qytetin e Ismail Qemalit dhe të Perlat Rexhepit, të Zonjës Çurre, të Teli Ndinit, Halim Xhelos etj. Sheshi i Flamurit oshëtin nga entuziazmi i papërshkruar i dhjetëra e dhjetëra mijëra njerëzve. Miqtë u pritën në urën e Mifolit, nga Sekretari i Komitetit të Partisë për rrethin, Mihallaq Gjinikasi, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Kristo Papajani. Në Vlorë miqtë e shtrenjtë u pritën me lule të freskëta. Sheshi i Flamurit zien nga njerëzit.
Në shtyllën historike valon flamuri i Republikës Popullore të Shqipërisë, në vendin ku u ngrit në 1912 nga dora e patriotit, plakut Ismail Qemali.
Një plak i moçëm, Xhafer Xhuveli, i cili ka qenë sekretar i Ismail Qemalit, vjen dhe shumë i ngashëruar i shtrëngon dorën Hrushovit.
Duze Bajrami, Salie Çurre, nëna e heroinës, dhe nëna të tjera dëshmorësh, përqafojnë babanë e paqes, siç e quan shokun Hrushov, patriotja Shaho Luçi.

Një miting i madh e i zjarrtë, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve, u bë në sheshin e Flamurit

Aty Mihallaq Gjinikasi, mbajti fjalimin e mirëseardhjes. Shokët Enver Hoxha dhe Hrushov, mbajtën fjalime të gjata midis një entuziamzi të jashtëzakonshëm. Vlora i shfaqi Hrushovit dashurinë e pamasë dhe mirënjohjen e thellë ndaj vendit të lavdishëm të revolucionit të Tetorit, ndaj Atdheut të Leninit. Si podium për folësit, shërbeu një prej ballkoneve të dikur, Hotel “Europa”, por që ishte kthyer në bibliotekën e rinisë. Për efekt sigurie nën ballkon u vendosën disa shtylla druri, pasi dihet që Hrushovi erdhi me një ekip prej 60 personash. Nga Sheshi i Flamurit, Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov, shkuan në bazën e Pashalimanit, ku dhe qëndruan për të fjetur, për një natë. Në kujtimet e tyre, pas viteve 90-të, oficerë që kanë shërbyer në bazë atë ditë, kujtojnë për një ftohtësi në marrëdhëniet midis Hoxhës e Hrushovit, edhe pse për Hrushovin u vendos dhoma më e mirë. Mesa duket kishte filluar prishja.

Pjesë nga fjala e N.S.Hrushov në Sheshin e Flamurit

“Cila është gjëja kyesore për secilin nga vendet e kampit socialist? Gjëja kryesore tani është zhvillimi i shpejtë i ekonomisë sonë, korrja e sukseseve gjithnjë më të reja në garën ekonomike paqësore me vendet kapitaliste, zhvillimi me sukses i industrisë, bujqësisë dhe i gjithë forcave prodhuese të vendeve socialiste. Në këtë drejtim merr një rol të vecantë ngritja e pandërprerë e rendimentit të punës. Sa më i lartë të jetë rendimenti i punës, aq më shumë popujt e vendeve tona mund të prodhojnë produkte të ndryshme, që janë të nevojshme për zhvillimin e vendeve socialsite, për plotësimin gjithnjë e më të madh të nevojave të njerëzve që ndërtojnë shoqërinë socialiste, komuniste.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO në Vlorë. Ishte koha e embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Mars 1993.

Të premten e datës 10 mars, të vitit 1993, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Vërner, do të vinte për një vizitë në Vlorë. Një ditë më parë, kishte zhvilluar takime të ngjeshura, në Tiranë, me zyrtarët e lartë të shtetit, dhe Vlora do të ishte i vetmi qytet që do të vizitonte, larg kryeqytetit. Në vizitën e tij shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë, Gjeneral Ilia Vasho. Viziton bazën ushtarake të Vlorës. Shkon në ishullin e Sazanit, ku njihet nga afër me objektet ushtarake, me mjetet e Flotës Luftarake Detare, si edhe me armatimin e reparteve që janë dislokuar në ishullin e Sazanit. Në takimin me ushtarakët, Vërner i porositi që në situatën e nderë të krijuar në Ballkan, të jenë të gatshëm e vigjilent. Ishte koha e embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërsa Sekretari i Përgjithsëm i NATO, inspektonte ishullin e Sazanit, të fortifikuar dhe të armatosur për një luftë të vërtetë, 38 anije luftarake të NATO, patrullonin në detin Adriatik. Ishte ky grumbullimi më i madh i anijeve luftarake, që nga Lufta e Dytë Botërore. Anije të SHBA dhe aletëve të tyre. Urdhëri ishte i prerë, asnjë anije nuk do të lejohet të udhëtojë drejt Malit të Zi. Në këto ditë, Flota Luftarake Detare, ndalon në ujërat e Sarandës një anije cisternë, që lundronte me flamur grek, e që ishte e ngarkuar me karburant. Por në fakt, ekuipazhi ishe i përbërë nga serbë. Anija në fjalë, e ngarkuar me karburant, kishte për qëllim të filtronte midis anijeve luftarake të NATO, për të mbërritur në portin e Malit të Zi. Anija u soll në portin e Vlorës, edhe pse ishte ndaluar në ujërat e Sarandës dhe duhej dërguar në portin e Sarandës. Përse u soll në portin e Vlorës?

Gazeta “Vlora”
Mars – Maj 1993
Nr.5 – 14.
Xhorxh Bush në Vlorë

Në verën e vitit 1996, ish presidenti i SHBA, deri në vitin 1992, Xhorxh Bushi i Madh, do të vijë në Vlorë, për një vizitë private disa-orëshe.
Ai do të ishte i ftuar nga Presidenti i vendit, Sali Berisha. Shumë vlonjatë, të ndodhur atë ditë në zonën e vilave, pas tunelit në Ujin e Ftohtë, kanë parë një jaht të bardhë dhe një anije të vogël, afër njëri tjetrit, të ankoruar në Gjirin e Vloës.

Që në mëngjes herët të asaj dite, në të gjithë zonën ishin marë masa për të ndaluar kalimin e mjeteve, dhe qëndrimin e njerëzve në një zonë të gjerë, ndërkohë që ato pak lokale që ishin, u urdhëruan të mbylleshin. Ish Presidenti amerikan, shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Barbara, gjenerali i luftës Pauell edhe ky me bashkëshorten si dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Kishte ardhur nga Korfuzi, ku kishte shkuar me pushime.

Bushi, ishte hera e dytë që vinte në Shqipëri, ku herën e parë kishte ardhur në vitin 1993, kur u dekorua me një medalje të lartë të shtetit Shqiptar, dhe kjo do të ishte vizita e tij e dytë, edhe pse nuk doli për asnjë çast nga territori i vilës që njihet me emrin “Vila e Mehmet Shehut”.
Dy mbesat e ish Presidentit, të shoqëruar dhe nga njerëz të tjerë të familjes Bush, nën masa të rrepta sigurie, dolën për një shëtitje në qytet, duke tërhequr vëmendjen kudo ku shkuan, për numrin e madh të rojeve dhe kujdesin që tregohej për shoqërimin e tyre.
Ardhja e Bushit të Madh, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992 ia kishte lënë vendin Presidentit Bill Klinton, ndodhte pas zgjedhjeve të Majit 1996, zgjedhje të cilat u shoqëruan me problematika të shumta, deri dhe në rrahjen masive të opozitës, pa kursyer as drejtues të saj.
Gazetari Mero Baze, i cili e ka intervistuar ish presidentin në “Vilën e Mehmet Shehut”, në librin e tij “Viti 1997” , citon ndër të tjera në këtë intervistë fjalën e Bushit, kur flet për diskutimin me presidentin Berisha. “…Po sot, Presidenti Berisha është treguar shumë xhentil me ne, duke na vënë në dispozicion një kohë të mjaftueshme, për të na shpjeguar ato ç’ka po bën ai për Shqipërinë, për historinë e sukseshme të demokracisë së saj, e cila po bëhet gjithnjë e më e fortë…”


Këto fjalë thuheshin pikërisht në një kohë kur zgjedhjet e vitit 1996, ishin shoqëruar me shumë probleme ,dhe për shumë shtete të huaja, analistë ndërkombëtarë dhe opozita shqiptare, konsideroheshin të parregullta dhe me shkelje të shumta në parimet e rregullat e demokracisë.
Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë biseduar ato pak në orë në atë vilë, Berisha, Bush e gjenerali i luftës Pauell, por vetëm pak muaj pas largimit të ish Presidentit amerikan nga Vlora, ngjarjet në Shqipëri, dhe kryesisht në Vlorë, rrodhën me shpejtësi të madhe dhe negativisht, për të kulmuar me falimentimin e firmave piramidale dhe trazirat e vitit 1997. Në vitin 1995, bashkëshortja e Xhorxh Bushit të Madh, Barbara Bush, do të botonte një libër me kujtime, ku do të shkruante dhe për qëndrimin disa orësh në vilën e Vlorës.
Sigal