Enrieta Sina: Andrea Varfi më hapi rrugën e bukur të krijimtarisë

658
Sigal

INTERVISTA/  Flet shkrimtarja dhe poetja Enrieta Sina: Çmimi “Poetja më e mirë Pegasi 2013” është një vlerësim

 Takimi i fundit në Akademinë e Shkencave i “Pegasi” ishte pikërisht për poeten dhe shkrimtaren Enrieta Sina. Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania, Presidenca e saj i dha titullin e lartë “Poetja më e mirë e vitit 2013 ALBANIA”, poetes dhe shkrimtares Enrieta Sina, me motivacionin: “Për poezi cilësore dhe me tematikë jetësore”.  Në këtë takim merrnin pjesë shkrimtarë, artistë, poetë, intelektualë, Kryetari i “PEGASI”, z. Kristaq Shabani, Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof. Ago Nezha, miq dhe të afërm të poetes Enrieta Sina, e cila në mëngjes ishte e ftuara speciale e  tv “AS”, në emisionin e gazetarit Gerti Çarçani.

 -Këto ditë Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania, Prezidenca e saj ju dha titullin e lartë “Poetja më e mirë e vitit 2013 ALBANIA”,  si jeni ndjerë?

-Si jam ndjerë? Si mos më mirë. Ashtu ndihet njeriu, kur merr vlerësime për krijimtarinë. Veprimtaria e zhvilluar (në Akademinë e Shkencave) për krijimtarinë time poetike, u organizua nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” Albania, në vazhdim të tërësive të veprimtarive të saj, tashmë të njohura jo vetëm në vend, por dhe në shumë degë, ku ajo e zhvillon atë  me shkrimtarë dhe artistë në gjithë Botën. Kjo Lidhje tashmë ka portretin e saj të ngritur, mbi bazë të një pune shumëvjeçare, të gjerë dhe motivuese. Motivi i kësaj veprimtarie në këtë kënd, mendoj se ishte evoluimi, transparenca më ideore dhe artistike në arritjet e kohëve të fundit që kam patur në poezi. Në krijimtarinë e tij çdo artist thellon artistikisht raportet social-psikologjike të njohura dhe përjetuara nga të gjitha fushat. Ishte një pjesëmarrje mes artistësh, mes poetësh, mes intelektualësh, që më vënë përgjegjësi të reja. Është mirë të dëgjosh nga artistë shqiptarë të kudogjendur vlerësime, sepse ndonjëherë njeriu ka dëshirë ta ndjej këtë raport të prekur dhe nga të tjerët…

 Keni rreth 50 vite krijimtari, si e shikon këtë kohë kaq të gjatë krijimtarie?

 E vërtetë. Kam qenë 10 vjeç kur kam bërë poezinë e parë. Në rreth pesëdhjetë vite krijimtari, shoqëria, familja, libri, koha, talenti janë bërë bashkë si aortat e një zemre dhe mesa duket nuk do të ndahen nga njëra-tjetra deri në fund të jetës. Kur kjo lidhje është e “shkundur” në moment kulmore, atëherë energjitë e reja të rikthejnë atë që është e domosdoshme, frymëzimin dhe emocionin, një tjetër hapësirë ku i gjen të gjitha dhe merr prej saj atë që të bën progresiste. Unë nuk mund të ulem dhe të shkruaj pa qenë “e irrituar” prej kësaj kulmore dhe pa u ndodhur tërësisht në këtë hapësirë ndjenjash dhe refleksesh frymëzuese.

-Proza dhe poezia, sa afër po aq larg njëra-tjetrës, ku e ndjen vetën më mirë Enrieta në prozë apo poezi?

– Atë duhet ta dijë më mirë lexuesi, por mendoj se duke qenë poet, arrin të realizosh një prozë të bukur. Pra, një poet i mirë jo rrallë, përcjell në krijimtarinë e tij prozën interesante. Në fëmijëri dhe rini, duket se të gjithë janë në një farë mënyre poet, të paktën kështu duket. Pas kësaj, jeta tregon rrugët e saj të çudirave, të qenësishme dhe të duhur ku të jep pasqyrën të shikosh mirë vetveten, vlerat që rriten tek ty. Poezia të rrëmben në çast, në çdo kohë dhe për më tepër në moment që t’i kërkon vetvetja pa u zgjeruar shumë në raport me të tjerët, ata që të rrethojnë kudo që ndodhesh. Proza, ka grumbulluar më parë tek ty moment, ide, portrete, probleme, ndalesa, kapërcime, reagime dhe këtu ky raport ndër personal duket se kërkohet dhe tek të tjerët, pa i prekur ato. Në këtë mënyrë arrin të përpiqesh të realizosh të vërtetën sido që të jetë ajo. Deri më sot më tepër kam dëshiruar të shkruaj tregimin dhe novelën social-psikologjike dhe social-shoqërore. Ndofta vet profesioni im si gazetare për mëse tridhjetë e pesë vite ka hapur dyer më të dukshme hapësinore dhe kohore për këtë. Megjithatë, poezia mbetet brenda meje dhe del papritur duke më dhënë kënaqësi.

-Cila ishte poezia apo tregimi i parë në regjimin komunist?

-Atë ditë e mbaj mend si sot. Isha dhjetë vjeçe kur me një fletore me vjersha trokas në derën e zyrës, ku punonte Andrea Varfi, shkrimtari ynë. E ndrojtur, por këmbëngulëse për të marrë një mendim… I thjeshtë dhe i dashur, arriti t’i shkrijë emocionet e një fëmije vjershëtor, siç isha unë… Më tha se, sapo kisha nisur një rrugë të bukur dhe duhet të vazhdoja. Lexoja shumë dhe kartelat e mia në bibliotekën e qytetit të Vlorës, mbusheshin lehtë. Biblioteka e qytetit  më aktivizonte në konkurrimet “Miku i vogël i librit”. Në klasën e shtatë marr pjesë në një konkurs letrar të Radio-Tiranës, ku vlerësohem me çmim të dytë, ndërsa në klasën e tetë, hartimi në provimet e fundvitit u cilësua si më i mirë…

 Po më tej?

Rruga vazhdon…Në vitet  e gjimnazit kam qenë korrespondente e rregullt e gazetës lokale “Zëri i Vlorës”, kryetare e rrethit letrar të gjimnazit “Ali Demi”, anëtare e Degës së Shkrimtarëve dhe Artistëve vlonjatë. Kam qenë e ftuar në konferenca dhe konkurse të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Kur isha maturante, në gazetën lokale të Vlorës, në një vend të dukshëm, u botua portreti im “Me vullnet çan përpara”, shkruar nga Bashkimi Fifo, redaktor i kësaj gazete.

 Ke takuar në sistemin komunist Dritëro Agollin apo Isamil Kadarenë?

Po. Ishin takime shumë të veçanta. Në vitin 1971, marr pjesë  për herë të parë në takim ndërkombëtar të artistëve, nuk mbaj mend mirë nëse ishte konferencë apo kongres, por nuk harroj butësinë e fjalës, bukurinë artistike që përcolli në tryezën tonë, (shtruar në ambientet e Pallatit të Kulturës) poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli, që për shumë nga ne ishte idhull. Në nëntor të vitit 1973 (ndofta në datat 23-25 nëntor) isha sërishmi e ftuar në Konferencën e shkrimtarëve dhe artistëve që u zhvillua në qytetin e Korçës dhe kam qenë në një nga rreshtat e para duke patur në krah të madhin Ismail Kadare, ku dhe munda të shkëmbej mendime për poezinë.

 Puna jote ka bërë bujë kryesisht në gazetën “Jehona e Skraparit”?

Ishin kohë të arta, por dhe të vështira. Pas fillimit të punës së gazetare në gazetën “Jehona e Skraparit”, Skrapar, kam qenë e ftuar në festivalet e filmave artistikë , organizuar nga Kinostudioja. Më është dhënë rasti të njihem me skenaristë, regjisorë, artistë tashmë nga më të mirët si me zotin Viktor Gjika, zonjën Natasha Lako, por dhe të ftuar nga rrethet. Pra, eksperiencat nga bashkëpunimet me radio-Tiranën, gazetat e asaj kohe, takimet e  gazetarëve dhe artistëve, etj., më kanë ndihmuar të njoh më shumë problemet e kulturës dhe artit. Kam fituar shumë nga takimet dhe bashkëpunimet profesion ale me gazetaret dhe krijueset Feruze Bajo, Fane Boshanjaku, Zhuljana Jorganxhi, Alqi Boshnjaku, por dhe me poetët e njohur vlonjat Fatos Arapi, Irfan Bregu, Hiqmet Meçaj, etj..

-A ke pasur kufizime krijimtarie në atë regjim?

– Kjo as që diskutohet. Kufizimet në atë kohë ishin normale. Mbaj mend që kisha dërguar për të botuar një cikël me poezi në revistën “Nëntori”, organ letrar. Njërën prej tyre ia kisha përkushtuar një njeriu punëtor, fjalë pak dhe që kish ndërtuar një jetë familjare të qetë dhe me shumë edukatë. Titullohej “Njeriu i mirë”. Kur e lexova, poezia ishte tjetërsuar dhe përfundonte me fjalët: ‘njeriu i mirë, sekretari i partisë’. Sigurisht që nuk debatova. E dija mirë se fakti që emërimi im kaloi nga Radio-Tirana, në “Zërin e Vlorës” dhe përfundoi në “Jehona e Skraparit” ishte ajo njolla në biografi, si vajzë tregtari, me pasuri të konfiskuar nga regjimi komunist edhe  pse familja ime kishte ndihmuar materialisht luftën nacional-çlirimtare. Duke punuar në gazetë dhe qenë në kontakt të padiskutueshëm me direktiva e Partisë, tregohesha  e kujdesshme të mos përfshihesha në luftën e klasave. Më kujtohet njohja e rastësishme me një vajzë të mrekullueshme që atëherë jetonte në Roskovec, P.Dishnica. Bëmë një udhëtim të bukur me tren së bashku. Pas dy ditësh më takon një person i panjohur dhe më thotë. “Ti je gazetare. E di cila është ajo vajzë? Për të atin e saj flitet në veprën e parë të Enver Hoxhës. Merre lexoje…Më tha diçka për luftën e klasave, si një leksion dhe prej atëherë e kam parë atë njeri të fiksuar mirë vetëm pak vite më parë në treg duke tregtuar bulmet…

– Si krijuese sigurisht ke pasur ditë të vështira. Cila ka qenë dita më e bukur e krijimtarisë në regjimin komunist, po dita më e vështirë?

– Në krijimtari përsa i përket poezisë sime, nuk e kam patur të lehtë të evidentohet nëpërmjet botimeve. Miku im Miho Gjini, kur pretendoja të vazhdoja studimet e larta për gazetari më tha: “Unë mendoj se do të ishte më mirë të ndiqje artet, ndofta regjisurën…”. Dita më e bukur ka qenë pjesëmarrja ime në vitin 1971 në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe  më e vështira, kur ftohen sërishmi pas dy vitesh në Korçë në nëntor të ‘73-it. Im atë kishte vetëm dhjetë ditë që kishte ndërruar jetë. Kur më sollën ftesën, këmbëngula mes lotësh se nuk mund të udhëtoja. Mamaja ime që falte vetëm dashuri, ekuilibër, kulturë, edukim, që kish kontribuar në qytet si mësuese në luftë kundër analfabetizmit, në vitet e para të pasçlirimit, më përqafon dhe më thotë se unë duhet të isha në atë sallë, se jeta ime artistike sapo kish filluar dhe nuk duhej parë në këtë mënyrë..Gjithë rrugës nuk më ndahej kujtimi i afërt i tim etj, aq shumë i përkushtuar për familjen një baba shembullor… Ishte një udhëtim me shumë dhimbje. Pastaj në jetë të gjithë përjetojnë moment gëzimesh, lumturie, zhgënjimesh dhe dhimbjesh, por ajo që është e rëndësishme, mbetet  të ekuilibrohesh për të mos u rrëzuar në asnjë rrethanë.