Nëse kujton të kaluarat dhe harron të tashmet, dije se të ka zënë pleqëria
Njeriu gjatë jetës, kalon në disa stade kryesore: Fëmijëria përfshin moshën nga 0-11 vjeç. Adoleshenca 11-22 vjeç (kjo vlerësohet si mosha e kapërcimeve të mëdha, ose e thënë ndryshe si mosha rebele). Karakteristika kryesore e kësaj moshe është se zhvillimi fizik, është i vrullshëm, kurse ai mendor mbetet pas. E keqja qëndron se në këtë moshë duhet të vendosësh për disa probleme të mprehta të jetës si: shkolla, puna e në fundin e saj, ndoshta, krijimi i familjes. Është interesant fakti se mbi 50% e familjeve që lidhen në këtë moshë me kalimin e kohës divorcohen..etj.. Faza e tretë është mosha e rritur, e cila ndahet në moshën e rritur të hershme nga 22-45 vjeç. Në moshën e rritur të mesme nga 45-65 vjeç dhe pleqëria, për të cilën do të trajtojmë gjerësisht, përfshin moshën nga 65-deri në vdekje.
Pleqëria përbën stadin e tretë të moshës së rritur. Është mosha më probleme të mëdha fizike, psikike, shëndetësore, financiare dhe shoqërore. Prandaj zakonisht thuhet: “Vdekje të kishte, pleqëri të mos kishte”. Se sa është e vërtetë kjo, lexoni c`thotë përvoja jetësore për këtë moshë. Në fakt pleqëria fillon që me daljen në pension. Pensioni na kujton se jemi duke u plakur. Ai sinjalizon një gjendje të vështirë financiare për veten e familjen. Kur del në pension të duket vetja i tepërt e pa vlerë. Ndryshimi në mënyrën e jetesës është i madh. Të prishet regjimi ditor, e krijohen strese, të cilat të dëmtojnë psikologjikisht. Dua të theksoj, se këto faza s`janë të prera si me thikë. Këtu ndikon kodi gjenetik, gjendja shëndetësore, trashëgimia, sëmundjet që ka mënyra e jetesës e tjerë etj. Disa shenja të pleqërisë i kanë dhe para moshës 65 vjeç, kurse të tjerët ndoshta edhe pas 75 vjeç. Megjithatë, te i moshuari kanë ndodhur ndryshime të mëdha:
1- Ndryshime fizike
Gjatë kësaj kohe procesi i plakjes përshpejtohet dhe njerëzit përjetojnë një keqësimesh të gjendjes fizike. Vazhdon rrudhja e lëkurës, përshpejtohet rënia e zbardhja e flokëve, dhëmbët fillojnë bien dhe u nevojiten protezat. Trupi kërruset, vërehet një keqësim i përgjithshëm kardio –vaskular, frymëmarrjes dhe muskulor. Gradualisht shqisat bëhen më pak efektive p.sh., nuk sheh e dëgjon mirë. Fillon t`ju bien vetullat dhe kur fillojnë t’i bien qepallat, vdekja thuhet që gjendet mjaft pranë.
2- Ndryshimet psikologjike
Duhet thënë se shumë shoqëri i respektojnë të moshuarit, se ata kanë një shkallë të lartë mençurie e përvoje, dhe nuk mohohet se zakonisht zgjidhin probleme të rëndësishme. Ata, krahas shkollës kanë dhe shkollën e jetës. Kot nuk thuhet se njeriu mëson në shkollë, por ca më tepër në jetë. Jeta është një shkollë e madhe. Gjithsesi nuk mohohet fakti edhe pse jashtë procesit të punës, mjaft të moshuar luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Përveç të tjerash një i moshuar është bartës i një përvoje shumë vjeçare profesionale e jetësore, përvojë që i transmetohet të rinjve dhe i bën ata të nderuar e të respektuar nga e gjithë shoqëria. Por ka shoqëri, si e jona, që priret për t’i parë të moshuarit si, harraq, të paaftë dhe të rrjedhur… Faktet e kohëve të fundit tregojnë se, kapaciteti intelektual nuk bie automatikisht kur njeriu kalon moshën 65 vjeç, kjo përcaktohet nga faktorët që theksuam edhe më lart. Atij i mbeten informacionet të përgjithshme, por dobësohet kujtesa afatshkurtër. Në moshë mbi 75 vjeç, kohët e fundit është vërejtur tek shumë pleq humbja e pariparueshme e kujtesës. Kjo shoqërohet edhe me simptoma të tjera si, keqësimi intelektual dhe i personalitetit. Është interesante se në këtë fazë të moshuarit, kujtojnë ngjarjet e kaluara duke i përsëritur shpesh, e duke harruar të tashmet, aq sa s’mund të kujtojnë nëse kanë ngrenë bukë disa orë më parë apo jo. Njeriu në stadin e pleqërisë shqetësohet për gjithçka, i ngel mëndja në një çështje, duke e përsëritur atë shpeshherë. Nuk duron dot zhurmat e bëhet grindavec, sidomos me fëmijët, nipërit dhe mbesat që i do shumë, por nuk i duron dot…
Kujton se fëmijët nuk e duan më, sidomos kur ata martohen, duke e quajtur veten të tepërt. Kjo është më e theksuar kur ata martohen. Bëhen xheloz dhe i duket se fëmija nuk e do më, mbasi e gjithë dashuria ka kaluar te nusja apo te dhëndri. I sheh njerëzit nga duart. Bëhet tamahqar, kursen, bëhet i bezdisur, s’kënaqet për asgjë. Flet shumë. Kërkon ta dëgjojnë, ndryshe i mbetet qejfi, aq sa shpesh rri pa gjumë, ka frikë nga vdekja. Pra në pleqëri bie takati, por shtohet inati për gjithçka të bukur që ka shijuar në rini. Ndërkohë, dënon veten për mundësinë që ka patur në rini, për të realizuar diçka, por s’ke mundur ta realizosh ose më drejtë ka patur frikë. Disa mburren për meritat e së kaluarës, të tjerët të shohin nga duart se ç’mund t’i japësh, kurse të tretët mbyllen në vetvete, duke i pëlqyer vetmia edhe kur ndodh e kundërta .
3 -Stadi psikologjik i vdekjes
Nga studimet e kohëve të fundit është arritur në përfundimin se frika nga vdekja ulet me rritjen e moshës mbasi Zoti, siç thonë, në fillim të merr mendjen, pastaj të heq frikën. Pothuajse 20% e të rinjve kishin frikë nga vdekja, kurse ata mbi 75 vjeç ishin 2%. Të sëmurët pa shpresë, në kohë që i afrohet vdekja, kalojnë në disa stade:
-Stadi i mohimit. Personi beson se mjeku ka gabuar dhe s’është e mundur, që ai është kaq i sëmurë e do të vdes.
-Zemërimi. Kur i sëmuri e kupton se do të vdesë, zëmërohet dhe e shpreh këtë me njerëzit që ka përreth, duke shprehur frikën, dhimbjen, trishtimin, vetminë e shoqëruar me një koprraci të theksuar.
-Stadi i marrëveshjes. I sëmuri përpiqet të fitojë kohë, duke folur me mjekët e i lutet Zotit edhe pse më parë mund të mos ketë besuar. Në këtë kohë ata theksojnë, nëse do të mund të jetojnë nuk do të bëjnë gjynahe, do të punojnë më shumë, do të sillen më mirë, do të jenë të besës, e do të shkojnë më shpesh në institucionet fetare.
-Depresioni. Ata e kuptojnë faktin e pashmangshëm, që janë duke vdekur, megjithatë përpiqen të ushqehen sa më shumë me shpresën se mund ta shtyjnë dhe ca kohë jetën.
-Stadi i pranimit. Pranojnë vdekjen si pjesë të jetës, duke qenë të bindur e në mënyrë të qetë ta presin atë.
Përfundimisht në moshën e pleqërisë të humbet interesi për jetën. Ke problem me shëndetin. Të ulet aftësia fizike mendore e seksuale. P.sh nëse në mëngjes thua ç’po më dhëmb gjithë trupi. Nëse kujton të kaluarat dhe harron të tashmen dije o zotni, se të ka zënë pleqëria. Është e kuptueshme se këto nuk vijnë menjëherë. Herë është më e theksuar njëra, herë tjetra, por gjithsesi janë të pranishme bashkudhëtare, duke u thelluar me kalimin e kohës. Pleqëria vjen natyrshëm pa e kuptuar. Thellohet duke mos e pranuar dhe mbaron duke u rënkuar.

















