Dosila Shehu: Berati më ka dhënë qetësinë dhe dëshirën për dije

1244
Sigal

PERSONAZH/  Flet modelja dhe “Mis Buzëqeshja” e Beratit, Dosila Shehu

Një prezantim të shkurtër për lexuesit e gazetës Telegraf?

Unë quhem Dosila Shehu . Kam lindur në 5 Gusht të vitit 1999 në qytetin e Beratit, ku aktualisht banoj edhe sot. Berati më ka dhënë qetësinë dhe dëshirën për dije. Prindërit më kanë thënë se që prej fëmijërisë unë kam qenë një vajzë e mbarë, e qetë dhe e kuptueshme dhe preferoja së tepërmi kukullat Bratz. Gjithashtu më tepër parapëlqeja të luaja sesa të shikoja kukulla në televizor, si gjithë fëmijët e tjerë. Që prej fëmijërisë unë kam pasur shumë pasione, të cilat janë bërë sot edhe pjesë e realitetit .

Udhërrëfyesja?

Udhërrëfyesja ime kryesore është familja, e cila përbëhet nga babi, mami dhe motra. Me ta kam kaluar momentet më të bukura dhe më të vështira të jetës.

Kur flasim për fëmijërinë?

Ashtu si çdo fëmijë tjetër, edhe unë e kam kaluar një pjesë të fëmijërisë në kopsht. Në moshën 7-vjeçare unë shkova në klasë të parë në shkollën ”Mehmet Ali Vrioni”. Në këtë shkollë njoha shumë miq me të cilët vazhdoj të kem një shoqëri shumë të mirë edhe sot . Në muajin maj të vitit 2007, klasa jonë zhvilloi festën e Abetares, ku unë luaja rolin e Abetares. Mund të them se ky ishte viti im me fat, sepse gjatë tij unë zbulova që kisha talent edhe në fushën e muzikës. Fillimisht kam mësuar që të këndoj nën udhëheqjen e mësueses time Loreta Mino, e cila më dha një përkrahje të madhe dhe më ndihmoi që të ecja përpara. Në muajin tetor të vitit 2008, në shkollën tonë u zhvillua një sfilatë mode ku unë fitova çmimin “Mis Buzëqeshja”. Gjatë kësaj kohe lindi një tjetër pasion për mua, modelingu .

Si erdhën sflilatat e tjera?

Në datën 5 nëntor të vitit 2011, unë kam marrë pjesë përsëri në një sfilatë mode që u zhvillua në qytetin tonë, ‘Mis And Mister Baby’ , por këtë herë organizimi ishte më i madh dhe sfilatat zhvilloheshin brenda dy ditëve. Konkurrentët ishin të shumtë, por prej tyre u pranuan vetëm 37 fëmijë, ndër të cilët bëja pjesë edhe unë. Në këtë konkurs kam fituar çmimin “Mis Eleganca “, i cili ishte një çmim tepër i rëndësishëm për mua.

 Le të kthehemi tek muzika ku ke jo pak arritje?

Njëkohësisht unë vazhdoja të merresha edhe me muzikën ku kam fituar edhe shumë çmime të para dhe të dyta . Për shkak se më pëlqejnë sfidat, unë vendosa që në janar të vitit 2013 të bëhesha pjesë e audicioneve të talentshout për fëmije “The Voice Kids of Albania ” . Kalova shumë audicione për të arritur deri në fazën me zgjedhje, në të cilën humba. Edhe pse këtë audicion nuk e fitova, unë nuk i dhashë fund ëndrrës time. Përkundrazi, unë u ndjeva tepër e lumtur që arrita deri në këtë fazë dhe që u bëra pjesë e 50 konkurrentëve më të mirë. Udhëtimi im i fushës së muzikës vazhdoi më tej, me pjesëmarrjen time në “X Factor Albania 4 “. Në këtë kompeticion unë kalova shtatë nënfaza dhe arrita deri në fazën e televizionit. Pas gjithë këtyre eksperiencave unë aplikova në audicionet e Kompanisë së Filmit Shqiptar. Menjëherë, pas audicioneve, punonjësit e kompanisë më ofruan promovimin si këngëtare. Duke qenë se gjithçka shkoi shumë mirë me promovimin, kompania me pajisi me kartën e saj VIP .

Gjatë kohës që këndoja në ambientet e kompanisë, unë u bëra pjesë e grupit të modeleve dhe fotomodeleve të ‘Beautiful of Albania’. Këtu shkoja shpesh nëpër pasarela, duke mos i lënë pas edhe fotot, të cilat u promovuan së tepërmi.

 Pas Shqipërisë, kush ishin eventet e radhës?

Për shkak se në Shqipëri u prita shumë mirë, kjo kompani më transferoi në një kompani tjetër në Kosovë. Më duhej të udhëtoja shpesh dhe gjatë kësaj kohe unë arrita të zbuloja një tjetër pasion timin. Udhëtimet. Të gjitha këto janë eksperienca tepër të bukura për mua dhe nuk do t’i harroj kurrë, pasi kanë një vlerë tepër të madhe. Gjithashtu them se ky udhëtim nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë për një kohë tepër të gjatë.

Albert Z. ZHOLI