Disa vepra “të shquara” të Lali Erit për shëmtimin dhe shkatërrimin e Tiranës

798
Nga Ilir Sopoti

Kudo në Tiranë shikon veprat e “Shquara” të Erjon Velisë për shkatërrimin dhe shëmtimin e Tiranës si Kryetar Bashkie:
1. Sheshi Skënderbe që nuk mund të quhet më i tillë
Pemë përpara Pallatit të Kulturës. As nuk mund të qëndrojnë aty dhe as një arkitekt apo arkitekt peizazhi nuk do të pranonte t’i vendoste aty. Vetëm amatorët dhe injorantët mund ta bëjnë një gjë të atillë.
Konstruksioni me faqe vertikale betonarme dhe me valëzime betonarme si mbulesë mbi parkingun nëntokësor dhe pranë Bankës Kombëtare. Një shëmtirë me vete që nuk ka vend fare aty, sidomos i lënë ashtu siç është. I bërë për të pasur ashensor për parkimin nëntokësor dhe ndoshta edhe sistem ajrimi për parkimin nëntokësor. Kjo është skandaloze amatore dhe korruptive. Është vënë sheshi qendror i Tiranës në shërbim të parkingut nëntokësor që nuk duhet të ishte ndërtuar fare aty, sepse ajo sipërfaqe duhet të ishte për metronë e ardhshme të Tiranës apo stacion treni nëntokësor apo diçka tjetër. Me siguri që parkingu nëntokësor që ka tre hyrje me shkalle nga sheshi (prapë sheshi vënë në shërbim të parkingut) do të jepet me koncesion dhe nuk ka burrë nëne që ta prishë me atë parkim nëntokësor dhe ta kthejë në metro.
Sheshe dhe lulishte në anën perëndimore të Hotel Internacional. Një shëmtirë me vete që nuk shkon fare me ndërtesën e 15-katëshe është streha e sajuar në të gjithë gjerësinë e Hotelit dhe kolona betonarme e miratuar apo jo sipas ligjit nga Lali Eri. Po më keq akoma janë bërë platforma me granit apo mermer që të vendoste tavolina dhe karrige Hotel Internacional që më parë kishte vetëm një metër e gjysmë gjerësi në anë të ndërtesës së hotelit për karrige dhe tavolina. Edhe akoma karrige dhe tavolina edhe në rrugën-shesh të sapo ndërtuar. Diçka e shëmtuar dhe ordinere që mban erë amatorizëm, abuzim për të mos thënë edhe korrupsion.
Intensiteti , dendësia e pemëve dhe shkurreve në lulishtet rreth Muzeut jashtë çdo norme dhe rregulli. Kush e di se çfarë fati do të kenë.

Monumenti i Heroit Kombëtar Skënderbeut që duhet të ishte ne krye të vendit, sheshi të ishte i tij, ai duhet ta dirigjonte sheshin, të respektohej dhe të qëndronte madhështor së bashku me shtizën e flamurit kombëtar, të bënin rreth tij fotografi shqiptarë dhe të huaj që nga data e inaugurimit është pushtuar nga dy skela shumë të larta metalike të kuqe në dy anët e tij dhe mbi bazamentin e tij janë mbështetur skelat ordinere që shërbejnë për të dhënë shfaqje, përveç kodrës që i ka dalë përpara dhe që duhet të kapërcejë me trokth. Kjo është skandaloze dhe poshtëruese. Menjëherë duhet te lirohet monumenti i Skënderbeut nga skeletet dhe dërrasat që e kanë rrethuar dhe janë mbështetur mbi të. Ky është poshtërim i heroit kombëtar, kafshëri.

2. Bulevardi i Ri
Me shumë zhurmë Lali Eri e reklamon si vepër të artë. Mirëpo së pari, nuk duhet të ishte ndërtuar parking nëntokësor nën rrugën publike sepse si në të gjithë botën trupi i rrugës publike shërben për metro e vepra të tjera nëntokë. Së dyti, sapo e sheh del se korsitë e Bulevardit të ri të lali Erit janë me të ngushta se ato të bulevardit të Vjetër, pra në të dy krahët trupi i rrugës për makinat është nga 1-1.5 metra më i ngushtë se trupi i rrugës të bulevardit të vjetër. Kjo nuk është as profesionale as inxhinierike dhe krijon probleme të shumta në qarkullimin e makinave. Por ndoshta Lali Eri ka menduar ta ngushtojë edhe bulevardin e vjetër dhe të ndërtojë pallate të tjerë duke avancuar drejt rrugës dhe duke shkelur vijën e ndërtimit të krijuar të Bulevardit të vjetër Zogu I. A është bërë ndonjë llogaritje se si do të jetë fluksi i makinave tranzit, fluksi i makinave të zonës, numri i makinave që do parkojnë buzë rrugës etj, duke pasur parasysh se janë dhënë leje ndërtimi apo do të jepen të tjera për grataçiele të larta, shumë herë më të larta se ato të ndërtuara në Bulevardin e vjetër? Nuk ka as trotuar ndarës në mes me pemë siç ka qenë projekti italian i bulevardit dhe siç është bulevardi i vjetër. Thua qëllimisht të jetë ngushtuar gjerësia e bulevardit që të ndërtohen sa më shumë pallate dhe sa më shumë afër rrugës së makinave. Dhe në mënyrë skandaloze dalin nga dy blloqe betoni të lartë në të dy anët që me siguri shërbejnë për parkingun nëntokësor. Quo vadis? Mjerë ne në dorë të kujt kemi rënë!
3. Sheshi para Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”
Dikur ishte një Pallat Sporti që kishte edhe hapësira përreth tij, sipërfaqe funksionale të nevojshme dhe të llogaritura mirë qoftë edhe për hijeshinë edhe pamjen e tij. Pastaj nuk dihet si ju kthyen këto sipërfaqe pronarëve të mëparshëm dhe më keq akoma nuk dihet se si u dhanë këto leje ndërtimi me siguri të kundërligjshme duke dalë edhe përpara fasadës së Pallatit të Sportit dhe duke shfrytëzuar oborrin e tij për rrugë për pallatet e reja që u ndërtuan se atyre nuk mund t’u merrej sipërfaqe trualli për rrugë. Kjo u bë në anën e majtë të pallatit me leje të Edi Ramës duke i zënë edhe një pjesë të fasadës. Pastaj nuk dihet Edi Rama apo Lul Basha i përlau oborrin për rrugë makinash në anën e majtë të pallatit . Pastaj erdhi lali Eri dhe para pak kohësh përlau oborrin e Pallatit për rrugë makinash në anën e djathtë të Pallatit të Sportit duke i shkuar deri në rrëzë pa i lënë as trotuar. Nga prapa është kthyer në stacion autobusësh të Kosovës dhe ndërkombëtare dhe me siguri kjo rrugë nesër do t‘i shërbejë pallateve që po ndërtohen aty pranë te Foleja e Gjelbër etj, se nuk kanë nga dalin veç një tuneli. Ndoshta nesër buzë kësaj rruge të re të përlarë nga oborri i Pallatit të Sportit Lali Eri fillon jep edhe leje pallatesh. Kjo është skandaloze dhe prokuroria duhet të hetojë për gjithë këto veprime të kundërligjshme me oborrin, sipërfaqen funksionale të Pallatit të Sportit sikurse edhe me pallatin e lojërave me dorë në rrugën e Kavajës që e kanë mbytur ndërtimet para dhe anash.
4. Objekt një kat pranë urës Vasil Shanto. I ndërtuar me një leje të dyshimtë dhe ndoshta edhe të kundërligjshme të Edi Ramës për një ndërtesë një katëshe ashtu si edhe ajo dykatëshja në anën tjetër të urës. Për shumë kohë ishte një agjenci imobiliare. Mirëpo me lali Erin para disa muajsh u rrethua me rrjete dhe pa asnjë tabelë u shndërrua në një lokal me shkallë që ngjiten lart në një tarracë. Tani ata që rrinë në karrige ulur në tarracë të lokalit mund të vëzhgojnë nga dritaret e pallatit qytetarët që janë brenda në banesat e tyre 2-3 metra larg dhe të qetë mund të pinë kafe dhe banorët mund të dëgjojnë të njëjtën muzikë pa para në shtëpitë e tyre. Kjo është skandaloze dhe kriminale.
5. Mund të shikosh se si kudo në Tiranë lali Eri ka asfaltuar rrugë me një korsi makinash, rrugë qorre, rrugë me trotuare 10-20 cm të gjerë. Në vend që të bënte një PDV të zonës mbasi të miratohej plani i përgjithshëm vendor dhe të kryente shpronësime dhe prishje për rrjet të rregullt rrugor dhe funksional të Tiranës. Shembull është zona ndërmjet rrugës Myslym Shyri dhe rrugës së Kavajës.

6. Shikon se si zhduken rrugë publike makinash për t’i kthyer në lulishte dhe pastaj me siguri do të vendosen aty karrige dhe tavolina të lokaleve private. Po si mund të funksionojë ky rrjet rrugor duke i prerë pjesë të tij, sa problem sjell kjo heqje e rrugëve të makinave, a ka ndonjë projekt për rrjetin rrugor dhe jo të ashtë quajtur rikualifikim sheshi që nuk kishte nevojë për investime si sheshi pranë rrugës së ambasadave dhe rrugës së Durrësit, ndonjë llogaritje që e justifikon një krim të tillë.

7. Kudo shikon leje ndërtimi të miratuara nga lali Eri pa u miratuar akoma plani i përgjithshëm vendor i Tiranës. Për shembull në rrugën e Barrikadave, në rrugën e Durrësit etj

Këto janë disa nga veprat e “shquara” të lali Erit që po e shkatërron dhe shëmton çdo ditë të sotmen dhe të ardhmen e Tiranës.
Sigal