Çlirim Hoxha: “Ftesa” nga Ahmet Demaj, për Atdheun

746
Sigal

Autori ka ditur si të orientohet drejtë për t’i shërbyer këtij vendi e kësaj shoqërie, edhe kur jeta përpiqet të të kryqëzojë

“Ftesë” nga Ahmet Demaj

Kapacitetet intelektuale gjithmonë do zgjojnë interesin e publikut kur është fjala për të vënë pikën mbi (i). Akumulimi disavjeçar i ngjarjeve, aktiviteteve, udhëtimeve, përjetimeve mblidhen një ditë bashkë dhe vendosin të shkruhen si një dokument i plotë dhe dëshmitar i kohëve që po kalojmë. Ahmet Demaj ka vite që gëzon respektin e bashkëkohësve të tij, të qytetarëve të Vlorës dhe veçanërisht të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, dega Vlorë.

Si një njohës i mirë i letërsisë dhe historisë, i publicistikës, gjithashtu me prezencën e tij të hershme në shtypin kombëtar, Ahmet Demaj ngelet dera ku mund të trokasësh pa frikë për një arsye apo një tjetër. Mendimi i tij vlen, prandaj po kthehem te libri i tij i ri publicistik, ‘FTESA’, të cilin e lexova me një frymë dhe nisa të shkruaja opinionin tim rreth tij qysh në tetor, por flama mbarë botërore ma ndërpreu vrullin dhe më tulati disa kohë.

Ndokush mund ta paragjykojë Ahmet Demajn që ka përfshirë në këtë libër publicistik fjalime e shënime nga koha përpara viteve ’90. Unë mendoi krejt ndryshe. Njeriu ka lindur i lirë dhe gjatë rrugës, qoftë me dijeninë, apo pa dijeninë e tij është i detyruar që të kalojë në shtigje ku ka kaluar historia 60-70 vjeçare e Shqipërisë. Të mohosh veprimtarinë tënde përpara viteve ’90, do të thotë të mohosh një pjesë të mirë të jetës. Njeriu nuk mund të fshihet pas gishtit dhe të dalë sot e ta trumbetojë veten si demokrat i kulluar, madje i tërbuar fare, si një antikomunist, i cili përpara viteve ’90 kishte milituar gabimisht në atë parti dhe në atë sistem, jo për ndonjë gjë, por ngaqë nuk kishte rrugë tjetër. Qeniet humane dhe inteligjente dinë të përshtaten, dinë të orientohen dhe të peshojnë mirë rrugëtimin që kanë bërë. Ahmet Demaj nuk mund ta mohojë të kaluarën e tij të ndershme dhe atdhetare në shërbim të edukimit të brezave, pavarësisht se cila ideologji sundonte vendin. Vetëm muri nuk lëviz nga vendi, burri lëviz dhe përshtatet dhe kur kjo përshtatje është në dobi të shoqërisë, këtu kemi të bëjmë me inteligjencë superiore. Ndershmëria e Ahmet Demajt tregon se si ka ditur ai të orientohet drejtë për t’i shërbyer këtij vendi e kësaj shoqërie, edhe kur jeta përpiqet të të kryqëzojë ndonjëherë me të padrejtë.

Libri “FTESA” i Ahmet Demaj hapet me Ali Asllanin dhe Asllan Aliun, ku analizohen dy epoka, ajo përpara viteve ’90 ku Ali Asllani ishte lenë në hije dhe periudha e zbulimit të tij nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe etj. Ahmet Demaj është një analist i shkëlqyer, një zbërthyes deri në detaje të një materiali letrar që i bie në dorë, një kritik i hapur mendimeve dhe gjykimeve të tij. Ahmet Demaj është një avangardist i thekur që gjithë jetën e tij ka mbajtur në dorë flamurin e ndryshimeve progresive, të ecjes përpara të shoqërisë, të thyerjes së mentaliteteve që pengojnë zhvillimin. Këtë e tregojnë dhjetëra artikuj, analiza e komente që janë faqosur brenda librit “FTESA” e që përbëjnë përmbledhjen më sinjifikative të një njeriu, të një intelektuali të spikatur, të një atdhetari, gazetari e publicisti të sprovuar.

Ahmet Demaj në këtë libër nuk është fshehur dhe nuk është orvatur të fshijë epokat, duke mohuar një epokë dhe duke u dukur si një personazh që ka lindur vetëm prapa viteve ’90. Jo, ai është po i njëjti person që ka punuar dhe milituar në epokën para viteve ’90 dhe është po ai që vepron e punon në një kohë tjetër. Ahmet Demaj di ti ndajë mirë të dyja epokat që ka kaluar vendi që pas çlirimit të tij nga okupatori nazi-fashist në 29 nëntor 1944, e deri tani. Këtë e tregojnë analizat, artikujt, komentet që shoqërojnë faqet e librit “FTESA”. Udhëtimi i Ahmet Demaj nis nga Velça, nga fshati i tij i lindjes dhe nuk është ndalur gjatë gjithë jetës. Sa shumë njerëz ka takuar Ahmet Demaj gjatë jetës, sa shumë libra ka lexuar ai, sa shumë aktivitetet ka organizuar dhe drejtuar, të gjitha këto ndodhen në këtë libër si dëshmi e kohërave që rrodhën mbi truallin e këtij vendi, nga Velça, në Vlorë e kudo ku shkoi e punoi. E veçanta e Ahmet Demajt është se, ai mban shënime për çdo gjë, shkruan e lexon çdo gjë dhe akumulimi i viteve bënë që një ditë të lind një vepër publicistike që dokumenton historinë.

Ahmet Demaj është i thellë, është i përmbajtur, është guximtar që hap rrugën e të resë dhe fryn si stuhi mbi padrejtësitë e kohës. Të gjithë personalitetet e larta, miqtë e tij dhe miqtë e miqve të tij kanë zënë vend në faqet e këtij libri, autor, shkrimtar dhe poet, gazetar dhe kryetar, deputet dhe veprimtar kanë kaluar të gjithë në vrimën e gjilpërës së “vetingut” të Ahmet Demajt e për të dalë në anën tjetër të pastër në gjykimin e tij kritik.