Basha: Sonte performon Filarmonia e Tiranës, promovim talenteve të reja

478
Sigal

TIRANE- Filarmonia e Tiranës do të përformojë për herë të parë mbrëmjen e sotme në sallën e Universitetit të Arteve. Këtë e ka njoftuar kryebashkiaku Lulzim Basha në rrjetin social “Facebook, duke e quajtur një premtim të mbajtur. Në këtë koncert, ku e ftuar nderi është mezzo-sopranoja me një karrierë botërore, Enkeleida Shkoza, do të interpretohen vepra nga Mozart, Verdi dhe Bizet. Ndërkaq, filarmonia do të dirigjohet nga një prej dirigjentëve më të njohur francezë, Jean-Michel Ferran.
 
Ditën e sotme, mezzo -sopranoja Enkeleida Shkoza dhe dirigjenti, njëherësh drejtor artistik i Filarmonisë së Tiranës Jean Michel Ferran janë pritur në një takim nga kryebashkiaku Lulzim Basha.
 
“Prania juaj sot në këtë koncert të parë të Filarmonisë së Tiranës, jam i sigurt që do të jetë një ogur i mirë për vazhdimësinë dhe suksesin e saj. Asgjë nuk është mjaft për të mbështetur dhe inkurajuar talentet e shumta që ka sot Shqipëria dhe që ashtu si ju, po shkëlqejnë në skenat me prestigjioze botërore. Unë kam qenë dhe jam i vendosur të bëj gjithçka që kemi mundësi, për të inkurajuar dhe dhënë mundësi të rinjve të shprehin talentin e tyre”, tha Basha.
 
Ndërsa mezzo-sopranoja Enkeleida Shkoza ka shprehur kënaqësinë që do të jetë ajo, këngëtarja e parë që do të performojë me Filarmoninë e Tiranës.
 
“Ky është një mesazh i madh për të rinjtë e talentuar shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi për të vënë në skenë talentin e tyre. Në këtë kohë kur kriza ka prekur artin, të ndërmarrësh një iniciativë të tillë si Filarmonia e Tiranës është diçka e veçantë dhe duhet përgëzuar”, theksoi Shkoza.
 
Duke i bërë të ditur Lulzim Bashës se Filarmonia e Tiranës është përzgjedhur për të performuar në Operën e Bordosë dhe në prill në Milano, dirigjenti Jean Michel Ferran i cili është drejtor i konservatorit në Paris, kompozitor dhe pianist, ka vlerësuar talentet e Filarmonisë së Tiranës.
 
Lidhur me këtë, kryebashkiaku Basha ka shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim afatgjatë, duke e konsideruar ndihmën e artistëve shqiptarë me famë botërore, një shtysë të madhe për vazhdimësinë dhe suksesin e Filarmonisë.
 
Dirigjentë dhe solistë nga vende si Franca, Anglia, Italia, Gjermania, Austria etj do të jenë pjesë e koncerteve të Filarmonisë së Tiranës në muajt në vijim, sikundër artistë shqiptarë me famë botërore kanë shprehur gatishmërinë për të performuar me këtë Filarmoni.

basha me sopranon