Bardhyl Berberi: Të gjitha rrugët të çojnë në festën e verës në Pogradec

789
Edhe pse shiu nuk ka reshtur gjatë ditëve të fundit të vjeshtës, pogradecarët “rendin” nëpër pllajat me vreshta për të mbledhur rrushin Muskat, gemc, shesh i zi etj. Ata kanë bërë gati rrushin për ta shtypur dhe më pas ta hedhin në butet e verës. Pas më shumë se 40 ditëve në bute, vera është gati. Tashmë ata kanë hapur butet e verës dhe janë bërë gati për festën e madhe të verës. Secili ka çuar për konkursin e madh që organizon Bashkia e qytetit nga dy shishe verë të bardhë dhe të kuqe dhe pret të shpallet fitues i kupës për verën më të mirë…Sheshi qendror i qytetit para Pallatit të Kulturës “Lasgush Poradeci” po merr një pamje të vërtetë festive. Janë çuar drutë për ndezjen e zjarreve në shesh, tavolinat ku do të derdhet vera “lumë” ku secili mjeshtër vere pogradecar do të nxjerri butin në shesh. Skena kryesore përballë, ku do të shfaqet një koncert i madh festiv. Kryetari i Bashkisë Eduart Kapri për gazetën “Telegraf” ka thënë se, kjo është një festë mbarë popullore që i ka tejkaluar përgatitjet tona, atë e kanë marrë në dorë mjeshtrit e verës që në këto dy net 18 dhe 19 dhjetor do të sjellin në shesh verën e tyre të përgatitur me aq art dhe dashuri…Por kjo nuk është vetëm festë për pogradecarët. Sot të gjitha rrugët të çojnë në Pogradec. Nga gjithë Shqipëria dhe përtej kufijve, nga Maqedonia dhe Greqia vijnë sot në Pogradec…në qytetin e luleve dhe në qytetin e verës tradicionale të prodhuar në mënyrë artizanale nga mjeshtrit pogradecarë…Secili kërkon të pijë një gotë verë aty pranë zjarrit në shesh, të degustojë verën, nga të gjithë ka marrë një pamje madhështore. Temperaturat e ulëta nuk kanë penguar mijëra qytetarët Pogradecarë në festën e verës. Çdo pogradecar do të nxjerrë butet e verës aty në shesh, ku ka filluar kjo festë. Të gjithë degustonin verërat e secilit, mes mishrave të pjekur dhe qebapëve, duke konsumuar verën e prodhuesve artizanalë pogradecarë.
Tradita 
Është një traditë e lashtë e këtij qyteti, kur kodrat e Kalasë së qytetit dhe një pjesë nga fushat e tij mbilleshin me vreshta, ku çdo shtëpi pogradecare në qilarët e tyre mbanin butet e verës së kultivuar prej tyre disa kuintalëshe, ku mund të ngjiteshe vetëm me shkallë. Shumë djem të këtij qyteti e trashëguan brez pas brezi këtë traditë nga gjyshërit e tyre, duke marrë me vete në kujtesën e tyre romantikën e përpunimit të rrushit dhe të verës. Duket sot këtu, sikur vetë Dionisi e ka sjellë në këtë qytet këtë lloj rrushi, vera, vreshtat. Përpunuesit e verës përbëjnë shpirtin dhe ndërgjegjen e këtij qyteti dhe vetë ekzistencën e këtij qyteti. Mjeshtri i prozës shqipe, Mitrush Kuteli në krijimtarinë e tij, mes perlave do të hasësh ambientet tradicionale impresione të fuqishme, duke na dhënë në mënyrë simbolike të kuqen-verën, zjarrin dhe gjakun që vijnë si elementë të ekzistencës së shqiptarit nëpër shekuj.
Objektet si kazanët e rakisë butet e verës, govatat e përpunimit të rrushit dhe gotat janë të shpirtëzuara dhe janë të kthyera në simbole. Valltar pogradecarë me zjarr dhe burrat që konsumojnë verën që ata kanë prodhuar, janë simbole të një gjenerate të tërë, që i dhanë jetë këtij qyteti. Vera që derdhej “lumë”, këngët pogradecare që këndoheshin anembanë sheshit. Padyshim që në këtë festë kujtohen mjeshtrit e hershëm të përpunimit të verës si Fani Naçua, Haki Haxhillari, Bardhyl Shuke, deri tek mjeshtri më i ri i apasionuar, i cili është fitues për disa vjet rresht, Artur Blacëri .
Artur Blacëri, 9 vjet rresht kampion i verës, pse?
Artur Blacëri ka një pasion të jashtëzakonshëm për verën dhe kujdesi i tij, për të nxjerrë një verë shumë cilësore, fillon që herët. Ai ka parcelat e tij të rrushit në fshatin Alarup dhe në Stropockë. Ai ka kontraktuar fermerët prej disa vitesh dhe ju merr rrushin për verë. Rrushi pamidi i Stropckës dhe rrushi gemsi i Alarupit janë parcela karshi diellit dhe Arturi kujdeset që në kohën kur lulëzon rrushi, ndjek spërkatjet dhe përkujdesjen ndaj parcelave deri sa rrushi vilet në kushte optimale me sasinë e ëmbëlsisë të përcaktuar në teknologji. Ai nuk lodhet nga kjo përkujdesje, pasi frytet i vjel në fund, kur nxjerr verën e famshme. Madje Arturi në një nga rrugicat e vjetra kryesore të qytet të Pogradecit, ka një dyqan ku tregton verën dhe rakinë e tij. Në bodrumet e Arturit, vera e shtënë aty plotëson prej tij me fanatizëm të gjitha kushtet teknologjike. Madje kur futemi atje, Arturi thotë mos e ngri zërin “vera ka veshë”, ajo duhet të qëndrojë në heshtje të thellë…Ky është mjeshtri që synon nesër të fitojë kupën e dhjetë rresht për verën më të mirë artizanale…Ai është i sigurt për këtë gjë, me modesti thotë se ja ka bërë hyzmetin deri në një…Ai ka besim edhe pse juria është me specialistë të tjerë dhe vera është me kod, asnjëri nuk e di, pasi është zgjedhur vera fituese, hapet kodi dhe përcaktohet emri i fituesit…Që të arrish një sukses thotë Arturi, duhet të kombinohet pasioni për verën me dashurinë për profesionin. 
Mbrëmjen e datës 10 dhjetor “Sofra Tironës” festoi 17-vjetorin e datëlindjes
Një rrugë e gjatë, si jeta e një fëmije që lind e rritet me përkushtim e vëmendjen e prindërve të saj. Kjo sofër e gdhendur bukur dhe e mbushur plot e përplot me vlerat më të shkëlqyera të qytetarisë tironase, si mikpritja, bujaria, shpirti i saj i butë e artdashës, kanë vetëm një nënë. Ajo është “Shoqata Tironës” me stafin e saj, me ne krye kryetarin e saj, zotin Arben Tafaj. Në këtë datëlindje, mu dha kënaqësia të isha pjesë e stafit realizues,si drejtori Artistik. Me eksperiencën time shumëvjeçare si njohës dhe krijues i muzikës qytetare të Tiranës, i kushtova vëmendje përzgjedhjes së vlerave më të mira të traditës. U kënduan këngët e Muharrem Gurrës, Mustafa Budinit, por edhe këngë të Isuf Myzyrit, të cilat janë bërë prej vitesh pronë e Shqipërisë së Mesme e me gjerë. Larguam edhe ndonjë dëshirë të këngëtarëve për të kënduar këngë, të cilat nuk kanë lidhje me muzikën e pastër të Tiranës. Por nuk lamë jashtë edhe ndonjë krijim të ri, siç ishin këngët e Amarda Arkaxhiut dhe Greta Zanit. Vlerat e traditës erdhën në një mënyrë të lartë interpretative nga njëri nga trashëgimtarët e hershëm të kësaj kënge nëpërmjet këngëtarit Rrik Buneci. Në këtë frymë sollën interpretimet e tyre, Sazan Mecani, Ilir Tafaj, Valbona Mema, Iris Bega, Irma Gjurate, të cilët tashmë janë interpretues të shkëlqyer të kësaj kënge. Të ftuarin e nderit, këngetarin nga gjakova, Artan Bakia, nuk mund ta dalloje nëse është gjakovar apo tirans. Interpretimi i këngëve të Shqipërisë së Mesme ishte po e atij niveli të kolegëve të tij. Elementi i koreografisë, ishte një dekor i shkëlqyer edhe si numra koreografik në vete, por edhe si elementë dekorativ, i disa këngëve. Gërshetimi në mozaikun e disa valleve, të cilat përfshinin disa krahina të vendit. Puna me një pasion, tashmë të përhershmit, Vladimir Hasimi me orkestrantë të talentuar, të zgjedhur prej tij ishte elementi që përcolli me profesionalizëm të lartë artistik gjithë programin. Do të veçoja klarinetistin, Ismail Kavaja për lojën e tij plot gjallëri e dinamizëm në shoqërimin e të gjithë repertorit. Do t’i uroja kësaj “Sofre tiranase’’ jetë të gjatë në ruajtjen e traditës dhe promovimin e këngës së re Tiranase.
Sigal