Bardhyl Berberi/ Kolonja e Nolit dje dhe sot

1759
Sigal

Kanë kaluar pothuajse 93 vjet nga vitit 1923, kur Noli bëri një shëtitje elektorale në Shqipërinë e Jugut, si kandidat për deputet i Partisë Liberale në Korçë, që do të fitonte në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare të atij viti dhe siç citohet në jetën e tij, mbresa të pashlyera gjatë udhës për në Leskovik e Gjirokastër, i la vizita në Kolonjë. Mezi priste të shihte truallin e të parëve të tij, Nolëve. Nga Qafa e Qarrit ai sodiste pamjen e hatashme të Pllajës së Kolonjës, Gramozin madhështor nga njëra anë dhe peizazhin e errët të kreshtave të Malit të Zi, nga ana tjetër. Ku është qyteza, – pyeste? Halil Mesini, një veteran nga qyteza që e shoqëronte, mundohej t’i tregonte se ku ishte fshati i tyre, përtej kreshtave të zeza, mbuluar me pisha. “Sa vend i bukur, – kishte thënë Noli! Kur ta shpallim Shqipërinë, Republikë do të ndërtoj një kasolle atje në mes të pyllit me pisha dhe ç’do behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”. 

Por, Kolonja e Nolit është një destinacion i mahnitshëm turistik. Të tillë atë e bëjnë bukuritë e veçanta natyrore dhe ato të krijuara nga dora e njeriut, trashëgimia e pasur kulturore, ngjarjet e festat lokale, të cilat janë me interes për vizitorët e përbëjnë arsye që ata të udhëtojnë drejt Kolonjës. Ndër monumentet e natyrës, të cilat i gjen edhe në guidën turistike që ka përgatitur bashkia e Ersekës, tërheqja turistike është e madhe, veçanërisht për të parë Cukën e Pecit si maja më e lartë 2523 m, mbi nivelin e detit në vargmalin e Gramozit, Kanionin e Virkës dhe Borovës, Ujëvarën e Rehovës, Pishat e Pogonicës – (Sotirës Radanj), Malin e Koziakut, Kanionin e Pagomenit, Liqenin karstik akullnajor të Gramozit 2360 m, mbi nivelin e detit, Zonën e rrallë pyjore të Shelegurit dhe Gërmenjit, Korijen e Shën Kollit të Vodicës, Shpellën karstike të Podës, Urën e moçme të gurtë të Postenanit dhe atë të Radovës, Dafinën e blertë të Cërckës, Robujt e Bodres, Llixhat e Sarandaporit dhe ujërat termale të Postenanit. Vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik dhe monumente të tjera të kulturës si kala, tuma, kisha e teqe shekullore etj. Krahina e Kolonjës është më e larta në Shqipëri, me një lartësi prej 1100 m, mbi nivelin e detit dhe kushtet klimatike, me dy- tre muaj verë e nëntë muaj dimër, i kanë nxitur kolonjarët të zhvillojnë blegtorinë, pylltarinë, bletarinë, pemëtarinë, grumbullimin e përpunimin e bimëve medicinale. 
Produktet blegtorale të kësaj krahine, nuk i lënë të bien përdhe e janë të shumëkërkuara në tregun kombëtar e jashtë tij, kurse mjalti i bletërritësve të Kolonjës, sipas analizave që i janë kryer, cilësohet më i miri në vendin tonë dhe kjo lidhet me bimësinë e pasur e të larmishme të kullotave etj. Po relievi i thyer dhe i bukur, flora dhe fauna e pasur e Kolonjës, ofrojnë mundësi të mëdha për veprimtari të shumta turistike, duke filluar nga shëtitjet më këmbë, ose me kuaj në natyrë e deri tek sporte të ndryshme, siç janë turet me motorë e biçikleta malore, pse jo edhe me makina të tilla në Pllajën e Kolonjës, e cila me rrafshin e saj, është si një kartodrom natyror, aeronautika, alpinizmi, sporti i skive, eksplorimi e vëzhgimi i shpellave e kanioneve, banjat në ujërat termale të Sarandaporit e Postenanit, peshkimin në ujërat e Lumit të Osumit, Liqenin e Shelegurit. Mali i Gramozit është mali më i lartë i rajonit dhe i treti në Shqipëri etj. Për këtë, për ta bërë të vizitueshme krahinën e tyre kolonjarët, kanë hartuar një plan konkret për zhvillimin e turizmit, duke filluar nga familja e deri në Bashki në shkallë rrethi. Imazhi i turizmit në mendësinë e tyre është dëshira e njerëzve, për të udhëtuar jashtë komunitetit ku ata jetojnë, për çlodhje, argëtim, vizita ose biznes dhe përfshin të gjithë llojet e udhëtarëve. Dinë gjithashtu se turistët e huaj bëjnë pushime të shkurtra, duke organizuar udhëtime të përshkallëzuara, në vende që i kanë gjetur edhe me anë të internetit. Vetë gjeografia e kësaj pjese të Shqipërisë juglindore, me udhën nacionale që përshkon e lidh Korçën, me Ersekën, Leskovikun, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën, Gjirokastrën, Sarandën e me dhjetëra zona të tjera piktoreske midis tyre ua jep vizitorëve një mundësi të tillë. Kjo ka nxitur e po nxit banorët e këtij rrethi malor të vendit që të investojnë gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit, duke ndërtuar hotele të vegjël në qytet e pika turistike, bar-restorante e biznese të tjera që në infrastrukturën turistike, përfshijnë shërbime dhe lehtësira për vizitorët gjatë udhëtimeve e qëndrimit të tyre. Të tilla janë Hotel “Devi” në hyrje të qytetit të Ersekës, Hotel “Shazo” në jug të saj, Hotel-restorant “INXHUJO”, “Gërmenji”, “Zisi”, Kompleksi “Sotirë”, taverna me kuzhinën tradicionale kolonjare si “Prodani”, “Bilo”, “Mejdis”, “Alnedi”, apo bar-kafe “Gramozi”, “Fresku” etj, të cilët janë në konkurrencë me njëri – tjetrin, por edhe me kohën.
Mjaft prej tyre kanë punuar në emigracion dhe bartin në vendlindje një përvojë të çmuar që duke ia shtuar mikpritjes shqiptare, “sjellin në Kolonjë jo vetëm ata që kanë qenë njëherë, por edhe mysafirë e vizitorë të tjerë të huaj”, thotë shefi i kuzhinës kolonjare Thoma Milo. Kurse vëllezërit Gentian e Ali Xhaferri nga fshati Gjonç pas 10 vjet emigracion në Patra të Greqisë, kanë investuar një qendër relaksi për rininë, që duket si një kështjellë e vogël, me një oborr të madh e të bleruar aty në prehrin e Gramozit. Dhe shihni, gumëzhin si zgjua bletësh nga rinia. Traditë, shije, art, sepse mungesat në shërbime ose cilësia e dobët e tyre, mund të përcaktojnë nëse turistët do të qëndrojnë, apo jo për një kohë më të gjatë në qytetin tonë e për të ardhur edhe tjetër herë. Kështu thotë edhe djaloshi Rinald Kasko e sjell shembull për këtë vizitën e disa Italianëve, dikush atë të një grupi danezësh… E rëndësishme është që këta njerëz që jetojnë këtu mes maleve e kanë kuptuar, se tërheqje turistike nuk sjell vetëm natyra me bukurinë dhe ekzotikën e saj, por edhe ato që kanë krijuar e krijojnë vetë ata. Prandaj janë bërë jo vetëm më të vëmendshëm për ruajtjen e përmirësimin e peizazhit të natyrës, por edhe zakoneve tradicionale dhe trashëgimisë kulturore. Kolonja, si ç’do krahinë shqiptare ka muzikën, valët e veshjet e saj tradicionale, të cilat i ka ruajtur, duke i trashëguar ato brez pas brezi. Grupi karakteristik i këngës kolonjare i njohur anë e kënd vendit me emrin “As e vogël, as e madhe”, është një monument i madh artistik i prekshëm nga njerëzit, siç është edhe vetë kjo trevë në historinë e Shqipërisë, me ideologët e saj të shquar, poetët, mësuesit e studiuesit e talentuar e të përkushtuar ndaj gjuhës dhe arsimit shqip, luftëtarët dhe kapedanët trima që kanë bërë emër me heroizmin e tyre dhe nderohen si rrallë herë. Për të gjitha këto, kolonjarët janë krenarë e si njerëz punëtorë dhe me kulturë mundohen që ta çojnë përpara krahinën e tyre, me gjithë vështirësitë që kanë, duke promovuar vazhdimisht vlerat materiale dhe kulturore që krijojnë. Këtij qëllimi i shërben edhe Panairi Tradicional i Trashëgimisë Kulturore, që zhvillohet çdo vit me produktet e tyre bujqësore, blegtorale e të artizanatit rreth 40 subjekte nga qyteti i Ersekës e rrethi dhe si në një sofër të madhe, në oborrin e Shtëpisë së Plakës, ku mund të shijoje gjithçka, u fol aq shumë për ç’ka duhet bërë më mirë edhe në të ardhmen.
Jo vetëm nga ana e subjekteve prodhuese e bizneseve të shumta pjesëmarrëse, por edhe nga ana e specialistëve, studiuesve e artistëve nga Tirana, Korça e Lunxhëria që me shikimin e tyre të veçantë, mund të ndikojnë si rrallëkush në rilindjen turistike të krahinës. Nuk e di se ç’do të thoni nga ky panair për byrekun tim, ka merak Xhuli Milo, po e kisha t’hollur, ashtu si ma ka mësuar gjyshja ime në fshatin tim në Kaltanj. Kuzhinën e tyre, gratë kolonjare e quajnë si pjesë të rëndësishme të identitetit dhe kujdesi për ta trashëguar brez pas brezi, padyshim është me vlera të mëdha edhe për turizmin. E ka thënë Noli më parë, e kujtova dhe i përmenda ato që tregonte nënë Athinaja gjatë vizitës së saj në shtëpinë e Kristo Kirkës në Korçë, ditën e 28 nëntorit të vitit 1923. “… Hirësia e tij hante nga pak, por i provonte të gjitha dhe shprehte kënaqësinë e gatimit korçar, shumë të shijshme- Thoshte! Tek provoi byrekun, tha me shaka: “Si byreku i Kolonjës”, nuk ka! Qeshën të gjithë. – E ku e ke provuar byrekun e Kolonjës! – E ngacmoi Kristoja. – Në Amerikë, tha Noli. Më mbeti merak që s’pata mundësi të kthehesha pak në qytezë. Atje, po. Më tërheq kërraba…