Avni Spahiu, ambasadori i parë në SHBA rrëfen misionin e parë në takimet me Nënë Terezën dhe Bill Clinton

75
Sigal

“Misioni i parë”

Ish-ambasadori i parë në Uashington, Anvi Spahiu rrëfen sulmin për çlirimin e Kosovës, bisedat me Nënë Terezën dhe takimin me Bill Clinton

Prolog/ Si ambasador karriere, në misionin tim të parë në kryeqytetin amerikan, Uashington, shpesh mendoja nëse do ta ndjeja mungesën e shkrimit, si një gazetar që isha mësuar të jem githmonë pranë kompjuterit, apo me laps në dorë, për të marrë shënime, për të raportuar dhe për të shkruar.

Dhe, siç do të mesoja shpejt nga përvoja, përgjigja ishte jo, nga arsyeja e thjeshtë se gazetaria plotëson diplomacinë dhe përbën një përvojë të dobishme për diplomatin e ardhshëm.

Po, për më tepër, edhe diplomatët kanë lindur me laps në dorë. Ata janë të detyruar të shkruajnë vazhdimisht raporte, analiza, nota diplomatike, shkresa, parashtresa dhe kabllograme, gjatë tërë kohës së shërbimit të tyre, andaj dhe të shkruarit eshtë pjesë e përditshmërisë së tyre. Ndonëse, mënyra e shkrimit mund te ndryshojë, edhe diplomatët mëtojnë, herë-herë që raportet e tyre të mos jenë thjesht rreshtim i të dhënave dhe informacioneve, por që të përmbahen me thellësi, me hartime me të zgjeruara, me prirje publicistike, ndonëse ata që i lexojnë këto raporte nuk janë pos një grusht njerëzish në ministri jo të prirur për lexim të thellë, por me edukatë burokratike, të cilëve iu intereson vetëm informata.

Si pjesë e jetës moderne informative, edhe diplomatët bëjnë analiza koncize, siç e bëjnë këtë edhe gazetarët, por ndryshimi është se diplomatët nuk i dorëzohen dot imaginatës gazetareske në raportimet e tyre të përditshme.

Raportimet diplomatike, pos në raste të rralla, janë tekste të thata, pa emocione, pa zbukurime apo ekzagjerime, shpesh patetike dhe vështirë të lexueshme nga lexues të thjeshtë. Ato i dedikohen një publiku të ngushtë për konsumim profesional dhe për gëllime utilitare. Vetëm në raste të rralla, një diplomat do të bëjë ndonjë përshkrim më të gjerë, që do t’i ngjajë një shkrimi gazetaresk. Serioziteti dhe theksimi i peshës së çdo fjale të shkruar dhe të raportuar përbën thelbin e raportimit diplomatik.

Duke rrezikuar nga të qenit i përqeshur nga burokratët të cilëve i drejtohen rëndom këto raporte, ndonjë diplomati me sfond publicisti aq i bën që të jetë i përqeshur përderisa përmbush unin e vet intelektual përtej kronistit të thjeshtë dhe rekomandimeve diplomatike. Madje, të shumtë jane ata diplomatë, posaçërisht ambasadorë, që këtë interesim të tyre e kanë çuar edhe përtej kësaj, duke botuar libra, jo vetëm biografikë dhe profesionalë, por edhe thjeshtë letrarë dhe artistikë, pa harruar ndërkohë vokacionin e tyre aktual.

Dua të theksoj po ashtu edhe rëndësinë, në këtë fushë, të burimit narrativ, veçanërisht të kujtimeve nga përvojat: diplomatike. Kujtimet aktualisht konsiderohen të jenë një burim i një rëndësie të madhe në fushën e shkrimit historik. Por, diplomati duhet të ofrojë elementë të sakta për një vlerësim objektiv dhe gjithashtu, me kujdesin e duhur, të bëjë të pamundurën për të përshkruar ngjarjet, por duke pasur kujdes që tu shmanget profetizimeve. Problemi kryesor është mbledhja e të dhënave dhe aktiviteti i parë i diplomatit, në fakt, konsiston në grumbullimin e shënimeve, informacioneve dhe fakteve që do t’i mundësojnë atij për të raportuar me respektim absolut për realitetin, qoftë politik apo ekonomik. Edhe këtu, improvizimi është armiku më i keq i diplomacisë reale. Natyrisht, marrja me shkrime, apo me punë intelektuale të proveniencës së interesimit të tij, është një praktikë e njohur, e cila jo vetëm që nuk pengon një diplomat në punën e tij, por që përkundrazi, e kalit atë dhe e mpreh mendjen e tij edhe në punën e tij përfaqësuese. E dimë, po ashtu nga e kaluara jonë, se sa konsuj e diplomatë të huaj, që kanë shërbyer historikisht në vise shqiptare, apo në afërsi, kishin shkruar libra, disa edhe fiksion, për përvojat e tyre dhe shqiptarët në viset që kishin vizituar. Disa nga këto libra sot i shërbëjnë shumë historisë së etnosit shqiptar…