Asie Koprencka (Xhuveli):Ismail Qemali mori pjesë në Stamboll në diplomimin e gjyshit tim

764
Sigal

INTERVISTA/  Flet pedagogia dhe ekonomistja Asie Koprencka (Xhuveli)

Asie Koprencka (Xhuveli), tashmë është pedagoge në Universitetin “Marin Barleti”. Ka mbaruar studimet për ekonomi politike në  Universitetin e Tiranës dhe  më pas një master në lidership dhe në menaxhim të burimeve njerëzore. Vjen nga familja e madhe Xhuveli e Tragjasit të Vlorës, ku gjyshi i saj ishte sekretar i Ismail Qemalit. Madje Ismail Qemali ka marrë pjesë në diplomimin e tij në Stamboll. Babai i saj për 20 vjet ka qenë Shef i Arsimit dhe Kryeinspektor në Vlorë.

 Kë keni pasur në shkollë në periudhën që keni mbaruar?

Kam pasur shumë emra të njohur si, Sul Hadëri që është Dekan i Fakultetit Ekonomik shtetëror. Zenel Shalari është pedagog në Fakultetin Ekonomik, Meran Hysa, i cili është Dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe shumë të tjerë. Para nesh studentë të  tjerë me emër kanë qenë si Gramoz Pashko, Fatos Nano etj. Ekonomia politike e 4 viteve ka pasur gjithsej 70 studentë. Kur unë kam qenë në vit të parë Fatos Nano ka qenë në vit të katërt, kurse Gramozi në vit të  dytë. Të gjithë studentët që vinin aty, ishin me  mesatare 10 dhe me rezultate të larta. Edhe kur kanë dalë nga Universiteti kanë dalë me rezultate të larta. Lufta aty ishte se kush të dalë me  rezultate sa më të larta. Kjo degë duhet të jetë hapur në  vitet ‘70 kur unë kam shkuar studente, dhe në atë vit kanë dalë kuadrot e parë. Mbas kësaj, kam punuar 4 vjet ekonomiste dhe atëherë kam mbrojtur temën e diplomës.

 Ku ke punuar mbas Universitetit?

Kam punuar ekonomiste në një ndërmarrje ndërtimi, që ishte një ndërmarrje e madhe në Vlorë. Dhe kam një eksperiencë mjaft të mirë në këtë fushë. Kam punuar ekonomiste plani dhe pastaj në degën e financës ku ishte diçka e re dhe nuk ishte pjesë e profesionit tim, por kur e kujtoj mendoj se ka qenë diçka që ka vlejtur shumë po aq sa një Universitet. Nuk kam mbaruar për financë dhe më është dashur të punoj si financiere. Kjo ka qenë  një e re për mua, por ishte një sfidë. Pas kësaj, më është dhënë e drejta të jap mësim në një shkollë të mesme të përgjithshme në shkollën “Halim Xhelo” të Vlorës ku kam dhënë Filozofi, Ekonomi dhe Histori Partie. Pastaj më është dashur të mbroj filozofinë, megjithëse e mendoj se do të isha në një nivel më të pranueshëm dhe jo aq sa dija unë. Edhe kjo ishte një tjetër sfidë për mua. Lënda e ekonomisë ishte pjesë e profesionit tim. Gjatë gjithë jetës, vazhdimisht kam qenë në kërkim të asaj që në profesion unë mund të kërkoja dhe mund të jepja më të mirën dhe kështu ka qenë e gjithë jeta ime. Unë sa herë shkoja në një vend pune ku mendoja se formimi im profesional nuk ishte i plotë, gjithmonë kërkoja që të jepja provime dhe të kualifikohesha që t’i përgjigjesha nivelit. Menjëherë mbas kësaj, mua më emëruan si Inspektore në Drejtorinë Arsimore duhet të ketë qenë viti ’84-85. Paralelisht bëja mësim dhe kontrolloja shkollat e mesme. Gjatë kësaj kohe, kërkova të mbroja titullin “Kandidate e Shkencave” ku dhashë shumë provime pasuniversitare me rezultate të larta, punova edhe temën dhe  pastaj ndodhën ndryshimet në vitin 1992. Ato ndryshime na bënë që ne të provonim edhe papunësinë, megjithëse ishte absurde. Unë për të mbijetuar, u detyrova të bëja lloj lloj punësh të tjera, por gjithmonë pa u shkëputur nga sfera e arsimit. Dhe tani ndodhem në universitetin “Marin Barleti”, këtu në Tiranë.

-Në regjimin komunist si ka qenë mësimdhënia, si  ka qenë baza didaktike, a ka qenë regjimi i interesuar për arsimin?

Mendoj se para viteve ’90, arsimit i është kushtuar vëmendje e madhe. Metoda, që ne aplikonim për të mësuar, ka qenë metoda ruse dhe që e lodh nxënësin, por edhe  e mëson apo e edukon se si të mësojë.

Kam lexuar një studim në SHBA që perfeksionimi i një numri të madh mjetesh dhe përdorimi i tyre nga fëmijët do të bëjë që brezi që do të vijë do të  jetë më pak inteligjent se sa ky, sepse nuk vihen në  përdorim të gjitha pjesët e trurit. E them këtë, sepse  kam punuar për një kohë të gjatë edhe si psikologe dhe kam qenë 10 vjet në Vlorë drejtoreshë e shkollës me nxënësit me probleme mendore dhe 4 vjet kam qenë psikologe shkollash dhe koordinatore e psikologëve të shkollave, e mbështetur kjo  me kualifikime të veçanta. Nga eksperienca ime si mësuese dhe si pedagoge kam parë se sa më shumë ta vësh trurin në punë dhe me gjëra të ndryshme dhe me pak mjete ndihmëse rritet shkalla e inteligjencës. N.q.s njerëzit do të  specializohen vetëm në një drejtim dhe në gjërat e tjera  ata do të ngelen ashtu siç janë, truri është njësoj si  trupi, si muskujt dhe  kocka që n.q.s nuk vihen në  lëvizje ata atrofizohen. Edhe truri kështu është, nëse ai nuk aktivizohet i tëri ai atëherë do të  ngelet si tokë djerr e papunuar.

-Dua të  di diçka mbi prejardhjen tuaj, evoluimin e jetës të fisit tuaj në të gjitha kohët dhe regjimet?

Kjo është një pjesë që unë e them me krenari. Kur vjen momenti që unë kujtoj gjyshin, babain tim dhe më tutje, unë ndjehem krenare për origjinën. Unë e ndjej se  këto që po bëj janë shumë pak. Babai im ka qenë mësues dhe drejtor i parë i shkollës së Tragjasit. Babai im quhej Kamber Xhuveli. Fshati ynë është një fshat shumë  arsimdashës. Babai ka punuar në  pozicione të ndryshme si mësues, drejtor shkolle, inspektor arsimi dhe drejtor i arsimit në Shqipërinë e Jugut, në rrethin e Vlorës. Të parë në këtë aspekt, vij nga një familje që ka  tradita në fushën e arsimit. Mbase kjo më  ka shtuar shumë dashuri në  fushën e arsimit. Gjyshi im që është babai i babait ka mbaruar studimet në  Stamboll dhe quhet Xhaferr Xhuveli. Ai pat studiuar në Akademinë  e Lartë Ushtarake me rezultate të  shkëlqyera. Atë ditë  që ka qenë duke u diplomuar ka  shkuar Ismail Qemali për të marrë pjesë. Ata kanë pasur një histori në  familjen e tyre, sepse gjyshi i  tij ka pasur babanë e Ismail Qemalit si ndihmës, si sekretar. Pra ka qenë një familje që ka pasur miqësi me familjen Vlora. Ismail Qemali pasi pyeti, mori pjesë në marrjen e diplomës së gjyshit, duke u treguar krenar për arritjet e tij.  Që nga ai moment dhe për 13 vjet rresht Ismail Qemali e ka pasur shok të armëve dhe sekretar mbas vetes në të gjitha lëvizjet e  tij gjyshin tim.

Pra Ismail Qemali mori gjyshin tim ,Xhaferr Xhuvelin, i cili ka qenë edhe pjesëtar aktiv në ngritjen e flamurit  në Vlorë.

Gjyshi i gjyshit tim ka qenë Valiu i Beratit dhe i Shqipërisë së Jugut me emrin Kamber Delo Xhuveli. Është botuar edhe një libër me poezi kushtuar trimërive të tij. Edhe gjyshi i tij ka qenë Valiu i Shqipërisë së Jugut. Edhe ai është vlerësuar për luftën kundër grekëve. Me rastin e festës së 100 vjetorit të Pavarësisë, bashkia e Qytetit të Orikumit dhe shoqata “Labëria” edhe gjyshin e gjyshit edhe gjyshin tim e vlerësuan me  tituj të veçantë. Pra vlerësuan babanë e gjyshit edhe gjyshin.

Unë jam krenare që vij nga një familje e cila ka  dhënë kontribut për Pavarësinë e vendit.

Për fisin Xhuveli kam lexuar një libër ku ka mjaft ngjarje historike. Më thoni diçka mbi lidhjet me patriotë të fisit tuaj?

Gjyshi im pati fatin që nga bashkëpunëtorët e Ismail Qemalit të rronte gjatë pas çlirimit  të vendit. Gjyshi im Xhaverr Xhuveli më ka thënë se kur jam ndarë me Ismail Qemalin, ai i është lutur që të mos punonte në  administratën e Zogut. E vërteta është se Ahmet Zogu atë e thirri për të punuar në administratë dhe ai nuk punoi. Ai ka qenë kryeplak i fshatit. Çdo vit Ditën e Flamurit, me nismën e gjyshit u bë si traditë ku i gjithë fshati me  në krye gjyshin shkonin në  këmbë nga Tragjasi në Sheshin e Flamurit dhe në mënyrë simbolike përsërisnin ngritjen e flamurit. Atë e kanë vlerësuar shumë dhe ditën kur është varrosur, janë mbyllur shkollat dhe shteti i regjimit komunist e ka vlerësuar. Ai ka vdekur në vitin 1964. Nga viti 1964, çdo vit, vinin për vizitë në shtëpinë tonë në Tragjas që nga Enver Hoxha e të  gjithë Byroja Politike.

 Po kur ishte gjallë gjyshi a mban mend ndonjë takim me këta udhëheqës?

Një herë, në  vitin 1962, ka qenë 50 vjetori i  Pavarësisë dhe unë kam qenë 7-8 vjeç. Ka qenë Kryetari i Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi. Atë vit  erdhën tek shtëpia  jonë Enver Hoxha,  Haxhi Lleshi dhe shumë udhëheqës të tjerë. Një ditë më parë u morën shumë masa, na thanë të rregullonim çdo gjë në shtëpi. Askush s’e mendonte se do të vinte vërtet Enver Hoxha në fshat. Atë ditë fshati u mbipopullua. Kërciste kënga labe që nga hyrja e fshatit dhe deri në majë. Ishte dita më e veçantë për fshatin tonë, Kemi shumë  fotografi nga ajo ditë të cilat i mbaj si thesare. Një fotografi e madhe që është  sot në muze nga shtëpia jonë ka dalë, ashtu sikundër, një  pendë që firmoste Ismail Qemali. Me sa di unë, Muzeut gjyshi im i ka falur shumë sende dhe materiale. Kur është djegur shtëpia gjatë luftës dhe kur ai ka  dalë jashtë ka marrë vetëm fotografitë. Ai ato i quante pasurinë më të madhe. Mbas vitit 1992 vetëm një herë  e kanë  vizituar shtëpinë tonë  Presidenti i Republikës Rexhep Meidani me disa ministra deputetë. Mbas çlirimit nga 1945 dhe deri në vitin 1990, çdo vit në shtëpinë tonë kanë ardhur përfaqësues të  shtetit për të  nderuar veprimtarinë e gjyshit si patriot.

Ju ka pasur dobësi gjyshi?

Po. Vdekja e tij më hidhëroi. Është një libër i veçantë i shkruar nga Viron Ferati, ku janë edhe fjalët që janë mbajtur në varrimin e gjyshit. Unë kam qenë e vogël dhe kam qenë shumë  e lidhur emocionalisht. Të gjithë ata mbesa dhe  nipër që kishte  gjyshi më zgjodhi mua që të rrija pranë tij. Thonin se i ngjaja. Kur më është dashur të vij dhe të vazhdoj shkollën në qytet ai me gjyshen kanë ardhur pas meje.

Si i priti ai hapjet e kooperativave?

Edhe gjatë viteve kur është bërë kooperativa, me vendim të veçantë, gjyshit tim nuk iu mor toka. Edhe sot ajo figuron në hipotekë si pronë e babait tim njësoj si ka qenë atëherë. Megjithëse ai ka meritë të veçantë, edhe se gjatë luftës ka qenë ai që ka shpëtuar jetën e disa personave, sepse ishte personalitet. Ishte  e pamundur që në prezencën e tij të merrnin njerëz t’i arrestonin dhe t’i vrisnin. Ishte  një personalitet i njohur në krahinë, nuk ishte një personalitet i njohur vetëm në fshatin e tij apo  vetëm në fshatin e Vlorës. Por komunist nuk u bë.

 Çfarë edukate more nga familja?

Unë u  edukova në një shtëpi ku lufta politike ishte një  absurditet. Kurrë nuk përmendej tek ne biografi e mirë apo e keqe. Ne kishim miqësi dhe me disa fshatarë që kishin njerëz të arratisur, madje mund të them se

edhe babai kur ka qenë Shef Arsimi ka nxjerrë bursë disa personave që kanë pasur cen në biografi. Madje ne komshinjtë me cen në biografi i kishim, por dyert i mbanim hapur.  Babai në Seksion të Arsimit ka qenë 20 vjet. Ka qenë Shef Arsimi, kryeinspektor. Të gjithë krahinën  ai e ka pasur prioritet dhe shumë prej krahinës me ndërhyrjen e tij kanë marrë bursë të lartë. Babai im quhet Kamber Xhuveli.

Babai im quhej babai i kontabilitetit dhe ka mbaruar jashtë shtetit me medalje ari.

 Edhe Lefter Xhuvelin e kemi fis. Lefteri mburret me ne.