Lumo Kolleshi: Ceremonia e varrimit

596
Sigal

Numri i celularit u formua pa ndonjë vështirësi dhe, pa një pauzë të shkurtër, në zyrën partiake të provincës erdhi një zë i majmë:

-Ç’kemi andej? Besoj se shtabin e fushatës e keni ngritur. Më dëgjo këtu, përgatisni dhe një ftesë për ata që dolën kundër në konferencën e fundit dhe të organizojmë një takim në formë kokteji në lokalin “Koka e gjarprit”. Besoj është vendi më i përshtatshëm.
Ndërkaq shqetësimi që vinte nga provinca, kishte ngutje dhe e ndërpreu sakaq ligjëratën e nisur me patos të paparë.
-Mirë, mirë, -vijoi një zë gati i metaltë,- për diçka tjetër ju shqetësova. Duhet të vini këtu urgjentisht nesër. Ka vdekur…
-Kush? Kush?- e ndërpreu emrin e të vdekurit deputeti.
-Sportisti Pampa.
-Për një copë sportisti të marr gjithë atë rrugë? Thashë se mos kishit planifikuar ndonjë takim. Pastaj këto ditë do të merrem me posterat, se trokiti ora e fushatës.
Zyra partiake u shurdhua nga krismat e xhamit të dritares, që era e fortë e përplasi me rrapëllimë dhe copërat e kristalit kaluan mbi këpucët e partiakut të vogël, që ishte shndërruar në një njeri të tultë dhe për një çast u tremb, por zëri i deputetit pyeti serish:
-More, nuk më the, i ç’partie ishte ky që vdiq?
Një shurdhëri rënkuese u krijua në distancën që lidhte kryeqytetin me atë zonë gati të harruar, megjithatë biseda e kapi prapë fillin e këputur.
-Zoti Emin, ne këtej mendojmë të vini patjetër. Në varrimin e tij do të marrë pjesë gati i gjithë qyteti. Ideja e shndërrimit të funeralit në një miting të heshtur, kur dhe pak ditë ndanin nga fillimi zyrtar i fushatës, iu duk vërtetë fantastike dhe diçka krejt instiktive i solli një mrekullim fytyrës së dhjamosur.
-Okej,- përfundoi deputeti dhe e futi celularin në këllëfin e vet. Filloi të sillte ndërmend ndonjë kujtim apo takim të vetëm me të ndjerin Pampa, por shurdhëria e plotë ia ktheu përmbys të gjitha imazhet. Gati një shkreti sahariane në atë hamendësim dhe asgjë tjetër. Për më tepër nuk dinte as ku binte stadiumi i atij qyteti e jo më të sillte në sofrën e kujtesës diçka të panjohur. Në trurin e tij mendimet zunë të ngatërroheshin si hije mize në një rrjetë merimange, pa rrugëdalje, pa dhimbje, gati pa gjak.
Diku, aty, mes asaj zbrazëtie, i vetiu një mendim: “Sikur t’i them dhe ministrit të kulturës?! Vajtja jonë e përbashkët në atë ceremoni mes njerëzve të përlotur, do të lërë mbresa të pashlyeshme tek ta dhe përfitimi ynë do të vijë ditën e votimit”.
E nxori dhe njëherë nga këllëfi celularin. Po i dukej vetja si në një varkë mes dallgëve rrëmbyese të një lumi të turbulluar. Po sikur ministri t’i përgjigjej negativisht? Gjithë ajo fryrje këndësore e parapaktë i plasi si një flluskë sapuni e ngritur nga duart që po i dridheshin. Megjithatë njohja që kishte me ministrin ia lehtësoi disi formimin e numrit. Kështu bëri. Zemra e Eminit gati sa nuk po çahej në kraharorin e mbushur gjithë djersë dhe kravata ulej e ngrihej atje si një gjarpër uji. “Mund të shkoj edhe vetëm, por me një ministër në krah, do të shndërrohem në një njeri me rëndësi akoma dhe më të madhe. Ata njerëz të humbur rrallë kanë parë ministra në këto punë”. Pas bisedës me ministrin e puthi celularin me zellin e një fëmije dhe gati sa nuk u bë me krahë të ikte fluturimthi prej andej. Edhe pse kishte një farë pushtimi të brendshëm, pas miratimit që bëri ministri, nuk harroi t’i propozonte një darkë luksoze në lokalin mes dy guvave “Fluturimi i çaçkave”.
Makina e zezë po çante me vështirësi në sheshin përpara pallatit të mbushur me njerëz, që shikonin akrepat e orës. Minutat e pritjes së arkivolit po goditnin me forcë në ndërgjegjen e atyre që kishin brohoritur kaq e kaq herë atë emër në fushën e blertë. E tani nuk u kishte mbetur asnjë pikë fuqie për ta rindërtuar atë emër, ashtu siç nuk mund të riformosh një yll që ka lënë një vijë të ndritur diku në largësinë yjore.
Dy të ardhurit nga kryeqyteti e panë të udhës të zbrisnin nga makina dhe të çanin në këmbë mes njerëzve. Edhe pse pikëllimi i kishte bërë të heshtur, hyrja e të ardhurve në shtëpinë që po bëhej gati të boshatisej dhe nga vet klithmat për një çast e të përcillte arkivolin, nuk kaloi pa u vënë re, madje, në grupe të vogla njerëzish, zëri herë ulej e herë ngrihej. Dikush në këtë rast ngrinte lart vlerat e të ndjerit, dikush tjetër nuk vononte të mburrte deputetin që kandidonte përsëri. Diku në një qoshe me atë pak hije që bënte ligustra e vetmuar, ishin mbledhur gati të gjithë ata që mbanin kapele republike dhe harruan për një moment pse i kishin sjellë këmbët aty bashkë me shkopinjtë e zbukuruar dhe filluan një diskutim të zjarrtë.
-Ju kam thënë unë, ky deputeti është xhanan burrë,- e hodhi shkëndijën njëri nga ata që ngrinte dhe shkopin tok me zërin përpjetë.
-More, po ai që ka ardhur me deputetin, kush është?- pyeti një tjetër.
-Dëgjova se është ministri i kulturës.
-Ministri i kulturës?!- lëshoi si një mezat nga dera habinë më i thyeri ndër ta.
-Hallall,- ndërhyri prapë i pari,- kur të vdes unë do të vijë dhe vet kryeministri.
-Mbaj fort shkopin, o xhaxha,- u fut mes asaj bisede të plasaritur një djalë i ri,- ku e di ti se cili do të jetë kryeministër atëherë?
-Yni do të jetë, or bir, yni…
Ulërimat e grave sakaq u derdhën nëpër shkallë dhe po ndiqnin arkivolin e rëndë mbi supet e të afërmve dhe të shokëve. Moria e njerëzve u bë aq e heshtur dhe, me një komandë të brendshme, gati të gjithë u futën në kortezhin e gjatë drejt varrezave të qytetit. Vargani i heshtjes lëvizte fare ngadalë si për një udhëtim që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Vetëm dy të ardhurit nga kryeqyteti, të shoqëruar nga partiaku i vogël dhe nga pleqtë me borsalinë, i shpejtonin hapat më shumë se të tjerët. Takonin njerëzit e një grupi dhe nguteshin e shtyheshin më përpara të takonin të tjerët. Deri te porta e varrezave pothuajse nuk kishin lënë pa takuar asnjërin, madje dhe fëmijët e pranishëm merrnin një përkëdhelje në faqet e tyre.
Pas një nekrologjie të shkurtër, arkivoli u lëshua në fund të varrit dhe lotët e nxehtë të motrës së sportistit që kishin ardhur me avionin e shtrenjtë nga mërgimi, rrëshqisnin ashtu të beftë e të pa zë mbi dheun e butë. Varrimtarët, të mësuar me një punë të tillë, sikur të ishin prej guri, nuk u bënte përshtypje dhe punonin fare normalisht. Më në fund ata lanë lopatat mbi dheun e shkrifët. Ministri dhe deputeti parapëlqyen të hidhnin ca breza dheu me dorë dhe u shmangën paksa mënjanë. Takuan njerëzit e afërm të familjes dhe u drejtuan për te makina që kishte marrë kthesën.
-Mrekulli,- iu drejtua deputeti ministrit,- ishte më shumë se një takim elektoral.
Qielli i plumbtë i përplasi retë nga njëra anë në tjetrën dhe filloi një rrebesh i vërtetë pas atij varrimi. Makina e zezë iku nepër shi. Kortezhi i shformuar kishte lënë prapa krahëve varrezat dhe dyndej poshtë strehëve të shtëpive përdhese