Artist i Popullit Reshat Arbana: Tirana, diamante më I rrallë për mua

1633
Sigal

Kujtimet e “Artistit të Popullit” Reshat Arbana: Dita e një gruaje në Shqipëri ishte të zgjohej në 6 të mëngjesit, të mbante radhë për qumësht, të përgatiste fëmijët për shkollë…

Politeknikumi “7 Nëntori” ishte një shkollë që më mësoi disiplinën

– Tirana mbetet diamanti më i rrallë për mua

– Në periudhën komuniste ishte e ndaluar ta kundroje femrën si objekt kënaqësie

– Gra si, Merlyn Monroe, Brigitte Bardo, Jane Fonda, Sophia Loren e Madonna sollën një frymë të re lirie

Albert Z. ZHOLI

Qenia e tij me të gjitha dimensionet e njeriut, udhëton tek prejardhja, fëmijëria, mosha e jeta e trazuar, dashuria, martesa, fëmijët, tek të gjitha ato periudha, e momente të jetës, që përbëjnë jetën e njeriut. Intimitete nga jeta e tij personale, këndvështrime mbi jetën, sqima për të bukurën dhe një respekt i pafundmë për artdashësin, janë ato që e shtynë, që e motivuan dhe për të cilin krijoi dhe shkëlqeu. Ja disa momente nga jeta e tij…

Adoleshenca ka pasur ulje ngritjet e veta

Në atë kohë nuk njihej si term po sot e analizojnë me imtësi. Politeknikumi “7 Nëntori” ishte një shkollë që i mësoi disiplinën dhe e futi në artin e madh të njohurive. Ishte një shkollë që i  pëlqente, sepse atij i jepej shumë ndoresh për gjithçka, dhe kishte natyrë krijuese. Sigurisht që mbetën pas shokët e vjetër të lagjes dhe u njoh me miq të rinj. Çapkënllëqet dhe rrengat e fëmijërisë nisën të davariteshin kujtesës. Kishte shumë angazhime me shkollën dhe mezi gjendej koha për t’u marrë me ndonjë gjë që e relaksonte. Shokët e rinj ishin Arbeni, Viktori, Pandi, Jorgo e ndonjë tjetër. Atëherë bashkoheshin dhe shkonin të bënin banjë  në Erzen apo në lumin e Tiranës. Një ujë kristal. Laheshin dhe hidheshin nga lartësitë. Ishte viti 1952 apo 1953, kur xhaxhai për Bajram (kurban bajrami) kishte blerë një qengj të bukur të zi me pulla të bardha. Erdhi momenti që do e thernin. Kur pikas në shtëpi kasapin e lagjes, Dullën, nis lufta.  E adhuronte atë qengj të butë me atë vështrimin e pafajshëm si të ishte njeri. Ulërima, thirrje, e përplasje këmbësh e duarsh që alarmuan lagjen. Lutje, marrje me të mirë, propozime për oferta të ndryshme. Kasapi rrinte me duar të kryqëzuara, duke e ndjekur këtë skenë me tundje të kokës, sikur donte të thoshte se kjo punë ishte e kotë. Kjo skenë zgjati shumë. Dhe sa u hap porta, hyri xhaxhai. I kishin çuar fjalë, të vinte e ta bindte djalin e tij për shpirt. Se dhe nga druri që kishte ngrënë, nuk ish bindur dhe as që kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë. `

– Kush ma ka mërzitur çunin, kush ia ka prish qejfin. Qengjin e kam sjellë për çunin, që të luaj e ta ketë shok… Hajde, hajde ke xhaja ti! – dhe  Reshati iu hodh në qafë, duke e puthur e shtrënguar plot mall e falënderime, njeriun që gjithmonë derdhte aq shumë dashuri për të. Kaq ia zbuste gjakun dhe ia ulte tensionin xhaja i tij, sa me pak punë, pak lutje, fjalë të buta apo një sebep që mund të gjente xhaja, ai binte menjëherë në ujdi…Dhe xhaxhai, ndjeu se si ju hodh në qafë, duke e shtrënguar fort, shumë fort, me gjithë forcën e tij. Duke i shprehur kështu, dashurinë dhe afeksionin që ndiente për të.

Duhet të ketë qenë viti 1956

Ishte një mëngjes i purpurt me ca re që lundronin në qiell si anije me vela. Ishte bërë gati për të shkuar në shkollë. Tek dilte nga porta, i zunë sytë në bahçe diçka që nuk e priste. Nën hijen e një kajsie plot gjethe e fruta të mishta, që kishin nisur të verdhonin, i zunë sytë një qen të madh e të bukur i racës Pastor Tedesk, (qen kufiri si i thoshim në atë kohë). Ishte disi e çuditshme. I afrohet ngadalë me frikë se mos i ndërsehej sipër dhe mund ta kafshonte. Qeni nuk lëvizte. Kishte ca sy verdhmë që të falnin siguri. Pasi bindet se nuk do i kacafytej, i afrohet, duke e parë drejt e në sy. Merr një zinxhir, dhe ia hedh në qafë. U lumturua. Tashmë do të krenohej para të gjithëve. E pabesueshme ajo skenë. Ai nuk u ndje fare. Ishte i lodhur, tejet i lodhur.

-Qyqja, ç’është ky qen mor lanet, ku e gjete?! – i thotë nëna që e nguti të nisej për shkollë.

-E gjeta në kopsht. E kam lidh. Asht qen kufiri.

– Po si nuk ke frikë, more shejtan?!

-Është shumë i mirë, nanë, është me shkollë. Po e lidh te fiku, e do nisem për në shkollë, se më shkoi vonë. Pasdite do merrem me të. Do t’i gjej dhe ushqim.

-E ku ngopet ai me ushqim, more lanet ?! Ai është sa një gomar!

Mbas shkolle shkoi në shtëpi me shokët që tu tregonte mrekullinë që kishte gjetur. Shokët u shastisën. Për tu treguar interesant para tyre, nisi të ushtronte me të disa komanda që i kishte mësuar nga instruktorët e qenve. Kur shkonin në lumë për banjë, ndiqnin instruktorët e shkollës së qenve, që instruktonin qentë e kufirit. Instruktori e urdhëronte qenin: zvarritje, barkas shtrihu, merre shkopin dhe ai bindej përulësisht. Aty kishte mësuar. Po tani me qenin e tij ishte problem me çfarë duhej ta ushqente. Mësoi, se ai hante mishra dhe supëra. Atëherë vraponte në thertore, tek gazhina e mishit dhe mblidhte mbetje. Ja ziente dhe i gatuante supëza të shijshme. Pasditeve shëtiste me të. Qëndronin tek parku Rinia dhe stërviteshin. E pa që i kishte shumë zët policët. Një ditë tek po qëndronin ulur te shatërvani i parkut “Rinia” pikasi njërin prej tyre që iu afrua dhe desh e mbërtheu. Mezi arriti ta tërhiqte nga vetja. Ishte miku i tij më besnik. Shopenhaueri thotë se kush nuk ka zotëruar në jetë një qen nuk e di se ç’është besnikëria e pastër. Por një ditë ai u zhduk. Nëna si gjithmonë ishte trembur dhe kishte kallëzuar në polici. E morën. Por qeni ishte arratisur, dhe rrugës për tu kthyer tek i zoti, ishte përplasur me një makinë. Nxitoi për ta marrë. Sytë i kishin kërcyer jashtë si bretkosë dhe zemra i punonte ngadalë. Merr një karrocë dhe nxiton për në shtëpi. Rrugës ngordhi. Ishte një hidhërim i pamasë. Besnikëria është një vlerë që se kanë shumë njerëz, por kafshët e kanë epërsi. Ndaj, ajo kafshë ishte një dashuri e heshtur dhe shumë domethënëse. E varrosi në kopsht, ku dhe sot ndodhen eshtrat e tij. Ndërsa kujton atë ditë, e mban mend veten, tek vajtonte me hidhërim e duf. Ishte bërë pjesë e jetës së tij. I bindur, i bukur, plot energji, me ato sytë e tij tërë mistere që s’flisnin, por tregonin adhurim pa kufi.

Virgjëria e dikurshme e Tiranës i ka ngelur në kujtesë.

Tirana ka qenë një vend arkaik dhe i virgjër. Si tirons i vjetër, mban mend shtëpitë karakteristike me hajate të veshura me dru, me veranda të mbushura me mëllaga, karafila, lulebore e trëndafila nëpër bahçe. Njeh çdo lagje dhe familje të vjetër me traditë. Si djalë trazovaç që ish, ka bredhur në të gjitha rrethinat e saj, për të zënë gardalina e zogj, për të bërë banjë e për të kapur peshq. Tirana ishte e rrethuar me pyje pa fund e djerrina me ferra, ku lëvrinte një bimësi e harlisur e lloj-lloj gjallesash. Në atë kohë nuk kishte lodra për fëmijët, dhe inkursioni në natyrë ishte një nga kënaqësitë e moshës së tyre. Kryeqyteti kishte pazarin e vjetër karakteristik, xhaminë e Et’hem Beut, ministerialet e stilit fashist që i jepnin ajrin epror shëtitores që rrethohej nga kurora blerore. Dhe tash i vjen ndërmend, ajri i pastër i udhëve pa makina.  Qyteti ku ke kaluar fëmijërinë e je rritur, është pjesë e dejeve të kujtesës. Është një frymë, që s’ta jep dot asnjë vend tjetër. Është histori, është e kaluar, është gjak, është dashuri e pafundme. I përket atij vendi, siç i takon toka universit. Vendi është një nocion që të mbush, të ngjall, të bën vetvetja. Reshati ka shëtitur anekënd globit, po Tirana është diamanti më i rrallë për të. Kjo dashuri e ka mbajtur gjallë, aq sa nuk është tunduar kurrë ta braktisë atë për të emigruar në ndonjë vend të pasur të Europës. Është qyteti i tij. Dhe pse ndonjëherë duket sikur vendi kthehet në dekor të papërfillshëm, kjo është vetëm një ide kalimtare. Qyteti është atdheu yt. Je i lidhur me të si me njerëzit e tu të gjakut. E dashuron gjithnjë në heshtje dhe i dhuron atij historinë tënde të jetës dhe kontributin e punës tënde. Sa shumë pjesëza kujtimesh të lidhin me të. Reshatit i kujtohet që një pasdite po ktheheshin në rrugën që gjarpëronte nga Selita, kur pikasën në një luginë të vogël dy çifte të rinjsh që bënin dashuri. Putheshin e shtrëngoheshin tërë afsh. Përkëdheleshin në pjesët intime dhe më pas kacafyteshin në epsh. Ishte hera e parë që shihte diçka të tillë. Befasi! Ndal hapin dhe hutohet si buf. Ishin pothuaj lakuriq dhe të bashkuar në lëvizje fizike, që kurrë nuk i kishte parë ndonjëherë. Dihatnin në thirrma kënaqësie e zaliteshin në krahët e njëri-tjetrit. Deri në ato momente shumë pyetje i kishin ardhur ndër mend, po nuk kish gjetur përgjigje. Pse bashkohej një femër me një mashkull?! Pse ndiente ereksionin e organit të tij gjatë natës dhe ëndërronte të puthte vajzën që pëlqente?! Pse kur shihte një vajzë të bukur ndodhte një revolucion fizik tek mashkulli?!  Fiziku i tij i ndryshëm nga ai i femrave, ishte një gjë që e kish kuptuar që në vegjëli. Po hamendësimet mbi seksualitetin ishin tabu dhe ishte turp të pyeste. E vetmja gjë që urohej nga njerëzit ishte “Marrsh një nuse të mirë!” që e bënte të skuqej deri në rrëzë të veshëve. Nga prindërit nuk kish diktuar kurrë ndonjë gjë. Jeta intime ishte e fshehtë dhe për të nuk flitej kurrë. Por ardhja e një fëmije në jetë ishte një mister. U kallëzon shokëve. U fshehën pas një ferre të madhe, e shihnin me kureshtje çfarë po bënin çiftet. Ndenjën gjatë duke i vëzhguar (si në një film), derisa i diktuan. Kur i zbuluan, njohën vajzat. Ishin vajza të shkollës ku studionin dhe ata. Ishin moshatare të tyre që provonin ndjenjën fizike në moshë të mitur. Aq shumë i ngacmuan më vonë për turpin që kishin bërë, sa ato u detyruan të sikteriseshin nga shkolla. E ku mund t’a kuptonte atëherë se ç’ishte seksi dhe liria për tu dashuruar?! Dhe ishte një gjë normale për kohën që jetonin. Dashuria për ta ishte diçka sublime dhe duhet të ishte një ndjenjë serioze që kurorëzohej në martesë. Siç ka mësuar më vonë, revolucioni seksual në botë ka filluar pas luftës së ftohtë. Në fillimet e shekullit 20-të, Frojdi ngulte këmbë që rrënjët e sjelljes njerëzore komandohen nga libidoja. Në atë kohë yjet e kinemasë u kthyen në objekte të dëshiruara nga e gjithë bota. Femra të bukura e djem afashinantë u seleksionuan për t’u bërë yje të kinemasë dhe filluan të interpretonin në filma skena romantike dashurie, puthje, përqafime e flirte. Një kulturë e tërë u transformua nga aktet e dashurisë publike. Ajri konservator që kish trashëguar deri në atë kohë bota, i bëri rrugë një shekulli erotik që e bëri aq popullore industrinë e kinemasë. Emrat e famshëm të kinemasë u kthyen në yje, diva e ikona. Gra si, Merlyn Monroe, Brigitte Bardo, Jane Fonda, Sophia Loren e Madonna sollën një frymë të re lirie dhe u kthyen në celebritete. Një skenë dashurie në çdo film u pranua si normë. Shumë libra që u shkruan në këtë kohë nga të mëdhenjtë e penës ndryshuan mentalitetin seksual. Por në Shqipëri këto sjellje konsideroheshin revizioniste dhe shfaqje të huaja. As që imagjinoheshin! Çdo sjellje e tillë quhej joedukative dhe dënohej nga ligji. Librat quheshin të ndaluar dhe i vihej vula e verdhë. Në Shqipëri luftohej për barazinë mes gruas dhe burrit. Engelsi në librin e tij”Gruaja, familja dhe origjina e pronës private” afirmon se “Emancipimi i femrës do të jetë i mundur kur ajo të marr pjesë në procesin e prodhimit në shkallë shoqërore dhe detyrimet shtëpiake do të jenë vetëm një pjesë e kohës së saj. Dita e një gruaje në Shqipëri ishte të zgjohej në 6 të mëngjesit, të mbante radhë për qumësht, të përgatiste fëmijët për shkollë, të vraponte për punë me autobus, të vuante të ftohtin e dimrit, të kthehej në shtëpi të ushqente fëmijën, të bënte punët e shtëpisë, të ngrohte shtretërit me borsa uji, të lahej me kanoçe ose mund të ishte me fat nëse kishte një dush me vajguri, dhe më pas vrap në shtrat. Makinë?! Duhej të kishe imagjinatë të shfrenuar për të menduar për të ( jo më për ta pasur pronë). Në periudhën komuniste ishte e ndaluar ta kundroje femrën si objekt kënaqësie. Le që po ta përllogarisje, as kohë praktike nuk i mbetej  të mendonte për lukset e lirisë seksuale. Ndërsa e kujton sot këtë episod buzëqesh. Sot gjëra të tilla janë trend i ditës. Por gjithsesi, ai është i mendimit që ka vende të përshtatshme për skena të tilla dhe nuk duhet të jenë kaq publike.