Arian Sukniqi: Kontratë “tallava” për artistët e TKOB-it

527
Sigal

Teatri i Operës është bërë qesharak, se është i vetmi institucion me mentalitet komunist 

       Po bëhet shumë kohë që në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit po valëvitet një kontrate “tallave” që me keqardhje e them  që nuk ka asnjë ndryshim nga mënyra si është trajtuar dhe forma që bëhet prezent, e cila i ngjan një kënge tallava, ku kushdo shton tekst, melodi sipas dëshirës pa ruajtur asnjë forme ligjore, ku e gjitha thuret  për hir të një kompromisi që i shërben momentit. Shtohen dhe hiqen paragrafë nene, me një papërgjegjshmëri totale, a thua se jemi në emergjencë!!! Po përse ky nxitim? Përse ky presion? E kundër kujt? Artistëve shqiptarë, të cilët në këtë moment janë përçudnuar, mbrojtjen e vetme kanë punën dhe historinë e mrekullueshme artistike shumë vjeçare në këtë teatër.

Mënyra diletante se si presionohet, të drejton gjithherësh të mendosh se ka një hile të madhe nga punëdhënësi, kjo e kuptueshme edhe pa u konsultuar me studiot ligjore. Përse duhej të krijohej një armiqësi e tillë duke i drejtuar artistët të kontaktojnë dhe të flenë çdo natë me ligjet e jurisprudencës nën jastëk. Në fakt askush nga ne nuk e donte këtë situatë, por mënyra si po bëhet po vihet në diskutim serioz buka e gojës, se për të tjerat as mund të mendohet tashmë.

Po dëgjojmë rëndom se Teatri Operës është bërë qesharak, se është i vetmi institucion me mentalitet komunist në Europë që punon kështu, që nuk ka konkurrencë, që paaftësia është ulur këmbëkryq në mes të Teatrit e broçkulla të ndryshme që për besë e kanë bërë qesharake situatën. Por nga kush dëgjohen këto? Nga njerëz që sahati i ka mbetur  tek impresioni që kanë marrë nga   prodhimi i traktorit të parë Shqiptar.

Ndoshta nga burimi, sugjerimi për këtë çështje mund të ketë qenë ekzigjent, por siç ndodh ekzakt në Shqipërinë tonë përmbajtja shpërbëhet dhe kthehet në pasiguri, ku hallkat skopjojnë me njëra-tjetrën dhe kontakti që vjen tek ne është i tmerrshëm. Nën një injorancë mesjetare, nën një padituri totale nga njerëz që s‘mund dhe s’dinë  të bëjnë ndryshe, natyrisht me format mjeran intelektual.

“Prifti“ ynë predikon  sikur te ishte ne nje fshat me dy shtëpi,  se kjo kontratë rrit performancën! Qeshim dhe në këtë hall që na ka zënë, mendojmë po si ka mundësi që ky “prift” i harruar predikon kështu për parajsën, aq më shumë duke u çjerrë, për të na kujtuar se jam i rracës tuaj?!… Merr dhe ca “kaptera” për ndihmë  që kanë veshur kapotën e sindikatës dhe nuk lenë TV  pa broçkullisur, por edhe duke futur sherr mes artistëve me metoda sigurim janë ndoshta të përdorura moteve të shkuara dhe në fund hanë përsëri çorbën që kanë lënë përgjysmë. Pastaj na paraqiten si magjistarë “profesionistë” me  gjeste kërcënuese dhe si qershinë mbi tortë përdorin britmat dhe hungërimat e stonuara që do t’i kallnin tmerr edhe kafshëve që jetojnë në stepat siberiane. Si të tillë paraqesin rrezikshmëri shoqërore, ndaj institucionet e rehabilitimit duhet të gjejnë vend për këto “paciente të rinj”.

 Gjithkush pyet, Po ç‘bëhet me ju? Pse nuk pranoni të zhvillohet konkurrenca etj., pyetje, të cilat janë rrokur normalisht nga bisedat dhe deklarimet qëllim mbrapshta dhe tinëzare nëpër TV apo shtyp. Në fakt askush nuk thotë qe nuk ka probleme, askush nuk i trembet audicioneve dhe konkurrencës së ndershme. Të gjithë duan të kontribuojnë në nivelin më dinjitoz të vetes, por dhe Teatrit, që niveli të përafrohet me nivelet më të larta të Teatrove që funksionojnë  përafërsisht në kushtet tona.

Nuk dua të zgjatem shumë me këtë paçavure kontratë, pasi atë një jurist i thjeshtë nuk e përtyp dot e jo më studioja ligjore që tashmë artistët kanë pajtuar për t’i përfaqësuar nga antiligji që i qëndron si një përbindësh mbi krye në një shtet të së drejtës dhe aq më keq aspirant për në Europën e civilizuar.

Aq më shumë bëhet e pabesueshme kjo kontratë “TALLAVA” kur përballesh dhe përjeton një paaftësi totale të drejtimit të institucionit. Aq e vërtetë është kjo sa, nëse kthehesh në bilancin 8 mujor të drejtuesve aktual e shikon si  dritën e diellit se çfarë ngjet në këtë teatër. Nuk po flas për strategji se ajo nuk lindi  kurrë, por edhe kalendarin po ja falim se nuk mund ta realizojnë, por të paktën mblidhni spektatorin që gjetët se e keni frikësuar dhe nuk i afrohet më teatrit. Po nuk ka ndodhur as në vitet e marrëzisë të ‘97-ës që në sallë të ishin më shumë artistë se spektatorë. Këto çudira i sollët Ju që e drejtoni teatrin Par- Time që në vend të merreni me krijimin e  kushteve optimale të punës së artistëve, me rritjen e nivelit artistik, krijimin e kushteve artistike të performancave, kërkoni të mbani mbi shpatulla dhe probleme të cilat ju nuk keni të paktën kapacitetin intelektual ti përballoni. Ju mund të hargaliseni nëpër shtyp duke gënjyer për arritje, por sigurisht nuk është faji juaj që keni dekada që jeni të shkëputur nga realiteti shqiptar dhe ora ju ka mbetur tek tolloni i mishit. Por jo more të nderuar se s‘mundeni ju ta zeroni kontributin e 250 burrave dhe grave të cilët  kanë drithëruar skenën si brenda dhe jashtë Shqipërisë me kryevepra të cilat dhe teatro prestigjioze mendohen shumë për ti realizuar. Ju nuk mund të zeroni “Aiden”, “Liqenin e Mjelmave”, “Traviatën”, “Trovatoren”, “Don Kishotin”, “Madam Batterfly”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Arrëthyesen”, “Përrallat e Hofmanit” “Ëndrra e një nate vere” e plot të tjera e deri te veprat kombëtare në opera, në ansambël dhe në balet  që nëse i përmendim të tëra do duheshin disa faqe gazete. Nuk mund të mohohen performancat spektakolare të një armate të tërë artistësh të famshëm të huaj dhe shqiptarë në TKOB që kontributet e tyre i kanë në skenat më të mira botërore, paçka se ka dhe një sërë artistësh që punojnë jashtë Shqipërisë që bëjnë viktimën sa herë ndërrohen drejtuesit si të pa vlerësuar nga  ata që ikën. Kjo është një grackë ku mund të bjerë çdo drejtues rishtar, aq më keq kur se kupton dhe nuk di pozicionin që të kanë dhuruar.

E mendoj kështu pasi nuk dua ta besoj se qëllimisht ndonjë biçimsëz insiston për të sjellë nga jashtë artistë jo për të sjellë vlera, por për të kompleksuar artistët në teatër që punojnë në kufij mbijetese. Sot bota për shkak të informacionit është bërë shumë e vogël dhe nëse ke mundësi kryesisht financiare sjell çdo yll të artit botëror. Stafet drejtuese nuk ndërrohen për tu formatuar si agjenci artistike në një institucion shtetëror, por të ndërtojnë politika me specifika të veçanta dhe modele në koherencë me tregun dhe shijeve që absorbohen nga mentaliteti i një kombi. Nuk mund të drejtohet një institucion me njërën që studion violinë tërë ditën dhe tjetrin që rri ulur në sallat e provave, ku e vetmja fjali që thonë gjithë ditën me tone të larta është firmosni kontratat… Sa humbisni kohën duke kërcënuar artistët ose firmosni kontratat ose Go Out ka plot probleme për të zgjidhur në këtë Teatër që deri dje jepte ngrohtësi për të tërë tani i kanë  molepsur bronko-pneumoninë artistëve dhe spektatorëve.

 Kur të japin në dorë një flamur për ta tundur profesionalisht me një qëllim të caktuar edhe për të justifikuar ndoshta dhe zëvendësimin e paraardhësve duhet ta valvitesh me shumë inteligjencë dhe profesionalizëm, në të kundërt flamuri griset dhe të mbetet shkopi dhe  shkopi të trimëron sidomos, në paqartësi dhe mendon se është një objekt multifunksional, por kujt i vlen kjo? Sigurisht as atyre që të japin urdhër dhe as atyre që ti për momentin urdhëron.

Natyrisht në Shqipërinë tonë hallemadhe ne jemi shumë pak, ndonëse artistët në të gjitha kombet janë memoria e kombit  jemi më të rrezikuarit e shoqërisë. Kjo kohë që po kalojmë  na përballi me djallëzinë me imunitet dhe nga temjani ku me dashje i detyroi artistët Shqiptarë të viktimizohen edhe nga lugetërit e GETES duke belbëzuar çdo ndodhë nesër ?? Edhe kjo kontratë “tallava” na duhej ta këndojmë dhe me zë të lartë si kori i Tabernakullit  ….

Shqipëria nuk prodhon shumë artistë ndaj  e ardhmja është e frikshme pasi dhe prindërit si kanë fëmijët tepër duke i drejtuar drejt një destinacioni me shumë risk.

Nuk janë artistët problemi i këtij vendi, prandaj sjellja ndaj këtyre krijesave meriton respekt dhe dashamirësi. Për këtë arsye punëdhënësit tanë kanë një rast ideal për të ndërtuar një status për këto profesione specifike duke i garantuar vitet pasardhëse. Pamundësia e moshës nuk e lejon që të kenë një kondicion maksimal ashtu siç e kanë patur në rini. Kjo është fare e thjeshtë. Nëse ekziston mirëkuptimi shumë mirë mund të hulumtohet në “Kushtetutat” artistike të teatrove nacionale të Europës duke  vendosur me radhë të gjitha kriteret.

 Dhe kështu përkëdhelim dashamirësinë për ata artistë që mosha i detyron të ikin me dinjitet dhe të respektuar dhe kështu mundësitë dhe  krahët hapen më shumë për rishtarët.

Gjithashtu, nuk trishtohemi më nga injoranca aktuale e “shkopit” ku i teket të shtojë njerëz, duke ndërhyrë në pagën aktuale të çdo artisti se duhet të plotësohen paratë për rishtarët, se kjo me thënë të drejtën është një mëkat shumë i madh,

Si rrjedhim Drejtorit nuk  do t‘i nevojiten më spaletat e “komisarit të policisë” duke i vënë artistët “nën armë”.

 Gjithkush bën punën e vet nën një monitorim dinjitoz profesional, shfaqjet nuk dështojnë dhe  mirëkuptimi sjell progres.

“Artistët janë mbretërit e një shoqërie, të paktën kur nuk i gëzon mos i trishto”, do të thoshte Aleksandër Moisiu

*Koreograf i TKOB-it