Ardita Bufaj: Konkursi i 19´ Pianistik Ndërkombëtar “Frederik Shopen“, në zemër të Varshavës

 Ardita Bufaj

Pianiste, Pedagoge në Universitetin e Arteve

Sigal

 Krijimtaria pianistike e kompozitorit Frederik Shopen, vazhdon të qëndrojë në qendër të diskursit muzikologjik bashkëkohor, jo vetëm si trashëgimi kulturore e popullit polak, por edhe si një hapësirë e re muzikore për ri-interpretime të veprave të tij nga brezat e rinj të pianistëve botërorë. Konkursi “Frederik Shopen”, i zhvilluar në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë në çdo pesë vjet, është një nga konkurset më prestigjoze të artit pianistik ndërkombëtar, i kthyer tashmë në një traditë të ballafaqimit artistik të shkollave pianistike  dhe evolucionit të teknikës interpretative. Ky konkurs shfaq një  koncept të ri përsa i përket  stilit Shopenian. Çdo edicion i tij, evidenton kërkesa të reja, si në nivelin stilistik, ashtu edhe përcaktimin identitar të interpretuesit.

Në edicionin e 19-të, mbajtur ndërmjet datave 2 dhe 23 tetor 2025, riafirmoi rolin e tij si një nga konkurset me standardet më të larta të vlerësimit të interpretimit pianistik. Finalistët dhe fituesit e këtij viti dëshmuan se mënyra e të menduarit mbi muzikën e Shopenit po lëviz drejt një forme të re pjekurie estetike, ku virtuoziteti nuk matet më vetëm me shpejtësi teknike, por me aftësinë e interpretuesit për të krijuar një dimension të brendshëm poetik dhe për të ndërtuar marrëdhënie kuptimore me publikun.

Kjo qasje e re muzikore i jep peshë shpjegimit të Shopenit si kompozitor i një gjuhe të thellë  emocionale, e cila në duart e interpretuesve të sotëm synon jo vetëm të mbajë gjallë ndjeshmërinë historike, por edhe të rifrymëzoj idenë romantike brenda kontekstit modern të interpretimit nga gjithë konkuruesit, vecanërisht nga finalistët, të cilët sollën për publikun e gjerë një frymë më të avancuar gjatë lojës së tyre interpretative.

Konkursi Ndërkombëtar “Frederik Shopen”, i themeluar më 1927 në Varshavë, nga pianisti dhe pedagogu i njour polak Jerzy Żurawlew, ka patur në përmbajtje gjithmonë një mision të dyfishtë: ruajtjen e traditës së shkollës pianistike polake, përsa i përket intrepretimit të veprave pianistike të Shopenit dhe përhapjen e kësaj tradite e më gjerë në të gjitha shkollat pianistike ndërkombëtare. Fakti që ky konkurs i dedikohet veprimtarisë pianistike të një kompozitori të vetëm dhe ëmblemë e artit dhe kulturës polake, sjell një fokus të pazakontë tek autenticiteti interpretativ, ku secili pianist vlerësohet për marrëdhënien që krijon me stilin, rubaton, artikulimin dhe ngjyrat shopenian.

Pas ndërprerjes së konkursit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai rifilloi më 1955, ku u shndërua gradualisht në konkursin më të rëndësishëm në arenën muzikore ndërkombëtare. Fituesit e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në drejtimin e lojës pianistike ndër breza me radhë. Emra të njohur të skenës boërore dhe fitues ndër vite si:  Lev Oborin (1927), Jakov Zak (1937), Adam Harasiewicz (1955),  Maurizio Pollini (1960), Martha Argerich (1965),  Krystian Zimerman (1975), Rafał Blechacz (2005), e kanë kthyer atë ‘arenë’ në një konkurs referues të pianistikës, duke dëshmuar se interpretimi shopen-ian është një proces historik në zhvillim të vazhdueshëm kohor.  Ashtu sic e thekson Wojciech Kocyan (muzikolog, pedagog piano): ‘Stili i Shopenit është ndoshta më i vështiri për tu percaktuar në historinë e repertorit pianistik Ai bashkon romantizmin emocional me qartësinë klasike, një dualitet që kërkon ekulibër të brendshëm, jo efekt të jashtëm’.

Në aspektin estetik, muzika  e Shopenit përfaqëson një thellësi të brendshme lirike që balancohet me kërkesat e larta teknike. Pavarësisht sensibilitetit romantik që e karakterizon, vepra e tij ka një strukturë racionale dhe muzikore që kërkon nga interpretuesi të ndërtojë një tension  mes së dukshmes emocionale dhe arkitekturës së brendshme të veprave të tij.  Prandaj, pianistët që marrin pjesë në këtë konkurs nuk gjykohen vetëm për ndjeshmërinë poetike, por edhe për llogjikën  muzikore  për zgjedhjet inviduale në frazimin linear, si dhe  kontrollin e brendshëm ku cdo rubato apo cdo ngjyrim emocional, duhet të rrjedhë natyrshëm nga vetë muzika dhe jo nga vullneti i interpretuesit.

Konkursi shërben gjithashtu si një laborator i praktikës historike të interpretimit, ku vërehet në mënyrë të drejtëpërdrejtë se si mbahet gjallë tradita dhe si ripërkufizohet ajo në kushtet e bashkëkohësisë. Deri në ditët e sotme, vendimmarrja e jurisë, transmetimi ‘live’ dhe arkivat audio-vizuale të konkursit kanë krijuar një korpus referencial të teknikës dhe shprehësisë shopiniane që mbetet material studiues për muzikologët në mbarë botën.

Në këtë kuptim, konkursi i Shopenit ruan një status të veçantë si ndërmjetës mes historisë dhe të tashmes: një institucion që i jep vazhdimësi kulturës pianistike, duke garantuar se muzika e Shopenit mbetet një gjuhë interpretative ndërkontinentale, përherë në dialog me shpirtin e kohës.

 Roli i këtij konkursi në historinë e artit pianistik është i dyfishtë: shërben njëkohësisht si institucion kulturor me identitet të konsoliduar si dhe mekanizëm normativ në përcaktimin e standardeve interpretative botërore.

Ky konkurs, gjithashtu mbart mbi vete pritshmëritë e një kombi që e ndjen muzikën e Shopenit si pjesë të pandashme të kujtesës së vet historike. Ashtu si pohuam pak më sipër, në Poloni, Shopeni është më shumë sesa një kompozitor: simbol i kulturës dhe identitetit kombëtar. Për këtë arsye, loja pianistike gjatë konkursit vlerësohet edhe për mënyrën se si pianisti arrin të zbërthej kodin kulturor polak të ngulitur në veprën shopeniane.

Në çdo edicion, vendimet e jurisë dhe parametrat e vlerësimit imponojnë një orientim estetik ndërkombëtar, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë mbi:

  • mënyrën e përdorimit të rubatos
    • artikulimin dhe nuancimin timbrik
    • balancimin midis lirizmit romantik dhe koherencës formale
    • qasjen ndaj pedalit të pianos si mjet interpretativ dhe jo teknik.

Me këtë funksion, konkursi krijon përsëritje të reja të interpretimit shopinian çdo pesë vjet.

Transmetimi i drejpërdrejtë (live), në kanale të ndryshme botërore, si dhe në rrjete sociale, të cdo nate të konkursit, veçanërisht pas viteve 2000, e ka shndërruar konkursin në një fenomen të aksesit masiv, ku perceptimet dhe përfshirja e publikut ndërkombëtar ndikojnë indirekt edhe në diskursin kritik. Pianistë të rinj nga vende të ndryshme nëpërmjet mundësive të krijuara duke ndjekur konkursin në kohë reale, kuptojnë parametrat të cilat të cojnë drejt fitores dhe të analizojnë konceptin sesi luhen sot veprat e Shopenit, por edhe në pasurimin e praktikës së interpretimit sipas traditave të vendeve që ata përfaqësojnë.

Edicioni i 19-të i këtij konkursi, u shqua për një rritje të ndjeshme të shkallës së pjesëmarrjes së pianistëve nga e gjithë bota. Plot 642 aplikantë, nga mbi 50 shtete të ndryshme, konkursi konfirmoi statusin e tij si një arenë  për përballjen e shkollave të ndryshme interpretative të pianos.

Pas seleksionimit në fazat paraprake në muajt prilli dhe maj, vetëm 11 pianistë arritën në finalen e madhe. Në skenë u ngjitën fituesit: Eric Lu (USA), vendi i dytë Kevin Chen (Kanada) dhe vendi i tretë Zitong Ëang (Kinë). Ky profil gjeografik tregon se shkolla  shopeniane nuk është më thjesht, apo të mbetet pjesë e traditës polake, por dhe një shkollë  ndërkombëtare që zhvillohet  fuqishëm në Amerikën e Veriut dhe Azinë Lindore.

Programi i konkursit përfshiu interpretimin e repertorit të Shopenit në disa faza (Etyde, Nocturne, Balladë/ Scherzo, Sonatë, Koncerte), ndërsa finalja u shoqërua nga Orkestra Filarmonike e Varshavës, nën drejtimin e dirigjentit Andrzej Boreyka.

Një moment thelbësor ishte interpretimi i Polonaise-Fantaisie, Op. 61 nga finalistët: një zgjedhje jo e zakonshme për finale konkurimi, pasi vepra kërkon, imagjinatë poetike dhe pjekuri emocionale më shumë sesa zbërthimi teknik i saj.

 

Eric Lu – Cmimi I

Interpretimi i Eric Lu u karakterizua nga një lojë poetike e heshtur, sidomos, gjatë interpretimit të koncertit në F-minor op. 21, i cili krijoi një tension emocional të dallueshëm në kohën I dhe III. Në Polonaise-Fantaisie, Op. 61, rubato ishte organikisht e thurur me harmoninë, duke mos ndërprerë asnjëherë frymëmarrjen e frazës. Ai realizoi një linjë melodike tepër të kënduar, ku cdo frazë tematike shfaqej si idetë e një monologu të brendshëm, të drejtuar gjithmonë në një pikë kulmore poetike.

Interpretimi i tij  na kujton lojën e pianistit të njohur M. Pollini-t në pjekurinë e tij, por me një spiritualitet modern, më introspektiv. Lu i trajtoi pauzat si pjesë të domosdoshme të fjalorit shopinian, duke e bërë heshtjen element të muzikalitetit dhe jo thjesht ndërprerje të tingullit.

Kevin Chen – Cmimi II

 Ndryshe nga loja e E. Lu, Kevin Chen solli një qartësi strukturore të rrallë për moshën e tij. Në Koncertin në Mi minor, Op. 11, artikulimi ishte i rreptë dhe logjik, duke i bërë të dallueshme tensionet harmonike që formojnë kulmet dramatike të veprës. Ai shmangu sentimentalizmin, duke vënë në plan të parë rrjedhshmërinë e gjithë konstruktit të veprës.

Rubato-ja e tij ishte më pak e lirshme, por e përdorur me precizion analitik për të theksuar nyjet retorike të frazimit. Interpretim i Chen konfirmoi se edhe arkitektura muzikore mund të jetë emocionalisht elokuente, kur është e menduar deri në imtësi të veprës.

Zitong Wang – Cmimi III

 Performanca e Zitong Ëang përfaqësoi zërin intim dhe refleksiv të këtij edicioni. Në intepretimin e koncertit nr. 1 në E-minor, op. 11, ajo ndërtoi linja melodike që të  kujtonin zërin e një kolaorature lirike në instrument: frazat dukej se këndonin.

Legato u trajtua me butësi të qëllimshme; çdo notë ishte si një hap i kujdesshëm drejt një mendimi emocional të brendshëm. Tingulli i saj nuk ishte voluminoz, por i pasur me nuanca së brendshmi, duke i dhënë veprës një karakter meditativ.

Varshava si hapësirë muzikore

 Përtej skenës së Filarmonisë Kombëtare, Konkursi i Shopenit përjetohet si ngjarje e përfshirë në cdo cep të kryeqytetit. Në ditët e konkursit, Varshava shndërrohet në një ekosistem të tingullit shopenian. Interpretimi i pianistëve në konkurs nuk është më vetëm përballje mes jurisë dhe publikut por edhe dëshmi ndaj një qyteti që dëshiron të dëgjojë veten nëpërmjet muzikës së kompozitorit më të shquar Polak.

Ky ritual shpirtëror krijon ndjesinë se kryeqyteti në ditët e konkursit, bëhet vetë pianoja e Shopenit. Varshava merr frymë në ritmin e muzikalitetit të tij. Ky identitet akustik i qytetit është pjesë e asaj që e bën konkursin Shopen, një fenomen kulturor unik në botë. Nuk është vetëm art profesionist në skenë, por një art i jetuar në trupin social të qytetit të Varshavës, aty ku zemra e Frederik Shopen, muzikon perjetësisht.