Anjeza Branka: Në fëmijëri doja të bëhesha ambasadore!

551
Sigal

INTERVISTA/Flet këngëtarja Anjeza Branka: Ia kam dhuruar tim biri gjithë kohën e lirë!

Anjeza Branka është një nga këngëtaret më simpatike & enigmatike të skenave tona, e cila përherë di të vijë ndryshe dhe të befasojë publikun. Ajo është një ndër femrat më të bukura, për t’u marrë shembull në edukatë, stil dhe veshje . Pjesëmarrëse në disa evente dhe kompeticione muzikore, ku ka shkëlqyer me performancat e saj, gjithashtu, ka realizuar edhe disa klipe me këngëtarët Rati, M. Ahmeti etj.. Anjeza vjen në këtë intervistë ndryshe, duke mos folur vetëm për projektet e saj si artiste, por edhe jetën familjare si nënë. Shpesh nuk është e lehtë që të jesh një nënë në karrierë, por Anjëza ia ka dalë të vendosë një balancë. Pavarësisht punës, ajo tregon se, gjithë kohën e saj të lirë ia ka kushtuar djalit të saj, i cili është një thesar i çmuar për artisten. “Është një fëmijë i mbarë dhe i zgjuar, shprehet ajo në intervistën ekskluzive për “Telegraf” . Madje, shpesh më pyet se përse nuk gjej një punë ditën”, thotë këngëtarja për të birin, i cili tashmë e ka kuptuar së nëna e tij është e njohur . Për më tepër ju ftoj të lexoni intervistën që kemi përgatitur me Anjezën.

Kënga jote e fundit titullohet “Të kam xhan”. Kujt ia dedikon?

Ua dedikoj të gjitha çifteve të lumtura dhe vetes sime. Pra dua të përcjell dashuri, atë që na mungon në shumë raste.

Cilat kanë qenë dëshirat fëminore të Anjëzës? A e keni menduar ndonjëherë se do të ishit një personazh kaq i dashur i ekraneve tona?

Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht doja të bëhesha mjeke, më pas farmaciste , ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore .

Çfarë e bën një këngëtare të jetë e suksesshme ?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Më pëlqejnë sfidat, por i marr parasysh edhe pasojat! Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

Natyra të ka falur forma perfekte, si kujdesesh për imazhin tënd dhe për të mbajtur trupin në formë ?

Kujdesem shumë për veten, që nga dieta ime e përhershme, mosabuzimi kurrë me ushqimin apo pijet alkoolike, përditshmëria me palestrën dhe ecjen, trajtimet e ndryshme estetike etj. Këto janë kryesoret për të patur një fizik në formë.

A ka ndikuar kriza ekonomike tek artistët?

Është normale që të ndikojë. Sa më përket mua, e thashë edhe më sipër që jam e kënaqur në të gjitha drejtimet .

Një klip joshës a e bën më të kërkuar një këngë?

Varet gjithmonë nga kënga besoj, nuk ka lidhje vetëm klipi. Ka shumë raste kur mund të bëhen klipe mjaft të bukur, apo joshës, po nëse kënga nuk shkon te publiku, atëherë ai mbetet thjesht një klip i bukur. Duhet të jenë gjithë komponentët të mirëmenduar që një këngë të ketë sukses.

Anjëza, si janë ditët e tua, duke pasur parasysh që jeni edhe nënë?

Ditët e mia pak a shumë janë njëlloj. Çdo mëngjes çoj djalin në kopsht dhe shkoj ta marr në orën 4. Gjatë këtyre orëve mbaroj punët e shtëpisë apo detyrimet e tjera që duhen bërë. Pasi e marr djalin, nuk ka ditë mos ta çoj te lodrat, bashkë me nënën time. Mund të them me plot gojën se ia kam dhuruar kohën tim biri. Shohim kukullat bashkë… me pak fjalë, për çdo gjë që ai ka nevojë unë jam afër tij.

Çfarë e bën të vështirë jetën e një nëne në karrierë?

Do të kisha dëshirë që në shumë raste ta çoj vetë tim bir në gjumë. Kjo mund të them është një nga vështirësitë kur je nënë. Të mos jesh gjithmonë pranë fëmijës tënd, por e thashë më sipër, unë veç rasteve kur jam në punë, gjithë kohën ia kushtoj atij.

Kush ju ka ndihmuar më shumë në gjithë këtë rrugë, kaq të suksesshme?

Familja ime. Veçanërisht im atë, që më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë. Njëkohësisht mbështetje e madhe për mua ka qenë edhe partneri që kam në krah, Landi.

Si i ke marrëdhëniet me djalin? A e kupton ai që nëna e tij është e famshme?

E vetmja gjë që mund të them është se është një fëmijë shumë i mbarë. E kupton shumë mirë që nëna e tij është e famshme. Madje, ndonjëherë më thotë “pse nuk gjen një punë ditën”(qesh). Pastaj mua (meqenëse fëmijët sot janë më të zhvilluar sesa kemi qenë ne), më duhet t’ia shpjegoj me imtësi sesi është puna e një këngëtareje dhe pse më shumë këndon në darkë dhe jo ditën.

Ju jeni tejet e kuruar në çdo dalje publike. Disa këshilla mode që mund t’i jepni të gjitha femrave për këtë sezon?

Tendencat e fundit janë lulet dhe kombinimi i ngjyrave të forta si: jeshilja me të verdhën ose portokallia me ngjyrën e floririt. Shumë në modë është edhe një vjollcë e fortë. Të jenë sa më natyrale në grim dhe ta shijojnë verën.

Jeni person publik, kjo ndoshta ju privon nga jeta private?

Unë jam njeri i rregullt, njeri plot  miqësi. Ndaj të them që jeta ime private shkon shumë mirë!

Si ndiheni pas një interviste?

Kur gazetarët janë korrekt ndihem shumë mirë. Kjo intervistë ishte vërtet e këndshme….