Akademik, Jorgo Bulo/ Burrë shteti, poet, dramaturg, publicist dhe përkthyes, historian, kritik letrar dhe muzikolog, erudit pol

640
Sigal

In memoriam Fan S. Noli

(Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes)

Burrë shteti, poet, dramaturg, publicist dhe përkthyes, historian, kritik letrar dhe muzikolog, erudit poliglot, themelues i Kishës Autoqefale  Shqiptare, F. S. Noli është gjeniu i kulturës shqiptare të shekullit XX-të. Një rrugëtim i gjatë tetëdhjetetrevjeçar, nga djepi ku e përkundi Gjyshe Sumba, në shtratin e prehjes së amshuar ku e përcolli nga larg një popull i tërë, nga një ngulim i humbur shqiptarësh në Ibrik Tepe, në kontinentin e ri, nga shkolla fillore greke e fshatit, ku e çoi të futur në thes Nënë Maria, në Harvard, nga përdorues vetëm i zhargonit shqip të katundit, në mjeshtër të shqipes së kultivuar dhe njohës të nja dhjetë gjuhëve të huaja të tjera, nga sufler teatri, në foltoren e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, nga Kryeministër i Shqipërisë në një azilant të ndjekur nga ankthi për bukën e gojës, nga përkthyes në greqisht i librit programor të Sami Frashërit për të shkuarën dhe të ardhmen e Shqipërisë, në shqipërues të kryeveprave të letërsisë botërore, nga i dënuar me vdekje prej monarkisë dhe monarkut, në të pavdekshëm, kjo është jeta e F. S. Nolit. I madh dhe “i vogël”, stërnip i Davidit dhe nip i mëkatares, Gjyshes Sumba, Samson dhe filistin, kalorës i Skënderbeut tërë jetën, por ndonjëherë kalorës i Rosinantit, fitimtar dhe humbës, Mesi dhe prift katundi, hyjnor dhe tokësor, i perëndishëm dhe vdekatar, F. S. Noli jetoi një jetë dhe la një vepër mesazhi dhe morali i të cilave i kalon kufijtë e kohës së tij duke mbartur një vlerë e domethënie universale. Kalorës i dy utopive të mëdha dhe vuajtës prej tyre, me peshën e rëndë të Kryqit të Krishtërimit dhe të stërhalleve të vendit të vet, Noli njeri, artist e politikan, i kapërthyer midis kundërthëniesh e dilemash tragjike, i përballoi ato me filozofinë biblike të përkohësisë së fitimit të çastit dhe të përjetësisë së shembullit moral. Ai është një Jezu “që do të shpëtojë llauzin e tij nga fajet e veta” dhe jo veten e vet nga vuajtja e sakrifica, deri te sakrifica sublime e idealistit të përkushtuar. Heroi i idealizuar i një revolucioni të dështuar dhe i përfolur nga ithtarët për shkaqet e këtij dështimi, ose nga kundërshtarët për pasojat e atij revolucioni prej të cilit bejlurçina nuk e mori dot më veten, Noli u mbeti besnik bindjeve dhe moralit të tij; ai parapëlqeu të mbetej tërë jetën vuajtës, Moisiu përjetësisht i djegur nga malli për “tokën e premtuar”, duke neveritur jetën e qetë të paguar me çmimin e humbjes së dinjitetit; me fjalë të tjera parapëlqeu, siç shkruan vetë, “më mirë i vdekur në syrgjyn e në rrogoz, se i gjallë e i katandisur në Qoshen e Bejlerëve”. I rrethuar për së gjalli prej judësh mercenarë e derbederë dhe i ndjekur për së vdekuri sot e kësaj dite prej hakmarrjes së hienave politike, Noli mbetet simbol i Liberatorit që sfidon konjukturat e çdo kohe. Kjo sepse Noli njeri, artist e shkencëtar, u angazhua në betejat mendore, shoqërore e politike si idealist atdhetar e demokrat, pa ambicie karriere politike personale. Prandaj ai nuk la kufoma në fushën e këtyre betejave, por la mësime historike e morale. Kjo e bën Fan Nolin të pavdekshëm sot, në 50-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, të përjetshëm në panteonin e kombit dhe të kulturës kombëtare.

 Promovohet libri i ri për F. Nolin në Akademinë e Shkencave

Fan S. Noli-kryeministër

 Më 13 mars bëhen plot 50 vjet nga vdekja e Fan S. Nolit. Është Fondacioni kulturor “Fan Noli” që e ka ndjerë si detyrim përgatitjen dhe botimin e një libri në këtë jubile, ashtu si ka mbështetur në vijimësi promovimin e këtij personaliteti të kulturës dhe historisë kombëtare, përfshi disa monografi për jetën dhe veprën e Nolit, ngritjen e monumentit të Fan Nolit pranë shkollës që mban emrin e tij në Tiranë, një CD me krijimtarinë muzikore të Nolit etj. Me këtë rast, sot në Akademinë e Shkencave u bë promovimi i këtij libri që mban titullin: “Fan Noli-kryeministër”. Prof. Dr. Kaliopi Naska bëri një paraqitje të hollësishme të vlerave të këtij libri. Një ngjarje e veçantë mund të konsiderohet organizimi nga Fondacioni “Fan Noli”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, i konferencës shkencore, qershor 2014, me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1924, në okelion Fan S. Noli kryeministër, kumtesat e të cilit janë përfshirë në këtë libër, duke e pasuruar me disa materiale të tjera. Në hartimin e librit, i cili publikohet nën siglën e botimeve “M&B”, kanë kontribuar studiues si akademik Jorgo Bulo, Dhimitër Anagnosti, president nderi i fondacionit Fan S. Noli, Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Ksenofon Krisafi, studjesja e re Danja Sinanaj etj.

 Skeda e librit

 Titulli: Fan Noli kryeministër

Autori: Grup autorësh

Gjinia: Studime

Përgatiti për botim: Naim Zoto

Redaktor: Shaban Sinani

Botues: “M&B”

ISBN: 978-9928-172-46-4

©2015: Fondacioni “Fan Noli”, Tiranë

Nr. i faqeve: 256

Çmimi: 700 lekë.

Jetëshkrimi

Theofan Noli (Stilian Mavromati6 janar 1882 – 13 mars 1965ShBA) prift, përkthyes, shtetar, diplomat,  poet e historian shqiptar. Ai u lind më 6  janar 1882 në Qytezë, një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.  Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët. Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami  Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”. Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt, Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për njohuritë e tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.