Agim Janina për Telegraf: Si u projektua nga Maks Velo me ide moderniste pallati ku banonte Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe kompozitori Feim Ibrahimi

111
Sigal

-Pallati kur përfundoi pëshpëritej, se ishte një fasadë me prirje kubiste nën ndikimin e Pikasos, sikur të parandjente se artistët e shquar i përkisnin një të ardhmjeje tjetër…

– Këto prirje Velo i kishte shfaqur edhe në një punim të stilizuar me rrahje në bakër, që paraqisnin dy sorkadhe dhe vendosur në Hotel “Drini”

– Nuk harroj emocionet kur i dhashë Kadaresë ese-në, mbi librin e tij “Eskili ky humbës i madh”.

– Oxhaku, tek pallati, ku mbrëmjeve të ftohta të dimrit Ismaili ulej me Helenën apo me miqtë e ftuar në biseda të gjata rreth artit e letërsisë dhe mbi të dedikimet.

 

Agim Janina, kritik arti

Telegraf.al/ Fillova të ngjis shkallët për të hyrë në Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare. Shumë vite më parë ngjisja po të njëjtat shkallë për të biseduar me të mbi një shkrim, që kisha përgatitur dhe ia kisha dhënë për ta lexuar mbi librin e tij “Eskili ky humbës i madh”.

Pallati në qendër të kryeqytetit është projektuar nga arkitekti Maks Velo dhe kur përfundoi pëshpëritej, se ishte një fasadë me prirje kubiste e moderne, nën ndikimin e Pikasos sikur të parandjente se banorët e saj artistë e shkrimtarë të shquar i përkisnin një të ardhmjeje tjetër…

Këto prirje Velo i kishte shfaqur edhe në një punim të stilizuar e të realizuar me rrahje në bakër, që paraqisnin dy sorkadhe dhe vendosur në Hotel “Drini”, dikur emërtuar “Kafe Vollga”, lokal që frekuentohej shumë nga rinia. Ishte koha e një fryme liberale…

Pallati banohet veç Kadaresë edhe nga shkrimtari Dritëro Agolli dhe kompozitori Feim Ibrahimi. Ata kishin një kat të tërë. portretet e dy të parëve janë pikturuar si murale në faqen anësore të pallatit, ndërsa kompozitori përfaqësohet me një pentagram me nota të një prej krijimeve të tij.

Atë botë shkallët ishin të papastruara dhe ndonjë zhgaravinë shfaqej në muret e saj. Si janë lënë kështu, kur në shtëpinë e shkrimtarit vinin shumë miq dhe të huaj! – ishte mendimi që të vinte. Por brenda gjendeshe në një botë tjetër.

Në hyrje ishte dhoma e pritjes, ku shkrimtari bënte takimet. Dy -tre kolltukë, tavolina në mes, një bibliotekë e madhe me libra dhe disa tablo me piktura mbushnin muret e saj.

Ndërsa sot shkallët janë të shtruara me pllaka mermeri të bardhë, të pastra dhe shtëpia është kthyer në muze.
  

Muzetë e artistëve janë krejt të veçantë nga se është tjetër gjë “takimi” me ta, duke shfletuar faqet e librit dhe tjetër të jesh pranë fletëve e të prekësh me dorë shkrimin, apo objekte të tjera të jetës së tij të përditshme. Ja makina e shkrimit, ku u shtypën romanet e novelat, skenari i filmit “The General of the dead arm”, me skenar të Frederick Bradman, që u sabotua nga regjimi dhe pranë dorëshkrimi origjinal, letërkëmbime, që tregojnë odisenë e pengesave, letrat me aktorin francez Michel Piçoli, urdhëri i Legjionit të Nderit, dhënë nga Presidenti Francez, “Komandant i Legjonit të Nderit”, biblioteka e mbushur me të gjitha botimet e shkrimtarit, çmime të shumta, “Doktor Honoris Causa”, Urdhëri “Naim Frashëri”, foto familjare, korrespondenca me përkthyes, ftesa të ndryshme për të marrë pjesë në veprimtari jashtë Shqipërisë, që fillojnë me “Cher Ismail…” apo me “Dear Ismail Kadare…” (i dashur Ismail…), dy botime të hershme të “Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve” të Lasgush Poradecit, të cilit i kushtoi një botim mbresëlënës, çmimi “Herder”, makina e vogël e shkrimit me tastiera, që sikur do të nisin trokun e çmendur për të derdhur mendimet e shkrimtarit, “Man Booker International Proze” – çmimi i rëndësishëm anglez, oxhaku, ku mbrëmjeve të ftohta të dimrit shkrimtari ulej me Helenën, apo me miqtë e ftuar në biseda të gjata rreth artit e letërsisë dhe mbi të dedikimet e Helenës “Zjarri, me zhurmat dhe kërcimet e veta të vogla, me ndezjen e tij të lehtë, apo të vështirë, ishte shoqëruesi i vërtetë, për një punë aq të vetmuar si ajo e shkrimtarit”.

Sot edhe pse i fikur dhe pa turrën e druve përfytyrohet kur shkrimtari shtrinte duart drejt tij për t’u ngrohur apo me mashë të shpupuriste thëngjinjtë e fshehur nën hi dhe gëzimi që ndjeu kur e ndezi për herë të parë, sepse “ndezja e parë e oxhakut të përfunduar ishte një festë e kaluar festës. Pas kësaj Ismaili e bëri zakon, si një ritual të përditshëm që mëngjeseve të punonte në një poltronë përbri tij”, -vijon Helena.

Me siguri oxhaku e lidhte me të kaluarën, shtëpinë në Gjirokastër, ku të mbledhur rreth oxhakut lexonte përkthimet e tragjedive të Shekspirit dhe në tavanin e gdhendur flakët e zjarrit krijonin hije fantazmash dhe magjistricash dhe muret e gurta përfytyrimin e kështjellave të lashta…

Ja dhe një foto e aktorit italian Marcelo Mastrojani në rolin e gjeneralit. Çfarë filmi do të ishte! Por diktatura nuk e lejoi realizimin. Jo shkrimtari, por më shumë vendi dhe kultura shqiptare humbi një rast të rrallë që do t’i jepte botës një pjesë të traditave, natyrës, luftës që populli shqiptar bëri përkrah Fuqive të Mëdha dhe mënyrën fisnike se si u trajtuan ushtarët e mundur italianë.

Nëpër dhoma, korridore, në të ndara, sikur endet shpirti i shkrimtarit e të duket sikur ke hyrë në një tempull shpirtëror dhe objektet e ekspozuara, librat e shkruara, faqet e daktilografuara të romaneve, poezitë me ndonjë nënvizim, fotografitë e shkrimtarit apo piktura e skulptura kushtuar atij e më tutje medalje, tituj, medalione të dhëna nga shtete e burra shtetesh, akademi apo letërkëmbime me personalitete të fusin në universin kadarejan dhe të duhet kohë të ndahesh prej tyre, se fillon një bashkëbisedim me autorin, veprën dhe me veten.

“Takimi” me to të risjell kohën kur i ke lexuar me endje të madhe librat e tij dhe për herë të parë shikon dhe prek vetë letrat, ku ai ka lënë gjurmën e tij të rëndë me peshën e madhe të kryqin dhe të kohës.

Kështu kanë vepruar edhe familjarët e shkrimtarit Dritëro Agolli, poetit Lasgush Poradeci, por edhe më herët Marubët e fotografë të tjerë, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta e Angjelin Nëshati, por edhe nga SHBA e largët kemi dhurimin e relikeve nga koleksionisti, artisti e fotografi Dhimitër Mborja dhe ngritjen e “Muzeut Bratko”.

Sa kujtime të ngjallen! Të vinë në mendje çastet kur me një frymë lexoje faqe pas faqeje dhe harroje veten, vendin dhe kohën dhe i zhytur i tëri përpije gjithçka lexoje, duke jetuar krejt në një botë tjetër e ku përfytyrimi të ndizej e midis rreshtave në hapësirën e bardhë kishte më shumë lëndë nga se gërma e zezë që formonte fjalët dhe fjalitë kalëronte së bashku duke prodhuar emocione përtej asaj çfarë lexoje. “Ishte dhe s’ishte” në stilin mëdyshës si lavjerës i kohës e me peshë shekspiriane të detyronte mendimin dhe gjykimin të shkonte në përsiatje dhe të kërkoje pikëtakime të largëta e të thella, ku e sotmja bëhej e nesërmja për të kuptuar të ardhmen.

Helena ditën e përurimit do të shprehej, “në këtë shtëpi kishim shumë gëzime, por edhe shumë hidhërime, po dhe aq sekrete, që mendoja se do mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë, befas më mrekulloi kjo idea që hapet kjo dhe vizitor”. Ndërsa shkrimtari thjesht falënderoi.

Falënderimi i takon atij që dhuroi pa asnjë shpërblim shtëpinë, e cila vlen me miliona lekë dhe la gjurmën materiale, duke i shtuar kryeqytetit një vlerë të madhe historike e kulturore.

Historia jonë është jo shumë e pasur me objekte të personaliteteve të fushave të ndryshme, por objekte të tilla janë tapi kulturore me vlerë të jashtëzakonshme, që të mbushin jo thjesht me histori, por me lëngun kulturor e shpirtëror të vijimësisë së tyre në rrjedhë të kohës.

Objektet personale me kohë pësojnë një ndryshim thelbësor, nga gjëra me pak vlerë, shpirtërore kthehen në objekte adhurimi, nxitjeje dhe frymëzimi, japin vazhdimësinë materiale të bartësve të tyre dhe sa më shumë kalon koha, aq më e madhe bëhet vlera e tyre.

Një penel piktori ka një vlerë të papërfillshme, por po të jetë e piktorit Onufri, ikonografit të famshëm me të cilën ai realizoi ikonat do të ishte një vlerë tejet e madhe.

Fatkeqësisht nuk kemi shumë të tilla dhe është një mangësi e madhe, sepse humbasim gjurmët materiale dhe varfërojmë historinë. Ndaj dhurimi e kthimi në muze i shtëpisë së shkrimtarit së bashku me dorëshkrimet e veprave e me objekte të tjera të çmuara Arshivës së Shtetit dhe Shtëpisë Muze është një akt i madh qytetar.

Kështu kanë vepruar edhe familjarët e shkrimtarit Dritëro Agolli, poetit Lasgush Poradeci, por edhe më herët Marubët e fotografë të tjerë, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta e Angjelin Nëshati, por edhe nga SHBA e largët kemi dhurimin e relikeve nga koleksionisti, artisti e fotografi Dhimitër Mborja dhe ngritjen e “Muzeut Bratko”.

Le të shpresojmë të ngrihen edhe të tjerë që të rrisim vlerën e tapive kulturore të vendit.

Me siguri oxhaku e lidhte me të kaluarën, shtëpinë në Gjirokastër, ku të mbledhur rreth oxhakut lexonte përkthimet e tragjedive të Shekspirit dhe në tavanin e gdhendur flakët e zjarrit krijonin hije fantazmash dhe magjistricash dhe muret e gurta përfytyrimin e kështjellave të lashta…

 

 

Poezi nga Ismail Kadare

Mall

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

 

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

 

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq:
“Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç”.

 

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi vallë?
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

Pa ty

Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës
Mbi gjokse pellgjësh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejlekët ikën.
Fill pas teje
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ka ca mullarë yë gjysmuar
Duken që larg si Don Kishote.
Ç’të bëj, po them me vehten time
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime
Të lashta sa Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në gryke e di që do të më ngelet
I ftohti medalion i hënës.