Ish-regjisori i Lushnjes, Tahsin Demiraj: Ju tregoj të panjohurat e Vaçe Zelës, Ilia Shytit dhe Visar Zhitit

1201
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish regjisori i Shtëpisë së Kulturës në Lushnje, Tahsin Demiraj

-Vaçe Zela ishte përgjegjëse e muzikës dhe kishte një komunikim perfekt

-Ilia Shyti qysh në vitet 1950 organizonte “Orën gazmore”

-Hekuran Zhiti bëri  “Epopenë e pajtimit”, të kundërtën e Shefqet Musarajt

-Visar Zhiti konkuroi për aktrim po nuk fitoi

Albert  ZHOLI

Lushja është ndër qytetet që ka pasur një jetë artistike shumë të pasur në sistemin komunist. Prej jetës artistike të këtij qyteti kanë dalë aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë të mëdhenj, si Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Faslli Haliti, Visar Zhiti…etj.

-Si filloi jeta juaj artistike, cilët ishin pedagogët dhe si u vendosët në Lushnje?

-Mbarova Liceun për artet pamore, figurative dhe shkollën e lartë për dramaturgji, regjisurë, pasi aty pashë veten time. Ishin vitet 1960. Një ndër ta, ai që më ndoqi dhe më ndihmoi më shumë, ishte i nderuari Mihallaq Luarasi. Një profesor mjaft i përgatitur, i ardhur nga studimet jashtë. Në fillim më emëruan në Durrës, por kërkova të largohesha prej aty, pasi nuk më aktivizonin. Atëhere Ministër i Kulturës ishte Manush Myftiu të cilit i kërkova transferimin tim. Ai në fillim më tha për në Gjirokastër. Dakort i thashë dhe rrija në pritje të transferimit. Për fat të mirë më erdhi për në Lushnje. Aty gjeta Vaçe Zelën që do të bëhëj mbretëresha e këngës shqiptare. Ajo ishte Shefe e muzikës në Shtëpinë e Kulturës Lushnje, regjisor. Me Vaçen kam qenë në Lice, në konvikt. Aty gjeta dhe shokun tim të fëminisë Faslli Haliti, me të cilin kam qenë në Lice. Faslliu ishte mësues vizatimi.

-Si ishte gjendja në Lushnje?

-Me këta miq që kisha puna më dukej e lehtë. Nuk kishte ndonjë aktivitet të madh, por bërthama ishte. Aty gjeta aktorin e madh Ilia Shyti, i cili ishte dhe aktor dhe piktor, edhe regjisor. Një njeri i madh me zemër po kaq të madhe. Ilia Shyti kishte krijuar në atë kohë  “Orën gazmore” në qytet.  Pra në shtëpinë e Kulturës së qytetit, ai e incizonte tërë materialin gazmor dhe e përhapte nëpërmjet altoparlantëve. Mos harro se ishin vitet 1960, ku s’kishte ende radio masive. Altoparlantët e përhapnin këtë muzikë apo material në tërë Lushnjen.  Kjo lloj  mënyre estrade kishte kohë që zhvillohej në Lushnje nga Ilia Shyti. Pra gjeta një infrastrukturë të ngritur. Madje kishte dhe shumë amatorë që ishin të motivuar të vinin në Shtëpinë e Kulturës.

-Kë do të veçoje tjetër në atë kohë në Lushnje?

-Hekuran Zhitin, një mësues, por që ishte krjiues. Ai bëntë skeçe, parodi, pikturonte, por edhe drama, komedi. Kryesore ishte se ai ishte dhe një aktor i lindur, pa shkollë. Hekurani ishte babai i poetit Visar Zhiti. Ai kishte shkruar që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Madje nqs, e keni dëgjuar ai ka shkruar antitezën e “Epopesë së Ballit Kombëtar”. Poemën e dy vëllezërve që pajtonte një vëlla partizan me një ballist. Nqs, Shefqet Musaraj, bënte thirrje  për ndarjen e madhe mes komunistëve dhe ballistëve, Hekurani bënte fjalë për faljen e madhe, bashkim-vëllazërimin. Për këtë poezi- epope,  Hekurani u ndëshkua rëndë. E futën në burg, i hoqën të drejtën e krijimtarisë, e depersonalizuan dhe pse ishte një intelektual i mirë. Hekuran Zhiti ka vuajtur shumë. Për këtë poemë kam bërë një esse ku theksoj që është  “Pushkatimi i një poeme”. Kjo poemë dramatike është vënë në skenë nga grupe amatore partizane. Për këtë poemë dolën qarkore, që kudo që të gjendej e shtypur  të digjej. Idetë e tij ishin nacionaliste. Një ndër drejtuesit e asaj kohe ishte dhe Qemal Myrseli, që kishte të motrën e Tuk Jakokës, i cili pas dënimit, e lejoi Hekuran Zhitin të vinte në Estradën profesioniste. Më vonë, në atë trupë erdhi dhe  Dhimitër Nushi, Alida Gjërmëni, Zana Aliçkaj, Niko Deda, motra e Pavlina Manit, Hekurani etj..

-Sa shfaqje keni vënë në skenë si regjisor?

-U vunë shumë numra. Trupa ishte e mirë. Gjergj Vlashi në atë kohë më tha se ke bërë një punë shumë të lavdërueshme. Bënim humor myzeqar. Njëkohësisht isha dhe skenarist së bashku me Faslli Halitin. Punonim pa hile, me shumë dëshirë, plot vrull. Furnizuesi kryesor me materiale ishte Hekuran Zhiti. Kishte në materiale ironi të hollë, sarkazëm, etj..Niko Deda që ishte ëmsues matematike, që i binte  fizarmonikës, që edhe krijonte ndonjëherë.

-Në këtë pozicion punë sa vjet ndenje?

-Në këtë pozicion pune ndenja si regjisor, aktor dhe skenograf, plot 14 -vjet  në Lushnje. Ishte pjesa më e bukur  e jetës sime. Ditët iknin pa kuptuar.

-A vinin Sekretarët e parë në prova apo shfaqje?

-Po, gjithmonë. Vinin përherë dhe me shumë dëshirë. Edhe ata kishin nevojë të argëtoheshin. Në fillim gjeta Sekretar të Parë  Rrapi Gjermenin që na ka përkrahur.  Ai s’ka lënë asnjë shfaqje pa ardhur. Ne vinim 4 shfaqje premierë në vit ku jepnim shfaqje çdo fundjavë. Pra merreni me mend sa shfaqje kemi dhënë. Kur unë ika nga Estrada Profesioniste si regjisor, krijova Estradën e Rinisë. Një Estradë amatore. Kemi vënë në skenë  “Djali plangprishës”, estonez,  “Votra e huaj” e Ndrek Lucës,  “Rrethi i bardhë” i Naum Priftit, (e cila u dënua më vonë ku luajtën dhe Faslli Haliti, Alfred Xhomo, Pavlina Mani, Ilia Shyti, etj), “Qielli i kuq” i Tefik Çaushit, një dramë për fëmijë, timen, “Korija e Valbonës”, të cilën e vunë në skenë trupa e fëmijëve të Vlorës dhe më vonë e dramatizoi në radio Reshat Arbana tek “Teatri në mikrofon”. Në disa drama tek trupa amatore e rinisë ka luajtur dhe Visar Zhiti.

-Kishte talent Visari për aktor?

-Posi jo. Madje ai në vitin 1972 luajti disa pjesë me ne. Më vonë kur mbaroi shkollën e mesme shkoi dhe konkuroi në Akademinë e Arteve për aktrim. Por nuk fitoi. Mbase dhe nuk ja kanë dhënë.

“Të pamposhturit” e Mirush Jeros, ishte një tjetër dramë që kishte sukes. “Jashtë bie shi” po e tij. Pra teatri ynë ishte amator dhe kishte Estradë shumë të mirë.

-Ke luajtur ndonjë rol?

-Kur isha nxënës në Lice më zgjodhën për aktor në filmin “Fortuna”. Erdhën disa regjisorë ku më përzgodhën mua, Bexhet Nelkun, por unë kisha një cen në biografi dhe kështu nuk më lanë.

-Çfarë të veçantë keni tjetër në punën tuaj në Lushnje?

-Së bashku me poetin dhe piktorin Faslli Haliti, ne hapëm ekspozitën e parë për artet figurative në Lushnje. Ishte viti 1967. Ishte një risi. E hapëm  në sallën e pallaltit të Kulturës. Ishin plot 70 punë nga 60 autorë. Kështu filloi dhe u bë traditë hapja e ekspozitave në Lushnje, ku më vonë u bë dhe galeri e arteve në Lushnje. Atëhere asnjë qytet tjetër nuk kishte bërë diçka të tillë përveç Tiranës. Kjo ekspozitë inkurajoi prindërit dhe nxënësit që të shkonin në shkollat artistike

-Ju u larguat nga Lushnja në vitin 1974,  pse?

-Mua më transferuan në Durrës, në vendlindje, fill pas daljes në pah të ashtuquajturve grupe puçiste. Grupet në ushtri, ekonomi, në arte, e ku di unë. Ishte shumë kohë pas Festivalit të 11-të. U mblodhën në Shtëpinë e Kulturës dhe unë pa ditur gjë, gjendem mes kritikave. Ishte e papritur për mua. Ish Sekretarja e Partisë  e Institucioneve Kulturore thotë që partia jonë po  thellon luftën e kalsave nën dritën e mësimeve të partisë. Edhe ne do të marrim ca masa. Babai im kish qenë në burg nga 1945 deri në 1952,  sepse kish qenë ish oficer i Zogut. Pas burgut e internuan në Kuç të Vlorës. Pas internimit babai u kthye tek unë dhe jetonte me mua në Lushnje. (Ndërhyn Faslli Haliti: Kur shkova rastëshit në Kuç me piktorin Skënder Kamberi, e takova babanë e Tahsinit, i cili gjithë gëzim më thoshte se si realizonte planin në kooperativë). Në fund të mbledhjes Sekretarja e Partisë më thotë se je i pushuar nga puna. Keni gjë më thotë: Po!- i them  -Po ju s’e zbuluat sot se babi im kish qenë në burg? Unë i kam në dokumenta, madje para tre muajsh kam marë dekoratën “Naim Frashëri” për edukimin e masave punonjëse. Shkova në Durrës në fabrikën e gom-plastikës ku punova me shumë grupe amatore deri në vitin 1991, kur ika emigrant në Itali.