6 janari, lindja dhe përjetësia tragjike e Sandër Prosit

853
Sigal

Më 25 mars 1985 Sandër Prosi, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur

Përjetësia tragjike e Sandër Prosit

(102-vjetori- 6 janar 1920 -2022)

U lind në Shkodër më 6 janar 1920, se të ëmën Aspasinë e kishte nga ky qytet. Nga i ati kishin prejardhje vllehe, të dalur në Tiranë nga Voskopoja.[1] Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe katërmbëdhjetë vjeç, atje mbaroi shkollën fillore vazhdoi Gjimnazin e Tiranës.

Drama e parë në të cilën merr pjesë është “Vilhelm Teli“. Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, Besim Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si ShekspiriShileriÇehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e më se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të shikuesve. Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vend të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj.

 Fundi tragjik

Më 25 mars 1985 Sandër Prosi, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur. Kur do të ishte ky momenti i duhur? Nën zë, gjithnjë është thënë se Sandër Prosi vrau veten, u hodh, se një nga tentativat e tij e çoi në fund. E kanë thënë kolegë, të afërt që nuk kanë pranuar kurrsesi këtë gjë ta pohojnë publikisht. Në të kaluarën vetëvrasjet nuk duheshin zënë gojë, sikur të ishin shprehje e një individualiteti të pavarur, e një lirie personale, e vetvetiu të rrezikshme. Në përgjithësi nuk ka pasur koment dhe shpjegime për to, thjesht nuk përmendeshin. Sot vetëvrasjet përbëjnë lajm, hollësirat si dhe pse janë të zakonshme për shtypin që ia fut kot, ngaqë i trajtojnë të vetëvrarët si krijesa që s’kanë më të drejta, që janë askush. Rasti Sandër Prosi do të rrëfehet një ditë kur kultura jonë të ketë jetëshkrues profesionistë, biografë që të tregojnë pa stimuluar, cili ishte artisti dhe njeriu Sandër Prosi.

Portreti i harruar

Në një nga vilat e vjetra në zonën e Bllokut, në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë, fshehur pas syzeve, aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë marsi, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”.

Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje edhe dritën e atij kumtimi t’përmallshëm që puhiz nën zë përmes këtij raporti ngjyrash dhe dritëhijes, që shquan linjat dhe përcakton profilin.

Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar, por kujtesa e heshtjes është më e zëshme se çdo ligjërim. Ata që e ndërmendin ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen.

 

Rolet në kinematografi

Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), Vitet e para (1965), “Horizontet e hapura” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur” filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.