Zjarr në Mirditë, po punohet për shuarjen e tij, në rrezik edhe varrezat

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pyjet e fshatit Thirrë në njësinë administrative të Fanit në Mirditë. Zjarri është pikasur rreth orës 18:00 të së mërkurës nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe zjarrfikësit e Mirditës. Këta të fundit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por terreni i vështirë malorë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e makinave zjarrfikëse. Aktualisht po ndërhyhet vetëm më mjete rrethanore nga punonjësit zjarrfikës dhe forcat e policisë, ndërsa në rrezik janë vënë varrezat e fshatit.

E gjitha puna është përqëndruar për mbrojtjen e tyre nga flakët, ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe prefekti i Qarkut të Lezhës, Altin Jaku, i cili po monitoron situatën. Sipas tij po bëhet e pamundur shuarja e zjarrit, por terreni i vështirë ka vështirësuar punën e zjarrfikësve dhe të policisë. Aktualisht janë djegur me dhjetra hektarë pyje me pisha, ndërsa shkaqet e zjarrit nuk dihen ende. Nëse situata do të agravojë, Shtabi i Emergjencave në Lezhë do të kërkojë ndërhyrje nga ajri për shuarjen e plotë të zjarrit.
Sigal