Zbulohet një ‘fole’ prostitucioni në Durrës, arrestohen dy kineze
Një ‘fole’ prostitucioni është zbuluar nga Policia në Durrës, ku kanë rënë në pranga dy shtetase kineze. Dy kinezet 41 dhe 53 vjeç kishin përshtatur një banesë të marrë me qira, për të ushtruar prostitucion. Mësohet se dy shtetaset kineze ishin arrestuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale. “Zbulohet një apartament në Durrës ku ushtrohej prostitucion. Policia e qytetit bregdetar, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pas një hetimi trejavor të ndjekur me metoda proaktive për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Prokurorinë, u finalizua operacioni policor i koduar “STORM 8”. Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Venecia”, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe, të dyja shtetase kineze. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucion”, tre shtetas nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, që u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga dy shtetaset kineze. Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetases kineze J. L., 53 vjeçe, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash në euro dhe lekë, pesë aparate celularë, nëntë karta banke të bankave të ndryshme të Republikës së Kinës, një bllok shënimesh, etj. Këto shtetase kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës për qëndrim, ndërsa në rrugën “Venecia”, në Iliria, Plazh, kishin marrë me qira një tjetër apartament, të cilin e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetaset e huaja janë arrestuar edhe më parë nga shërbimet e DVP Durrës, për të njëjtat vepra penale, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Lule Bore”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore”, njofton policia.
Zbulohet baza kriminale në Fier! Sekuestrohen armë zjarri, silenciatorë dhe dhjetëra karikatorë
38-vjeçari Milasim Ramaj kishte ngritur një bazë kriminale në lagjen ‘Kastriot’ ku mbante arsenal armësh. Një bazë kriminale ku fshihej arsenal armësh, është zbuluar nga policia në Fier. Mësohet se janë sekuestruar 13 armë zjarri, 10 prej tyre automatikë, 2 silenciatorë si dhe një sasi e madhe municioni luftarak. 38-vjeçari Milasim Ramaj kishte ngritur një bazë kriminale në lagjen ‘Kastriot’ ku mbante arsenal armësh. Milasin Ramaj u arrestua mbrëmjen e djeshme në qendër të Fierit pas një denoncimi të mbërritur në polici nga një emision investigativ.
Armët e sekuestruara
“Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier janë informuar nga gazetarë të emisionit investigativ “Piranjat”, se 1 shtetas me të cilin ata kishin komunikuar në kuadër të punës së tyre, posedonte pa leje, 1 armë zjarri. Menjëherë pas informacionit, strukturat hetimore dhe operacionale të Policisë së Fierit kanë organizuar punën për të zbardhur autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i kësaj pune, u lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht M. R., 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro. Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale. Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:
-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;
-1 armë zjarri pistoletë;
-1 armë zjarri pistoletë automatike;
-2 silenciatorë;
-9 karikatorë automatiku;
-3 karikator pushke;
-2 krehra pistolete;
-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin M. R., dhe ndërkohë vijojnë të kryejnë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


















