Dy serbë janë arrestuar dhe janë zbuluar tre laboratorë droge në veri të Kosovës, bëri të ditur Policia e Kosovës më 12 shkurt.
Policia tha se të dielën realizojë operacionin antidrogë të koduar “Shpata” në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës veri.
Sipas njoftimit, gjatë operacionit policorë janë zbuluar tre laboratorë me bimë narkotike, në dy prej të cilëve u gjetën rreth 1.200 bimë narkotike, ndërsa te njëri nuk kishte bimë narkotike, por pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre, tha Policia.
“Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojnë dy persona të dyshuar meshkuj serbë, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren në bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, tha se bashkëpronar i një prej laboratorëve është D.S, që sipas tij, ka sulmuar Policinë e Kosovës muajin e kaluar.
Ai tha se operacioni policor është realizuar në Mitrovicë të Veriut.
“Ai është pjesë e bandave që marrin urdhra nga krimi i organizuar në Serbi. Ata që mbështeten dhe mbrohen nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe [shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar] Petkoviq”, shkroi Sveçla.
Ministri Sveçla shtoi se këto “banda kriminale po tentojnë ta destabilizojnë shtetin tonë”.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës kishte realizuar operacione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.
Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë./REL