Xibrakë/ Qarkullonte me ngarkesë të pasistemuar, gjobitet shoferi

17
Sigal

Policia Rrugore e Elbasanit, ka ndëshkuar me masën administrative “gjobë”, me shumën 10000 lekë, drejtuesin e një kamioni, shtetasin G.K., i cili po transportonte një ngarkesë në mënyrë të pasistemuar, e cila mund të përbënte rrezik gjatë lëvizjes.

Policia mori masa dhe identifikoi shoferin, pas verifikimit të videos në rrjetet sociale, ku ai shfaqej duke drejtuar kamionin.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan:

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një kamion, i cili në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, qarkullon me një ngarkesë të çrregullt dhe të pasiguruar, ju informojmë se:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin G. K., dhe i kanë vendosur atij, masën administrative 10 000 lekë të rinj, bazuar në gërmën e, pika 2, neni 173 i Kodit Rrugor.

Gjithashtu, strukturat e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer verifikimet për ngarkesën e druve dhe ka rezultuar se transporti i tyre është kryer me dokumentacionin përkatës.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.