Në Gjirokastër, Durrës dhe Vlorë janë konstatuar probleme nga moti i keq. Në qytetin e gurtë si pasojë e reshjeve intensive pati përmbytje të rrugëve të qytetit, ndërkohë që në portin e Durrësit dhe të Vlorës u pezullua puna në disa sektorë.
Kanë mjaftuar vetëm 10 minuta reshje intensive, që Gjirokastra të përmbytet në dy skajet e saj.
Në pjesën më fushore në rrethrrotullimin që lidh pjesën e poshtme të qytetit me rrugën nacionale dhe në lagjen kodrinore Dunavat është krijuar vështirësi qarkullimi për këmbësorët dhe mjetet.
Rikonstruksioni me kalldrëm i rrugëve në lagjen Dunavat, ka bllokuar kanalizimet, çka ka sjellë vërshim të ujit nga reshjet e shiut.
Era e fortë me shpejtësi rreth 30 m/s dhe deti i dallgëzuar deri në 6 ballë, ka pezulluar për disa orë punë në portin e Durresit.
Anijet tregtare të tonazhit të ulët e mesëm si dhe anijet e peshkimit nuk janë lejuar të dalin në det, për shkak të dallëve të mëdha.
Puna u ndërpre për rreth 5 orë edhe në sektorin e ngarkim shkarkimit të mallrave.
Ndërkohë dy tragete të linjes Bari-Durrës me mbi 400 pasagjerë gjithsej kanë mbërritur me disa ore vonesë dhe ndodhen në Radë. Sipas Kapitenerisë së Portit të Durrësi dy tragetet kanë probleme me ankorimin në port, për shkak të kushteve të vështira të motit.
Probleme në port pati dhe në Vlorë ku si pasojë e detit me forcë 5 ballë brenda gjirit pezulloi lundrimin e anijeve të peshkimit.