‘Vrasje e dyfishtë në Manzë’/ Konflikti për një kafe përfundon me 2 të vrarë
2 të rinj të vrarë dhe një në kërkim është bilanci tragjik i një konflikti që nisi për një kafe në një lokal në Manzë të Durrësit. Dy të rinj Daniel Pepa dhe Arianit Kurti u konfliktuan me kamerierin lokalit pasi nuk mundi t’u shërbente kafe pak pas mesnate. Në konflikt u përfshi dhe një tjetër i ri, Florian Paluçi që doli në mbrojtje të kamerierit. Në debat e sipër Florian Paluçi vrau Arianit Koçin, teksa u ekzekutua në çast nga Daniel Pepa. Qyteza e Manzës është tronditur nga një vrasje e dyfishtë orët e para të mëngjesit të kësaj mërkure, teksa debati ka nisur për ekspresin e kafesë që ishte i fikur. Dy të rinj Daniel Pepa 21 vjeç dhe Arianit Kurti 23 vjeç rreth orës 1:45 kanë hyrë në një lokal ku kanë kërkuar t’u shërbehej kafe. Kamarieri i lokalit Alteo Pepa u ka thënë se nuk të shërbejë kafe pasi në atë orar është ekspresi i fikur dhe këtu ka nisur debati verbal mes Daniel Pepës dhe kamarierit, i cili është ofenduar me fjalë të rënda nga Pepa. Në këtë moment në konflikt me Daniel Pepën dhe Arianit Kurtin është përfshirë dhe 33 vjeçari Florian Paluçi që ka dalë në mbrojtje të kamerierit, pasi ishte në tavolinë me këtë. Në debat e sipër që ka vijuar jashtë lokalit Florian Paluçi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Arianit Kurtin, duke e lënë të vdekur në vend, teksa shoku i Arianitit, Danieli ka marrë armën dhe ka qëlluar ndaj Florian Paluçit, duke e lënë të vrarë. Danieli Pepa është larguar pas këtij krimi të rëndë, teksa Policia dhe Prokuroria kanë zbarkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Kamerieri i lokalit Aleto Pepa ka rrëfyer për oficerët e Policisë gjyqësore dinamikën e konfliktit të rëndë që u mbyll me dy të vdekur.
“Ishte ora rreth 1:45 në momentin e ngjarjes ishin 5 persona, Daniel Pepa hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai më ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin”
Për mediet ka folur dhe punonjësi i karburantit, që evidentoi se të rinjtë e përfshirë në konflikt nuk i njihte, por evidentoi se ishin të sjellshëm.
Ngjarja ka tronditur banorët e komunitetit të Manzës, që të rinjtë i njihnin si djem jo problematik, madje njëri prej tyre u shpreh Arianit Kurtin kishte lidhje farefisnore.
Për këtë ngjarje janë shoqëruar në polici 5 persona të cilët po japin dëshmitë e tyre.
Avokat Arben Llangozi
Bardhyl Kollçaku do të mbahet mend në histori si Gjenerali i Turpit
Pas dorëzimit në SPAK të pesë orëve filmime dhe provash për çështjen e Limionit, ku i përfshirë del edhe gjenerali Bardhyl Kollçaku. SPAK, BKH dhe Policia e Shtetit zbarkuan në banesën e tij, duke i dhënë një kthesë të fortë figurës së dikurshme të disiplinës ushtarake.
Sipas dokumenteve, Kollçaku i ka propozuar ministres Olta Xhaçka që pronat e Marinës t’u kalojnë oligarkëve privatë një veprim që më shumë ngjan me tradhti ndaj shtetit sesa me strategji kombëtare. Nga mbrojtja e kufijve, gjenerali duket se ka kaluar në “faljen e territorit”.
Nëse drejtësia e çon deri në fund këtë rast, mund të zbulohet se “strategu ushtarak” ka përdorur firmën si armë për t’i shitur pasuritë e vendit. Bardhyl Kollçaku mund të mos hyjë në histori për betejat që fitoi, por për tradhtinë ndaj uniformës dhe atdheut
Analizë nga Av. Myftar Rusta
Reforma në Drejtësi dështoi pa filluar
Dështimi si rezultat i prurjeve patronazhiste, helmatosjes me idetë e Fatmir Xhafës dhe Arben Rakipit, dhe boshllëkut politik Reforma në Drejtësi, e shpallur si projekti më i madh institucional pas viteve ’90, dështoi pa filluar. Ajo që duhej të ishte një ndarje e qartë nga e shkuara, u kthye në një vazhdimësi të saj, e mbushur me njerëz të partive, me patronazhistë e militantë të bindur që morën rolin e “drejtësisë së re”. Në vend që të prodhonte pavarësi, reforma solli varësi të reja. Në vend që të çlironte sistemin, e lidhi edhe më fort me pushtetin politik.
Sot, në çdo hallkë të sistemit, ndihen efektet e kontrollit politik dhe mungesës së meritokracisë.
- Dy faktorë determinantë: Policia dhe Sigurimi i Shtetit Asnjë reformë drejtësie nuk mund të ketë sukses nëse bazohet mbi të njëjtët njerëz dhe struktura që kanë qenë instrumente të shtypjes dhe kontrollit politik. Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, nuk u bë asnjë ndarje morale dhe ligjore midis shtetit demokratik dhe strukturave të sistemit të vjetër. Në rastin e Rumanisë, pas viteve 1990, ligji ndaloi që çdo person që kishte qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit, policisë politike ose aparatit të gjykatës dhe prokurorisë, të mos punonte më në administratë, drejtësi ose shërbime sekrete. Në Shqipëri ndodhi e kundërta: ish-oficerë të Sigurimit, ish-hetues, ish-prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit para ’90-s jo vetëm që mbetën në detyrë, por u promovuan nga reforma. Kështu, reforma nuk solli drejtësi të re, por rikthim të sistemit të vjetër me emër të ri, duke legalizuar vazhdimësinë e kontrollit politik.
- Struktura patronazhiste – prurjet e reja në drejtësi.
Përzgjedhjet e bëra gjatë reformës u ndikuan nga kabinetet qeveritare dhe rrjeti i patronazhistëve, duke sjellë njerëz të bindur ndaj partisë dhe jo profesionistë të lirë. Në vend që të prodhoheshin gjyqtarë dhe prokurorë me integritet dhe aftësi, u promovuan juristë të kabineteve qeveritare dhe këshilltarë ministrash, që shërbejnë interesave të pushtetit. Ky sistem, në vend të pavarësisë, krijoi varësi dhe frikë, duke shndërruar drejtësinë në një administratë që ndjek urdhra dhe jo ligjin.
- Demokracia e mangët dhe boshllëku politik. Pas viteve ’90, demokracia shqiptare u prezantua me “Kal të Bardhë”, por drejtimin e partive e morën në dorë kriptokomunistët, të cilët trashëguan logjikën e kontrollit dhe lidhjet me sistemin e kaluar. Shqipëria nuk ka opozitë reale, dhe një pjesë e vogël e popullit që mund të ndikonte përmes reformave ka emigruar masivisht. Kjo ka lënë vendin me një strukturë shoqërore të plakur, të ngushtë dhe të lidhur ngushtë me interesat e të shkuarës. Në vend të një shtrese qytetare aktive dhe kritike, Shqipëria është kthyer në “azil për pleqsh”, ku energjia dhe mundësitë për ndryshim janë të kufizuara. Ky boshllëk politik favorizon pushtetin socialist, i cili operon në një hapësirë bosh, pa kundërshtarë realë dhe me kontroll të fortë të administratës dhe institucioneve. Në këtë klimë, çdo përpjekje për reformë reale ishte e pamundur.
Përfundim:
Reforma në Drejtësi dështoi pa filluar.
Ajo u helmua nga idetë e Fatmir Xhafës dhe Arben Rakipit, u mbush me patronazhistë, dhe u përball me një boshllëk demokratik që e bëri sistemin të paqartë dhe të kontrollueshëm nga politika. Në vend të një drejtësie të lirë dhe të pavarur, sot kemi një administratë të komanduar dhe një shoqëri të frikësuar, ku reforma nuk funksionon, sepse u ngrit mbi frikën, jo mbi lirinë.




















