Vrasja për parkimin e makinës, banorët: Ky aks është problematik, ka sherre gjithmonë

264
Sigal

Idajet Dulla mbeti viktimë pas një sherri për parkimin e keq në zonën e plazhit në Durrës. Banorët shprehen se këto sherre janë të zakonshme në këtë rrugë. Ata theksojnë se kjo rrugë është shumë mbingarkuar duke rrezikuar edhe jetën e banorëve dhe fëmijët kur kalojnë, ndërsa shtoi se parkimi i keq duke bllokuar rrugën ndodh shpesh në këtë aks.

“Orët më problematike janë të fluksit të lartë në mëngjes dhe në drekë kur dalin nga puna. Ne që lëvizim me biçikleta rrezikohemi, por tolerojmë duke i hap rrugë njëri tjetrit. Mirë do ishte prania e një polici këtu”, tha një banor. “Parkimi nga dy krahët është pika probleme se ngushtohet rruga shumë, të paktën të pozicionohen në një krahë, duhet një rregull se është problematike e theksuar”, tha një tjetër.

Arbër Kote është shfaqur i penduar pas vrasjes së 33-vjeçarit Idajet Dulla. Pas arrestimit ai ka thënë para grupit hetimor se sherri ka nisur për një parkim të gabuar të makinës. Sipas dëshmisë së Kotes, ai thotë se viktima e ka fyer dhe qëlluar me grushte disa herë dhe për vetëmbrojtje ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar.

“I kërkova të më lironte rrugën sepse kishte parkuar keq, ai reagoi shumë ashpër. Më fyeu dhe më qëlloi me grushte. Për vetëmbrojtje nxora thikën dhe e qëllova pasi më goditi disa herë. Jam penduar që lejova që konflikti të përshkallëzonte, pasi duhet ta kisha toleruar. Më fyeu dhe shau shume keq”, tha Kote para grupit hetimor.