U kapen me armë/ Tentuan të kontrabandonin mbi 180 kg mish, e pësojnë 6 të rinjtë në kufirin shqiptar-grek

36
Sigal

Policia e Korçës ka arrestuar 2 shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, pasi tentuan të kaloni kufirin në mënyrë të paligjshme dhe të kontrabandonin nga Greqia produkte mishi.

Sipas bluve të Korçës, sekuestrohen 187 kg mish i kontrabanduar, 1 armë gjahu dhe 3 thika që iu gjetën këtyre shtetasve.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve dhe shërbimet e ZMPK të territorit, të DVKM Korçë, goditën një rast të kontrabandës së mallrave dhe një rast të armëmbajtjes pa leje. Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. L., 28 vjeç, banues në Bilisht dhe Sh. D., banues në fshatin Eçmenik, Devoll. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit J. Sh., 22 vjeç, banues në Bilisht, F. M., 24 vjeç, banues në fshatin Vidohovë, R. A., 32 vjeç dhe A. A., 44 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll.

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të territorit, në afërsi të fshatit Vidohovë, kanë konstatuar këta shtetas, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me kuaj, me të cilët po transportonin edhe rreth 187 kg mish. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. M. iu gjet një armë gjahu çifte, ndërsa shtetasve S. L. dhe Sh. D. iu gjetën 3 thika, të cilat së bashku me sasinë e mishit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.