Kanë mbetur pothuaj dy javë nga afati i deklarimit të adresave të banimit dhe në zyrat e gjendjeve civile janë krijuar rradhë nga qytetarë, të cilët nxitojnë ta bëjnë tani për të mos u ndëshkuar me gjobë.
Për shkak të fluksit në rritje të qytetarëve pasi në këto raste pritet gjithmonë momenti i fundit në zyrat e gjendjeve civile do të punohet edhe gjatë fundjavave.
Nëpunëset e Gjendjes civile shprehen se afati përfundimtar është deri më datë 28.7.2017, pa pagesë. “Njerëzit janë sensibilizuar e po paraqiten përditë e më shumë në zyrat e gjendjes civile. Plus që nga ana jonë do të ketë punë dhe të shtunën e të dielën ”, thotë Diana Kalluhi.
Për të regjistruar adresën duhet një çertifikatë e noterizuar dhe e fotokopjuar dhe një vërtetim nga pronari nese e keni blerë shtëpinë dhe më pas adresa juaj regjistrohet. Sigurisht që do të ketë penalizime për banorët që pas datës 28 korrik vërtetohet që banojnë në një njësi tjetër, ndërkohë që adresa e tyre rezulton në një tjetër njësi adminsitrative, nëse nuk kanë deklaruar ende se ku banojnë aktualisht, do të gjobiten me 10 mijë lekë të reja. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë ata që banojnë me qira pasi duhet që çdo adresë duhet të jetë e regjistruar.