Transportonte drogë me mushka, kapet nipi i ish-kreut të policisë

504
Një ditë pas plagosjes së një 39-vjeçari nga fshati Nikollar i Skraparit pas një përplasjeje me armë zjarri, policia ka arritur të zbardhë ngjarjen. Konflikti ku mbeti i plagosur Gazmor Ibro ndodhi mëngjesin e 6 tetorit, në fshatin Vërçisht, pjesë e ish-komunës Frashër në Përmet, por në kufi me territorin e rrethit të Skraparit. Nga hetimet paraprake, si fillim dyshohej se shkaku i konfliktit të armatosur ishte për kontrollin e zonave të kultivimit të kanabisit. Në kuadër të operacionit të koduar “Gostomicka”, i cili u zhvillua nga policia e Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me atë të qarkut Berat, u arrestuan 4 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Ndërkohë, në këtë aksion janë sekuestruar 100 kg marijuanë si dhe 1.5 gr kokainë. Përkatësisht, pas hekurave përfunduan Roland Pata, 41 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tepelenë, Altin Merdani, 36 vjeç, lindur dhe banues në Memaliaj, Gazmor Ibro si dhe bashkëjetuesja e Patës, shtetësja me iniciale N.Z. 

Burime policore bënë me dije se Pata dhe Merdani, në bashkëpunim me Stefan Gjokën, 32 vjeç, banues në Qeparo, dhe Elton Abazajn, 34 vjeç, banues në Gjirokastër (të shpallur në kërkim), dyshohet se kanë pasur si qëllim grabitjen e sasisë prej 100 kg drogë, të cilën 39-vjeçari Ibro së bashku me vëllezërit e tij, Ilirjan Ibro, 35 vjeç dhe Fatri Ibro, 37 vjeç, po e transportonin nga Skrapari drejt Përmetit me mushka. Sakaq, në kërkim janë shpallur dy vëllezërit Ibro. Megjithatë kjo pistë nuk është zbardhur tërësisht nga forcat e Rendit. Sakaq, një tjetër pistë në të cilën janë përqendruar blutë është dhe ajo e mosrënies dakord për pazarin e drogës mes vëllezërve dhe personave të sipërcituar, ndërsa më pas konflikti ka degjeneruar në përplasje me armë. Pas kontrollit të ushtruar në banesën e vëllezërve Ibro, uniformat blu kanë gjetur 60 rrënjë marijuanë. Burime konfidenciale bëjnë gjithashtu me dije, se i plagosuri dhe tashmë edhe i ndaluari nga policia, Gazmor Ibro është nip i ish-drejtorit të Drejtorisë së Qarkut Gjirokastër në vitet 2012-2014, Ajet Ibro. Ndërkaq, në banesën e Roland Patës u gjetën 5.1 gr hashash si dhe dy doza kokainë. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në polici rreth 30 persona, ndërsa vijojnë hetimet.
Sigal