Policia e Tiranës ka arrestuar një 34-vjeçar në Tiranë dhe ka shpallur në kërkim shokun e tij, pasi akuzohen për dëmtim dhe grabitje të disa makinave në Tiranë. Shërbimet e policisë të Komisariatit nr 6, arrestuan shtetasin Flogert Hasa, 34 vjeç, banues në Yzberisht, i dënuar më parë, si dhe bënë shpalljen në kërkim të Petrit Avdillari 24 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Sipas policise, arrestimi i shtetasit Flogert Hasa si dhe shpallja në kërkim e shtetasit Petrit Avdillari, u bë pasi më datë 24.01.2018 rreth orës 03.00 në rrugën “Thoma Koxhaj” në Kombinat, këta dy shtetas dyshohet se kanë thyer xhamat e 5 automjeteve, si dhe kanë vjedhur kasetofona dhe bateri të këtyre mjeteve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë të braktisur në afërsi të banesës së shtetasit Flogert Hasa, iu gjetën dhe sekuestruan në cilesinë e provës materiale aksesorët e vjedhur (bateri dhe kasetofona).
Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore rezulton se këta shtetas dyshohen dhe si autorë të ngjarjes të ndodhur më datë 11.01.2018, në rrugën ”Foto Xhevella”, ku kanë thyer xhamin e një automjeti dhe kanë vjedhur kasetofonin dhe baterinë.
Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor e të tjera vjedhjeve që këta shtetas dyshohen se mund të kënë kryer.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vjedhja” në bashkëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës” të parashikuar nga neni 134 -25 dhe 150 të Kodit Penal.