Terrorizojnë me armë familjen, zonja e shtëpisë i pret me zjarr shotgani

553
Sigal

Disa herë kjo familje kërcënohet. Kryefamiljarit iu bë atentat para 5 ditësh dhe ndodhet në spital. Asnjë i ndaluar

Prej kohësh një familje në Tiranë vazhdon të jetë e kërcënuar nga atentatet dhe terrori me armë, ndërkohë, me gjithë denoncimet, policia nuk ka nxjerrë autorët para përgjegjësisë. Të dielën pas mesnate, njerëz të armatosur kanë gjuajtur drejt shtëpisë, ndërkohë, kryefamiljarja, ka marr shotganin e ka dalë në ballkon duke shkëmbyer zjarr me grupin e kërcënuesve. Ndërkohë, 5 ditë më parë, kryefamiljarit iu bë atentat dhe vazhdon ende të jetë në spital në gjendje të rënduar. Sipas policisë, shkak i konflikteve me armë, dyshohet që të jetë pronësia. Familjarët e  terrorizuar kërkojnë sigurinë për jetën dhe ndëshkimin e kërcënuesve. Ndërsa pak ditë më parë familjari i tyre u qëllua me 4 plumba në trup dhe ndodhet ende duke luftuar me jetën, familja Kovaçi vijon të kërcënohet nga agresorët. Pronarët Kovaçi të një vile 3-katëshe bëjnë të ditur se, janë kërcënuar gjatë orëve të para të mëngjesit (ora 03:30) të ditës së djeshme dhe për këtë arsye janë vetëmbrojtur me shotgan.  E zonja e shtëpisë, një grua rreth 50 vjeç rrëfen se 4 persona kanë mbërritur orës 03:00 të mëngjesit të 28 shtatorit tek godina 3- katëshe tek vendi i njohur si “Pallati me Shigjeta” dhe kanë kërcënuar se do të hedhin në erë dhe do i vrasin nëse nuk shpërngulen nga vila. Pas kësaj e zonja e shtëpisë ka dalë në sheshpushimin e verandës, duke gjuajtur disa herë me shotgan në drejtim të tyre.  Një kërcënim i tillë vjen pas atentatit të mbetur në tentativë të ndodhur të mërkurën në mbrëmje, pranë “Pallatit me Shigjeta”, ku u qëllua me pistoletë roja e kësaj jetimoreje. Shkak i mosmarrëveshjes mësohet të jetë një konflikt pronësie që zgjat prej vitesh në gjykatë. Ky është kërcënimi i tretë që i rrezikoi jetën pronarëve të kësaj ndërtesë. Në prill të 2014-s i vendosën një sasi tritoli në pragun e shtëpisë. Më 24 shtator pranë kësaj godine iu bë atentat Fatmir Kovaçit, ose (Kurti) i njohur ndryshe, i cili banon, por punonte dhe si roje natën në vilën 3-katëshe që tanimë është kthyer në objekt sherri.