Arben Duka/ Kush përdhos vendimet e gjykatës, ka përdhosur shtetin

413
Sigal

Letër e hapur për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, zotin Elvis Roshi
(Në vëmendje të z.Edi Rama)

Zoti Roshi! Nuk jemi takuar ndonjëherë, por them se nuk jemi të panjohur për njëri-tjetrin. Ndoshta, duhej të të isha drejtuar me shprehjen: “I dashuri Roshi!”, por në rastin konkret kjo shprehje jo vetëm që do të qe e tepërt, por fare e pavend. E them këtë mbasi ju, nën velin e arrogancës së pushtetit, keni shkelur rëndë të drejtat dhe liritë civile të qytetarit tuaj, z.Galip Rrena dhe njëkohësisht kini cenuar disa herë, në kundërshtim të hapur me ligjin, pronat e tij të ligjshme. Besoj se e kupton që bëhet fjalë për dyqanin e tij të hipotekuar, në krah të Bashkisë, ku ju, fatkeqësisht, drejtoni. Unë e kam përshëndetur në krijimtarinë time zgjedhjen tënde, por kjo nuk do të thotë që tani të qëndroj indiferent, kur ti injoron ligjet e shtetit dhe vendimet e formës së prerë të gjyqësorit.

Çështja është fare e pandërlikuar. Qytetari juaj dhe miku im i vjetër Galip Rrena, ka një objekt privat të hipotekuar dhe ti kërkon medoemos t’ia prishësh, ose për inat, ose kush e di për çfarë interesash. Qytetari, i kërcënuar shumë seriozisht nga arroganca jote, i është drejtuar gjykatës, e cila me vendim të formës së prerë ia njeh këtë pronë të ligjshme, duke i quajtur veprimet tuaja, për ta prishur, krejt antiligjore. Qytetari në fjalë i është drejtuar me një letër dhe Kryeministrit Rama. Ai në përgjigjen e tij zyrtare shprehet se do të respektohen vendimet e gjykatës. Ndoshta ju e furnizoni me informacion të gabuar z.Rama, për të justifikuar veprimet e tij lineare antiligjore. Unë e njoh shumë mirë problemin në fjalë, mbasi kam dy vjet që merrem me këtë punë dhe jam i shokuar nga mungesa jote e përgjegjësisë dhe mënyra se si ti funksionon. Nisur nga parimi universal, se kur i bëhet një padrejtësi një shtetasi është njëlloj si të më jetë bërë edhe mua, është hera e dytë që po shkruaj për veprimet e tua arbitrare dhe haptas të kundraligjshme. Ti, edhe pas vendimeve të formës së prerë të gjyqësorit, vazhdon t’i dërgosh shkresa të çuditshme qytetarit, duke bërë dhunë verbale dhe duke e mbajtur nën presion psikologjik. Në këtë kuadër, edhe dje, një përfaqësues i INUK-ut, ka shkuar me kërkesën tuaj tek qytetari dhe i ka kërkuar të boshatisë dyqanin se të hënën, domethënë sot, do ta shembin. Them se dhe INUK-ut ju i kini dhënë informacion të gënjeshtërt dhe e keni futur në një qorrsokak të rrezikshëm. Qytetari i dëmtuar dhe ende i rrezikuar nga mungesa tek ju e ndërgjegjes elementare njerëzore, është ankuar edhe tek Avokati i Popullit, i cili i ka quajtur veprimet e tua më shumë se skandaloze dhe, realisht, edhe në optikën time të tilla janë. Që ju nuk doni ta zbatoni ligjin dhe vendimin e gjykatës është vënë në dijeni dhe Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço si dhe Prefekti i Tiranës. Fatkeqësisht, në aksionet tuaja antiligjore, ju ka mbështetur me pa të drejtë edhe Policia e Shtetit, mbështetjen e së cilës e keni kërkuar edhe për prishjen antiligjore të sotme. Pavarësisht se sa do të më dëgjohet fjala, për këtë rast, unë kam vënë në dijeni krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, me statusin e gazetarit, por edhe qytetarit të shqetësuar. Po kështu kam vënë në dijeni dhe deputetin thuajse të Kavajës,z.Dashamir Peza, i cili nuk lëvizi as gishtin e vogël për mbrojtjen e ligjit dhe drejtësisë dhe duke mos vepruar në dobi të ligjshmërisë u bë palë me ty dhe unë i marr me mend arsyet aspak dashamirëse të Pezës. Unë po ta nis këtë letër të hapur, ose publike, që ti të mos i thellosh më tepër veprimet e tua antiligjore dhe antinjerëzore, të cilat kompromentojnë dhe dëmtojnë rëndë imazhin e të ashtuquajturit “shtet ligjor” dhe kauzës për ligj e drejtësi të “Rilindjes”. Mbase, ty ai dyqan të duket i vogël dhe prishja e tij të duket një padrejtësi e vogël. Por mësoje sot nga unë, mbasi unë di shumë më tepër nga ty, se nuk ka padrejtësi të vogël dhe padrejtësi të madhe, por ka vetëm padrejtësi si kjo e jotja në rastin në fjalë. Unë dua që Kryeministri Rama ta lexojë këtë letër dhe të frenojë arrogancën dhe arbitraritetin tënd antiligjor. Kush do ta mbrojë këtë qytetar të Republikës së Shqipërisë, kur atë e dhunon vetë pushteti lokal, por me lidhje të forta në pushtetin qendror qeverisës? Rama nuk merret dot me çdo pehlivanllëk të zyrtarëve në gjithë piramidën e pushtetit, por, të paktën, për rastin në fjalë unë po e vë në dijeni dhe, realisht, nuk jam një emër në shkretëtirë për Kryeministrin, që e kam mbështetur fuqimisht gjer më sot… Që ky konflikt të mos thellohet më tepër, do t’i kërkoja shefit të Komisariatit të Policisë së Kavajës të njihet me praktikën gjyqësore të çështjes, përpara se të mbështesë veprimet antiligjore dhe inatçore të Roshit. Të njëjtën thirrje kam dhe për INUK-un, të njihet me vendimin e gjykatës para se t’i vërë ruspën objektit, pronë private e hipotekuar. Në tentativën e parë për prishjen e objektit mbetën të plagosur dy pjesëtarë të familjes Rrena. Në kushtet e një padrejtësie flagrante shtetërore, sot mund të vejë edhe më keq. Nuk është e thënë të shtypësh gjithë Kavajën (gjë që s’e bën dot) që të quhesh “shtypës” apo “diktator province”. Mjafton të shtypësh vetëm një individ dhe quhesh i tillë. Ju them gjithë të tjerëve që e kanë fuqinë: “Mos e mbështesni Elvis Roshi në veprimtarinë e tij antiligjore dhe antinjerëzore!”. Në mbështetje të kësaj letre disponoj të gjithë dokumentacionin përkatës që vërteton qartësisht dhe plotësisht veprimet e Roshit, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe vendimet e gjykatave të të gjithë shkallëve. Do të duhej gjithë gazeta që ato të publikoheshin të gjitha, por nëse vazhdon injorimi dhe thyerja e ligjit, ato do të publikohen në vijimësi, për sensibilizimin e njerëzve të ndershëm. Dhe jemi pikërisht në nisjen e reformës së madhe në sistemin e drejtësisë nga ana e “Rilindjes”. Ndaj, duhet ndalur dora e gjatë e Roshit. Ai mund t’i bëjë dëme të pariparueshme “Të Majtës”, aq më shumë kur Rama ka paralajmëruar rizgjedhjen e tij në një territor të ri shumë më të madh se Kavaja e sotme. Por a do t’ia vlejë përsëri ky promovim i ri politik?