Policia e Vlorës ka bërë të ditur se lidhur me shtëpinë e barit të zbuluar të mërkurën në qytetin bregdetar, dy elektricist dhe një faturist janë shoqëruar dhe proceduar në gjendje të lirë.
Në shtëpinë e barit policia sekuestroi 780 bimë kanabisi, ku 482 prej tyre janë kubikë, ndërsa sipas burimeve, mësohet se prej një viti banesa ishte marrë me qira.
Objekti ku kultivohej lënda narkotike ka disa kohë që mund të jetë përdorur, megjithatë hetimet nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë nëse është kultivuar më herët apo ka qenë tentativa e parë.
Në prangat e bluve ka rënë 38-vjeçari Endrit Sadedini, një emër i njohur për policinë, i cili më herët u ka shpëtuar dy atentateve. Sadedini, 38 vjeç, prej pak ditësh kishte ardhur në Vlorë, pasi ka qenë duke vuajtur dënimin në një shtet tjetër. Pas informacioneve se ai lëvizte me armë zjarri, policia ka organizuar operacionin që e çoi në pranga. Në momentin e ndërhyrjes, mësohet se ai i ka drejtuar armën policisë, por nuk ka qëlluar pasi është neutralizuar nga efektivët. Policia ka vënë në hetim, pasagjerin që udhëtonte në makinë me Sadedinin, për veprën penale moskallëzim krimi.



















